Kush fshihet pas portit të Durrësit? Adriana Kalaja flet me emra: Kjo është afera më e rëndë për shqiptarët

5 JANAR 2022

Avokatja Adriana Kalaja, ka denoncuar mbrëmjen e sotme gjatë një interviste televizive mega-aferën me portin e Durrësit.

Kalaja thotë se kjo është afera me të cilën u shitën zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Ajo flet për lidhje të kreut të PD Basha dhe familjarëve të tij me të.

Kalaja: Është mega-afera korruptive që shiti zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në 2-3 statuse që kam bërë më parë për portin e Durrësit dhe mega-aferën korruptive siç e vlerësoj unë kam nxjerrë lidhjet dhe ofertën që PD përmes deputetes Grida Duma i bënte Edi Ramës në lidhje me portin e Durrësit. Duma i thoshte Edi Ramës se nuk do të bëhej porti i Durrësit pa kaluar në marrëveshje me PD dhe kështu ndodhi. Edi Rama që nuk i lë këto gjëra që të kalojnë kaq lehtë ja dha ofertën përmes atyre që ne dikur na u shitën si investitorët kryesorë, Emaar.

Në maj 2021 është krijuar shoqëria në Tiranë Symphony Real Estate, kjo shoqëri ka një ortake të vetme, kompania offshore e regjistruar në ishujt Kajman. Brenda vetes së saj ka katër ortakë me prejardhje nga Emiratet e Bashkuara. Duke qenë se ishte kompani offshore dhe duhej të ngrihej një kompani në Tiranë me destinacion ndërtimin e portit të Durrësit, në 3 milion shqiptarë rastësisht dhe çuditësisht këta zgjedhin të emërojnë administrator, administratorin që ishte te kompania e kunatit të zotit Basha.

Jo vetëm zgjedhin të njëjtin administrator por administratori përmes prokurës dhe autorizimit autorizon disa punonjës që paguhen nga zoti kunat për të bërë të gjithë veprimet me të tretët dhe institucionet për llogari të shoqërisë së re të krijuar që do të ndërtonte portin e Durrësit ose që do të ndërtojë portin e Durrësit.

Pavarësisht se afera e incineratorëve përflitet si nga aferat më të mëdha, avokatja Kalaja thotë se afera më e madhe dhe më e dëmshme në kurriz të qytetarëve shqiptarë është afera e portit të Durrësit.

Kalaja: Aferë që shkon në 2 mld euro. Është shumë e dëmshme se ka marrëveshje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Jo më kot punonjësit e kompanisë së kunatit dhe vjehrrit të zotit Basha kryejnë të gjithë funksionet e kompanisë së re të krijuar që edhe selinë e ka në portin e Durrësit.

Gazeta Sot