Kush e bën rajonin e jugut, xhevahir të fshehur të Ballkanit?-
Kush e bën rajonin e jugut, xhevahir të fshehur të Ballkanit?-
Një studim i fundit mbi potencialin turistik të rajonit – Berat, Përmet, Gjirokastër e Sarandë- konkludon se kombinimi i peisazhit bregdetar me zonat e thella malore, trashëgimia kulturore e pasur, traditat e produktet, e bëjnë jugun një Xhevahir.
Rajoni i jugut, cilësohet si xhevahiri i fshehur i Ballkanit. Burimet kulturore dhe natyrore, trashëgimia autentike si isopolifonia, sazet, vallet, produktet lokale, mikpritja, etj., janë vetëm disa nga ‘asetet’ turistike që rajoni i jugut ka, por që ende mbeten të pashfrytëzuara. Një studim i fundit mbi potencialin turistik të rajonit – Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë- konkludon se kombinimi i peisazhit bregdetar me zonat e thella malore, trashëgimia kulturore e pasur, traditat dhe produktet lokale, e bëjnë jugun e Shqipërisë një xhevahir të Ballkanit.
Ndërkaq, investimet që parashihen të ndërmerren për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të Beratit dhe Përmetit janë në fokus edhe të studimi tjetër të një grupi ekspertësh shqiptarë dhe të huaj. Studimi i kryer muajt e fundit jep disa alternativa lidhur me drejtimin që duhet të marrë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe social i Beratit dhe Përmetit si dhe investimet që nevojiten për të nxjerrë në pah potencialin e tyre dhe për të maksimizuar impaktin në nivel rajonal.
Propozimet e këtij studimi do të diskutohen në fund të kësaj jave në një tryezë konsultimi me aktorë vendimmarrës dhe përfitues për të vendosur bashkërisht cili është drejtimi i duhur. Studimi u krye në kuadër të programit “Zhvillimi i Integruar Urban dhe Turizmi” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore dhe që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Qyteti 2400-vjeçar i Beratit i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar. Një muze i gjallë në natyrë ku “ngjizen” natyrshëm historia, arti dhe arkitektura e monumenteve ka shënuar një rekord historik vizitorësh gjatë këtij viti.
Në periudhën janar-gusht, Berati u vizitua nga 95 000 vizitorë, ndërsa vetëm gjatë muajit gusht u vizitua nga 23 000 vizitorë. Gjithashtu edhe Përmeti ka qenë gjithnjë një qytet i këndshëm për t’u vizituar, por së fundmi me investimet e reja të qeverisë shqiptare, gjithnjë e më shumë turistë po kthejnë sytë nga kjo zonë e vendit, e pasur në tradita historike, kulturore dhe kulinarie. Për t’u ndalur tek Saranda që konsiderohet perla e Rivierës Shqiptare dhe destinacioni turistik më i kërkuar nga turistët vendas dhe të huaj.
Gazeta Shqiptarja.com