KUSH E VRAU BAJRAM CURRIN DHE PSE NUK FLITET SOT PËR TË?
Kush ishte në të vërtetë Bajram Curri? Cila ishte ana tjetër e panjohur e tij. Kush frikësohet për përkujtimin e figurës së tij në pervjetorin e vrasjes? Çfarë e bënte të veçantë këtë njeri të jashtëzakonshëm? A ishte aq i pasur dhe pse prishte pafund? Kush ishte realisht i interesuar për ta vrarë dhe pse Zogu i bëri ceremonial shtetëror? A e vranë direkt interesat dhe paguan 100.000 dinarë serbët? Si në shumë raste, metodikat e vjetra të historisë sonë, nuk të ndihin të marrësh vesh të vërtetat e personazheve tona. Bajram Curri nuk mund të bëj përjashtim. Ai është thjesht hero, por sesi u bë i tillë, askush nuk e arrin ta realizojë me ndonjë monografi cilësore. Pak gjëra dihen tashmë për heroin, kur koha fluturon dhe bashkëkohësit e tij kanë vdekur. Po si sillej vallë, si vishej, pse prishte aq shumë para? Si motivohej pa asnjë logjikë tjetër kundërshtuese për Kosovën. Po kush e vrau? A e manipuluan italianët? Në ditët tona rezultati i kësaj heshtje të imponuar dihet: konjukturat politike i fshijnë të gjitha me heshtje. Të paktën, këtë e bënë me Luigj Gurakuqin, që u vra tre javë para tij. Në 90-vjetorin e vrasjes së Bajram Currit, pothuaj nuk dimë asgjë të veçantë dhe versionin më të afërt të vrasjes. E habitshme se vrasjen ia kanë vendosur Zogut, por në funeralin e këtij heroi të madh organizohet dhe marrin pjesë vetë autoritetet e tij. Janë plot 2000 veta që e përcjellin në Krumë ku varroset me nderime shtetërore. Disi me ironi “Politika” e Beogradit pak ditë më vonë do të shkruaj duke aluduar për benjamimin e vet Zogun, sesi ka mundësi ta ketë vrarë qeveria e tij, kur autoritet i bëjnë ceremonialin. Atëherë duhet të dinin më shumë. Po pse ia bënë vallë? Teoritë e konspiracionit të shqiptarëve thjesht të lodhin, kurse historianët të bezdisin me patetizimin e tyre. Më keq akoma, në ditët tona as nuk duan t’ia dinë për heronjtë e tillë të identitetit shqiptar. Por edhe kjo ha kundërshtim. Si për ironi të faktit, ëndrra e tij për ta parë Kosovën me Shqipërinë bashkë është bërë katër ditë më parë pakëz realitet, kur dy qeveritë Rama-Mustafa janë gjendur bashkë në një mbledhje. Megjithatë, Baca ka vdekur, kurse paragjykimin e tij postmortum nuk e lehtëson askush. “Bajram Curri na e la një porosi shkollore civilizuese që Evropa, citohet Skënder Drini, që bota e civilizuar duhet ta mësojë edhe sot. Bajram Curri e dinte fare mire kush po e lufton për vdekje. Por si burrë i pjekur prej shqiptari do ta lënë për histori këtë shkollë civilizuese “Kush prek popullsinë serbe të paarmatosur, ka punë me mu! Kush djeg e vjedh, e din çka e pret! Mjafton kaq për të frenuar vrasjen e njerëzve të paarmatosur dhe për të mos i lënë shqiptarët të bëheshin ‘serbë’”. Shkrimtari i ndjerë e ngre gati në pozicionin e një apostulli. Kujtimet e Sejfi Vllamasit ishin ‘të parat’ pas viteve të komunizmit që hodhën dritë mbi të. Vishej bukur. Ishte patriot i rrallë dhe i ndershëm me virtytet më të mira të racës sonë, thotë ai. Për të ilustruar mendjen e tij, një moment ai e citon fatosin e madh te Kosovës. “Me pas 4000 kosovarë të zgjedhur, Serbisë kisha me i shkuar në Beograd”. Në fakt, ishte Beogradi që erdhi vetë në Tiranë dhe ia solli Ahmet Zogun, armikun e vet bash në Tiranë. Bajram Curri, ky burrë i jashtëzakonshëm trim, nuk u bë dot asnjëherë politikan mirëfilli edhe pse gëzoi ofiqe. Informacioni për të merret gjithnjë në mënyrë të tërthortë. Historia e hedh në krah të italianëve ashtu si figura të tjera të kohës, pasi Italia shprehet hapur si mbështetje e shqiptarëve. Dhe Currin kanë ku ta kapin. E do Kosovën pa asnjë çmim dhe është gati të bëjë gjithçka për të, qoftë dhe me ndihmën e italianëve. Aman jo serbët. Ndërkohë, ky burrë simpatik, vishet bukur dhe prish shumë para. I ngjan një ranger-i amerikan, shprehet Vllamasi, por edhe di të argëtohet… Cilësi që thuhen pak sepse heronjtë shqiptarë janë të përkorë. Vetëm të përkorë Kjo na e bën të prekshëm figurën tonë, por edhe shumë simpatike. Ishte njëri si të gjithë të tjerët dhe më shumë akoma me shumë pritshmëri. I lindur në Krushë të Madhe, krahina e Gjakovës, ai e pa herët masakrën serbe ndaj njerëzve të tij. Si pinjoll i një familje të mirë dhe patriote u rrit me urrejtje për serbët.
Që më 1899 kohë kur u formua Lidhja Shqiptare e Pejës, Bajram Curri është me Haxhi Zekën. E ndihmon lëvizjen si përkrahës dhe megjithëse është pa shkollë i do të shkolluarit dhe tregon largpamësi, fakt që insiston se shqiptarët të shkollohen. Më 1912, në vitin e pavarësisë shqiptare është një hero i Kosovës dhe figurë autoritare. E habitshme është sesi legjenda e ka zëvendësuar krejt figurën e tij tokësore aq të këndshme. Historia për të Marenglen Verli është një nga historianët më të vjetër tanët, që është marrë me problemin kosovar. Prej tij kemi përcaktime më institucionale për heroin: I pakthyeshëm dhe gjithnjë në krye të forcave popullore, u përlesh me ushtritë pushtuese serbo-malazeze në Plavë e në Guci, në Krasniqe e në Gash. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më pas e pati nder ta zgjidhte atë si anëtar të vetin dhe t’i ngarkonte detyrën e përfaqësuesit në Konferencën e Paqes për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Bajram Curri zgjeron lidhjet me popullsinë e Malësisë së Veriut. Bashkon parinë e Gashit e të Krasniqes që kishin më tepër se 10 vjet armiqësi, bën kuvende e lidh besë midis krahinave, midis Nikaj-Merturit, Shalës e Postribes, vendos bashkëpunimin me qarqet antizogiste në Shkodër. Veprimtaria e shumanshme atdhetare e Bajram Currit, spikati me forcë edhe në jetën politiko-shoqërore shqiptare të viteve 1920-1924. Ai dha një ndihmesë të dorës së parë, si në luftën për konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar, ashtu edhe në konfrontimet që i hapnin rrugë demokratizimit të jetës politike në Shqipëri. Edhe kësaj radhe u tregua konsekuent, prandaj qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes gjeti tek ai një mbështetje të fuqishme dhe prijësin që i duhej për të shpartalluar çdo pengesë në rrugën e sigurimit dhe konsolidimit të pavarësisë së vendit. E thërrisnin atje ku ishte situata më kritike dhe ai me atdhetarizmin dhe aftësitë e tij e normalizonte. Goditi e shpartalloi esadistët në Shqipërinë e Mesme në prag të fillimit të Luftës së Vlorës, mandej pa u çlodhur ende, vrapoi në Koplik për të sprapsur intervencionin jugosllav. Një vit më vonë, asgjesoi në Mirditë komplotin e agjenturës së Pashiçit, të kryesuar nga kapedani separatist i krahinës. Bajram Currin dhe krerë të tjerë kosovarë duke shfrytëzuar kontradiktat midis austrohungarezëve me Serbinë në korrik në prag të Luftës së Parë Botërore bëri përpjekje që të organizonin një luftë të udhëhequr nga Bajram Curri për të çliruar vilajetin e Kosovës, por kjo marrëveshje nuk u arrit dot. Pas ikjes së princ Vidit, Bajram Curri me shumë patriot të tjerë shkuan në Krume të Kukësit për të ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë por edhe për t’i goditur sa më me sukses serbët, gjë të cilën e mësoi nga strategjia luftarake e Plakut të Maleve, i cili ishte një strateg dhe ushtarak i klasit të parë me një përvojë dhe prova në sa e sa beteja. Kur Austro-Hungaria filloi pushtimin e Serbisë,Bajram Curri po fitonte autonomi kulturore nga austro-hungarezët dhe u mundua të hapte shkolla aq sa mundte por që nxisin ndërgjegjen kombëtare. Këtu del dhe pjekuria politike e Bajram Currit.
Ndërhyrja energjike me luftëtarë kosovarë e krutanë shpëtoi edhe gjendjen kritike në luftën e Koplikut që u zhvillua në gusht të vitit 1920.Roli i Bajram Currit edhe në këtë betejë qe vendimtar, sikurse edhe në shuarjen e pajtimin e popullit të Mirditës më 1921, jo duke drejtuar armët njeri-tjetrit,por me urti e këshilla vllaznore, duke shmangur gjakderdhjet e kota mes vedit. Bajram Curri gjatë vitit 1923-1924 përbënte një kërcënim serioz për Ahmet Zogun i cili ishte bërë kryeministër Pjesa ndryshe Me arsyetimin për ikje me arsye shëndetësore, ai endet nëpër Europë si Itali, Francë, etj., nga data 7. 9. 1924, deri më 14.10.1924, pra 5 javë, thuhet në kujtimet e disa personazheve që i bënë të njohur pasaportën. Po pse endet nëpër Evropë? Dokumenti, ardhur në vitet e fundit tregon se nxirret për arsye shëndetësore, ndërkohë kur periudha shtator-dhjetor 1924 është plot me ngjarje historike dhe aktiviteti i Bajram Currit është i gjithanshëm për çështjen kombëtare, si një nga përkrahësit kryesorë të qeverisë së Nolit. Udhëtimi i fundit në Europë i Garibaldit shqiptar, siç e cilësoi Halim Xhelua, saktësohet se ndodh më 12 tetor të vitit 1924, për t’u vendosur në Krasniqe, mu afër vendit ku do mbyllte jetën dimrit të ashpër të Tropojës, më 28 mars 1925, dhe një ditë më pas do e vrisnin. Në fakt, që atje me përpjekjen e vet mundi që në Krumë të inicionte kryengritjen e armatosur, që kulmoi me fitoren e Qershorit. Pa asnjë mëdyshje ishte njeriu më trim i kësaj kohe dhe të ngjan qesharak reagimi i turpshëm i njerëzve të Fan Nolit, që thjesht merreshin me fjalë. Ishte aq trim saqë në vend t’i hipte vaporit si e gjithë politika shqiptare që do bëhej mërgata shqiptare e do dërdëlliste nëpër kafetë e Evropës zgjodhi të kthehej në mal bjeshkëve të Krasniqes, duke u mbajtur idealin e vet të madh për lirinë e Kosovës. I tradhtuar dhe rrethuar, ai do jepte jetë në shpellën e Dragobisë. Ka pasur zëra se ka vrarë veten, thjesht të mos binte në dorë i gjallë. Sido që të jetë, mbetet figurë trime. Prof. Dr. Hakif Bajrami do shprehej dekada më vonë se: “Ata, që e penguan Gjeneralin e vegjëlisë Bajram Currin, që mos të shkojë në Vlorë, provuan ta vrasin për së gjalli. Me dredhi e makinacione e arritën qëllimin. Po ata, më vonë, kur erdhën në pushtet, u forcuan, e vranë në pabesi, me tradhti duke u shërbyer interesave të Beogradit. Ai që e kishte lajmëruar vendqëndrimin e Bajram Currit, (prefekti Krumës), pasi që e vranë në pabesi, mori për guxim edhe të mbajë një fjalim mortor pranë varrit. Po ai (H.K.), më 6 prill 1925 “i kërkonte Ministrisë Punëve të Brendshme në Tiranë 500 napolona ari të premtuara për atë që ka dhënë njoftime se ku gjendet Bajram Curri, si dhe kërkonte gradime për vrasësit e tij.” (Shiko: AQSH i Shqipërisë, Fondi MPB, d. nr. 9. 1925; d. 51 dhe d. 58). Një personazh që e cilësojnë si patriot i shquar Ago Agaj, cituar nga Fazlli HAJRIZI thotë duke e justifikuar Zogun se:“Nuk e vriste ai Bajram Currin, një patriot të admiruar në Malësi të Gjakovës. Bile ai dërgoi një grup xhandarësh ta merrte në dorëzim.
Ai u vra nga bajraktarët e Gjakovës në pabesi, në shpellë. Vrasësit u takuan në Gjakovë me një oficer të thjeshtë, të dalë prej shkollës italiane me emrin Ibrahim. Ata i thanë oficerit se bejlerët u kishin premtuar njëmijë napolona, por 500 i mbajtën për vete e 500 na i dhanë”. Vrasja e këtij personaliteti të madh ruan shumë të papritura. Është e çuditshme heshtja për të në këtë 90-vjetor, njësoj si për Gurakuqin, por më shumë harresa e përcjellë për këtë personalitet të madh. “Nuk ka personalitet shqiptar që politika dhe diplomacia serbe t` i ketë siguruar tetë (8) analiza-biografi analitike sikurse për Bajram Currin dhe të afërmit e tij. Në kohën kur kam hulumtuar nuk ka pasur para që i “blenë” ato dorëshkrime të fotokopjuara. Kam provuar përmes Akademik Bogumil Hrabakut t` i nxjerr të fotokopjuara, por kot. Të paktën prej tij (Hrabakut) e kuptova se tri dorëshkrime i kishin përpiluar për Bajram Currin oficerët rus me urdhër të Nikolla Pashiqit, citohet Hakif Bajrami. Ky thotë madje se: “Ata oficerë kishin punuar si projektantë të kolonive sllave në Kosovë 1920-1928. Ndërsa nga shqiptarët bukë përmbysur është vrarë Bajram Curri, është vrarë truri i kuvendeve dhe gjenerali i istikameve shqiptare për liri dhe pavarësi për 100 000 dinarë”. (Shiko: AVII B. Koleksioni për Bajram Currin 1903-1928). Po kush e vrau vallë dhe kush është i interesuar për heshtjen ndaj tij, vrasjen e madhe të Bajram Currit? Askush nuk e thotë. Baca rri i shikon të gjitha nga monumenti i tij në qytetin me të njëjtin emër, që ka të ngjarë dhe vetë ta ketë harruar.
Nga: shqiperiaebashkuar.al