Kurti pyetet në Turqi nëse Escobari po e shantazhon – ja si përgjigjet
4 Shkurt 2023
Gazeta Bota Sot, Prishtine.
Kryeminsitri Albin Kurti dje ka qëndruar në Turqi, ku në ish-kryeqytetin perandorak, pra në Stamboll, takoi presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan. E pas takimit, ai ka dhënë një intervistë mbi 20-minutëshe për televizionin publik turk “TRT”, në gjuhën angleze. Si gjithmonë, ai ka folur për shumë çështje, përfshirë marrëdhëniet jonormale të Kosovës me Serbinë dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në intervistën për emisionin “Across Balkans”, Kurti tha se para ardhjes së tij në Qeverinë e Kosovës, ka pasur negociata për një dekadë, gjatë sëcilës kohë janë arritur 33 marrëveshje, përfshirë atë Asociacionin. I pyetur për insistimin e ShBA-së dhe BE-së, për formimin e Asociacionit, Kurti deklaroi se nuk mund të ketë një asociacion monoetnik.
“Është e verëtetë, Beogradi është duke insistuar parasëgjithash (në Asociacion v.j.). Unë kam thënë se çfarë lloji i Asociacionit të komunave në Kosovë, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Po ashtu nuk mund të kemi një asociacion etnik, sepse do të ishte kundër kundër frymës dhe germave të Kushtetutës. Asociacionet një etnike nuk janë të pranueshme” – tha Kurt
“Unë besoj që nëse Serbia dëshiron asociacion të komunave në Kosovë të bazuar në etni, ata së pari duhet të mendojnë të bëjnë atë në shtëpi, sepse ka shumë më shumë minoritete në lloje dhe numër në Serbi se në Kosovë” – vazhdoi Kurti.
Por Kurti nuk ishte kaq i drejtpërdrejt, kur u pyet nëse ShBA-ja po e shantazhon. Në fakt, moderatorja ia përmendi deklaratën e djeshme të të dërguarit amerikan, Gabriel Escobarit, i cili tha se Asociacioni nuk mund të shmanget dhe se kjo marrëveshje s’është mes Kurtit dhe Serbisë, por Kosvës dhe Serbisë.
Kurti tha se Escobari është aktiv dhe shumë i përfshirë në dialog, duke thënë se e mirëpret një gjë të tillë.
“Qartësisht, Escobar është aktiv dhe shumë i përfshirë dhe unë e mirëpres atë. E kam takuar disa herë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të drejtë. Çfarë unë jam duke i theksuar si principe dhe kushte për çfarëdo asociacioni, nuk janë qëndrimet e mia arbitrare ose mendime personale. Vullneti i popullit në Kosovë, Kushtetuta dhe ligjshmëria janë ato që më shtynë të them që së pari kemi nevojë për njohje reciproke dhe vetëm atëherë çfarëdo lloji të Asociaiconit” – vazhdoi Kurti.
Tutje, shefi i ekzekutivit deklaroi se Serbia kërkon një Republikë të re serbe në Kosovë, duke shtuar se plani franko-gjerman është një bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme.
Ndryshe, Escobar dje ishte i qartë, duke treguar se e informon Anthony Blinkenin, sekretarin amerikan, se Asociacioni ende s’eshte formuar. I pyetur nga gazetarja serbe, Ksenija Pavlovic McAteer, se çka e informon sekretarin Blinken në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, z. Escobar e përmendi planin franko-gjerman dhe Asociacionin.
“Para së gjithash, ne mendojmë se dialogu ka një plan të mirë. Ne mendojmë se tani propozimi franko-gjerman të cilin ne e mbështesim – unë isha atje, kur ata e dorëzuan atë – ishte një hap i rëndësishëm në normalizimin”. Është një udhërrëfyes i mrekullueshëm, shpresojmë që të dyja palët ta pranojnë dhe të fillojnë menjëherë zbatimin e tij. Por ndërkohë, ka mjaft fusha që ekzistojnë brenda Marrëveshjes së Brukselit që mbeten të paplotësuara. Një nga më të rëndësishmet është Asociacioni i shumicës serbe.” – tha Escobar.
Tutje, Escobar theksoi se nuk ka mundësi të shmanget Asociacioni, pasi i njëjti është obligim ligjor i Koosvës.
“Prandaj unë them se ajo do të implementohen në një pikë. Pavarësisht nëse Qeveria e Kosovës e pranon këtë obligim ligjor ajo nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë. Është marrëveshje mes Kosovës dhe Serboisë. Do të jetë baza e marrëveshjes për normalizim. Nuk ka mënyrë se s’i ti shmanget.” – tha ai.