“Kush e dogji makinën”, Vasili i kërkon llogari ministrit Lleshaj: Kush i fiku dritat? U dhunuan gazetarë e fotografë.

 14 prill 2019

Kreu i Grupit Parlamentarë të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar pas arrestimeve të 37 protestuesve nga policia.

Në një deklaratë për mediat, Vasili u shpreh se nuk ka prova për arrestimin e  tyre, ndërsa shtoi se dhuna në protestë, duke cilësuar djegien e makinës në shesh, sipas tij ishin vepra të bërë nga persona të skeduar nga qeveria.

Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë. Jemi në këtë komunikim së bashku për të ndarë disa të vërteta të mëdha me ju. Një ditë pas mitingut madhështor që opozita dhe gjithë qytetarët shqiptarë zhvilluan dje në Tiranë, një miting të cilin me të drejtë mediat botërore e konsideruan mitingun më të madh të parë ndonjëherë në Ballkan. Dhe kjo ishte prova e një vullneti qytetar të jashtëzakonshëm të dimensioneve të papërmbajtshme.

Por se po dje shteti i horrave dhe nuk druhem ta them me gojën plot këtë gjë, konsumoi një skenar të fëlliqur, të programuar mirë, të provokimeve të një pas njëshme të cilave opozita nuk ju përgjigj, nuk ra pre e tyre, por bëri që vetë organizatorët e këtyre kurtheve dhe këtyre provokimeve të bien vetë brenda.
Jo më larg se dje u konsumua një akt i vërtet terrorist me djegien e një makine anonime, të paidentifikuar, të vendosur në mes të protestuesve, shpërthimi i së cilës mund të kishte marrë jetën e dhjetëra protestuesve. Jam sot këtu ti kërkoj këtij ministri të pacipë që del e bën komente për protestuesit, cili ishte pronari i makinës? Cili ishte ai që e futi atë makinë atje? Ndërkohë që i gjithë perimetri i sigurisë ishte i garantuar nga forcat e rendit, dhe ku përveç mjeteve të urgjencës mjekësore dhe mjeteve të medias nuk mund të hynte askurrkush tjetër! Kush ishte pronari i makinës, po e përsëris edhe njëherë?

Kush i fiku dritat në të gjithë ambientet e mitingut, ku në vend të sigurisë për zhvillimin e një mitingu paqësor, ashtu siç çirreshin në mënyrë histerike maskarenjtë e tij, fiku dritat në mënyrë që provokatorët që i vunë flakën ,që tentuan të digjnin dhe kioskën mu në mes të sheshit, të konsumonin të qetë provokimin e tyre dhe të mos idenfitikoheshin dot.
Kam një pyetje sërish të madhe për opinionin publik, i cili duhet të njihet me të, por e kam për ministrin kriminel që drejton ministrinë e Brendshme? Kush e dhunoi fotografin Arben Dajçi? Kjo foto flet për të gjithë ministrin dhe ministrat të cilët kanë dalë dhe çirren me pacipësinë dhe legenllëkun e tyre për dhunë. Kjo është dhuna. Gjaku te ky fotograf i ndershëm dhe i pafajshëm, që vetëm pasqyronte protestën.
Përsëri kam një pyetje tjetër për këtë ministër kriminel, po denoncimin e bërë nga rrjeti i njohur investigative dhe videon e bërë publike prej tyre dhe jo prej opozitës shqiptare se si pa asnjë shkak gazetarë me dhjetëra u goditën me ujë dhe me gaz në një shesh të boshatisur dhe pa asnjë arsye. Vetëm e vetëm nga frika se do të evidentonin të vërteta të mëdha.
Kush e kurdiste gurrmazin e çjerrtë të një polici maskara në një megafon atje nga brenda që u bënte thirrje protestuesve ndërkohë që nuk kishin në sheshin përballë asnjë protestues të vetëm.
Vetëm e vetëm për të krijuar klimën e provokimit dhe të irritimit. Sot policia e kriminelëve dhe e kriminalizuar, ajo polici që nuk ka ndalur asnjë nga komisarët e policisë që kanë qeverisur drogën që përmbyti Shqipërinë, kanë ndaluar dhjetëra protestues.
Ku i gjeti provat, ku i gjeti filmimet? Për aktet terroriste të djegies së automjetit nuk ka prova, nuk ka autor, nuk ka pronarë makine, nuk ka shkaktarë se kush fiku dritat në mënyrë që horrat të konsumonin horrllëkun ndërsa për këta protestues të ndershëm dhe të pafajshëm gjenden provat dhe shkohet me vrap për arrestimin e tyre.
Ky shtet ka zgjidhur përfundimisht të jetë shtet i horrave dhe horra që mbrojnë horrat që nga ministri i brendshëm dhe deri te prokuroria.
Në Unazën e Re hajdutët e qeverisë i njohin që të gjithë që këtu dhe në Washington. Nuk arrestohet asnjë, asnjë zëvendës ministër, asnjë ministër, drejtor, konsumues të veprave penale nga më të rëndat, dhunues të policisë që kanë dhunuar protestues te Unaza e Re përkundrazi arrestohet ata që mbrojnë banesat e tyre nga hajdutët e qeverisë.


Ata konsumojnë një akt terrorist që pluralizmi se kishte parë, duke djegur një makinë që mund të rrezikonte jetën e dhjetëra protestuesve. Nuk ka asnjë indicie. Ndërkohë të tërë horrat që vodhën 10 milion euro në mes të aeroportit, pikës më të sigurt të Shqipërisë, as ata nuk arrestohen, se nuk arrijnë dot të arrestojnë kriminelë këta. Po nuk arrestojnë dot, as të ndalojnë apo të fillojnë hetim ndaj asnjë njeriu nga Policia e Shtetit, asnjë njeri nga ministria përkatëse, asnjë njeri nga qeveria. Të gjithë janë të pafajshëm, kriminelë, qeveritarë, drejtues policie. Dhe të vetmit fajtorë në këtë vend janë protestuesit dhe qytetarët e thjeshtë.
Pra është qartësisht një qeveri e vendosur me horrat dhe me krimin. Dhe i gjithë populli bashkë, të gjithë njerëzit e ndershëm dhe të zakonshëm, në krahun tjetër. Qeveria, e cila jeton mes horrave, mbrohet prej tyre dhe i mbron ata, përfundimisht ka vdekur si qeverisje e këtij vendi. Dhe ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas. Ndërsa tërë këta konsumatorë të veprave të tilla kriminale në mes të sheshit, si provokimet e djeshme dhe si dhunë e këtij burri të thjeshtë e të ndershëm, të kësaj fotoje me gjak që do të mbetet gjatë në mendjen e shqiptarëve, ta dinë që do të përgjigjen një për një.
Llogaria e tyre me shqiptarët është përveç se llogari politike, sociale, është dhe një llogari personale. Pasi kanë marrë përsipër që për hir të këmbëve të thyera të karriges së kryeministrit të kriminalizuar të vendit, kanë marrë përsipër të helmojnë, të shkatërrojnë shëndetin e mijëra dhe mijëra qytetarëve të thjeshtë, të zakonshëm, të ndershëm dhe të pafajshëm.
Ky krim ka absolutisht ndëshkim të garantuar. Koha është shumë e afërt. Të gjithë t’i bëjnë llogaritë mirë.

Gazeta Panorama