Kush ishte Balsha II?

Balsha II ishte figura më e shquar midis sundimtarëve Balshaj të principatës së Shkodrës, e cila nën sundimin e tij arriti kulmin e fuqisë.

E shtriu sundimin në trevat jugore duke përfshirë veç Vlorës e Kaninës, Himarën e Beratin dhe e zgjeroi atë nëpërmes aleancave deri në Ohër dhe Kostur në lindje e juglindje.

Pasi shtiu në dorë edhe Durrësin që zotërohej nga Karl Topia, Balsha II siguroi kompaktësinë territoriale midis zotërimeve jugore e veriore të principatës së Shkodrës.

Me titullin “Dukë i Durrësit”, u bë sundimtari i një shteti që shkonte nga Budua në veri e deri në Himarë, prej bregdetit Adriatik e Jon deri në viset e brendshme lindore.

Përqendrimi i pushtetit në duart e Balshës II shkaktoi reagimin armiqësor të një vargu përfaqësuesish të klasës feudale, ndër ta edhe Karl Topia që thirri në ndihmë forcat osmane.

Balsha II mbeti i vrarë në betejën që u zhvillua më 1385 në fushën e Savrës.