Kush janë luftëtarët nga Ballkani në Siri! Grupi “Xhemati Alban” dhe rëndësia e tij
13 Dhjetor 2024
Shqiptarët nga disa shtete të Ballkanit Perëndimor janë parë aktivë në luftimet e fundit në Siri, që çuan në rrëzimin e pushtetit të kamotshëm atje.
Luftëtarët besohet se janë grupuar në një njësit shqipfolës brenda koalicionit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe aleatë të saj, të cilët në fillim të dhjetorit, çuan në rrëzimin e pushtetit të presidentit Bashar al-Assad.
“Xhemati Alban” është emri me të cilin grupi i luftëtarëve shqiptarë e ka identifikuar veten në publik, veçanërisht në rrjete sociale.
Shqiptarët, megjithatë, përbëjnë vetëm një pjesë të vogël në mesin e qindra luftëtarëve të huaj në radhët e grupit rebel që mori pushtetin. Vetë HTS-ja dhe grupet aleate, besohet të kenë rreth 10 mijë luftëtarë në total.
Ajo është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, dhe më parë ka qenë e lidhur me Al-Kaidën. Me marrjen e pushtetit rishtazi, kjo aleancë është zotuar për tolerancë dhe gjithëpërfshirje, ndonëse ka shqetësime për lidhjet e tyre me grupe terroriste.
Kush është Xhemati Alban dhe cila është rëndësia e tij në Siri?
Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë që vepron në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundërterrorizëm, në Hagë, thotë se ky grup ka qenë aktiv në Siri që prej vitit 2012, ndonëse jo zyrtarisht me këtë emër si Xhemati Alban, por komponentët e tij, personat që e kanë formuar këtë grup më vonë e kanë përdorur këtë si emër Xhemati Alban.
Sipas tij, Xhemati Alban është i përbërë prej dhjetëra personave, ka strukturë komanduese etnike shqiptare dhe bëhet fjalë për “një grup islamist xhihadist dhe të strukturuar i mirë”.
“Personat që janë anëtarë të këtij grupi, vijnë kryesisht nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut por edhe nga trevat e tjera shqiptare në Ballkan, dhe nga diaspora”, thotë ai.
“Udhëheqësi i grupit shqiptar atje, është një 48-vjeçar, nga Shkupi i cili njihet me emrin Abu Qatade al-Albani. Emri i vërtetë i tij është Abdul Jashari dhe ka pasur funksione të larta këshilluese me komandantin e HTS-së”, thotë Shtuni.
Abdul Jashari që nga viti 2016 është i sanksionuar nga SHBA-ja. Sipas vendimit të Thesarit, ky këshilltar ushtarak është sanksionuar si njëri nga liderët e Al-Nusrës, degë e Al-Kaidës në Siri, dhe ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve të Nusrës.
Grupi ka qenë mjaft aktiv në rrjetet sociale, veçanërisht në Telegram, duke publikuar progresin e betejave dhe madje video e foto të ushtarëve, kryesisht të maskuar.
Një video e verifikuar nga REL-i, e datës 30 nëntor, tregon një ushtar që flet shqip duke qëndruar në një kala në qytetin e vjetër të Aleppos, i dyti më i madhi në Siri.
Videoja u xhirua në ditën kur HTS-ja mori kontrollin e qytetit veriperëndimor.
Personi i paidentifikuar, në gjuhën shqipe flet për çlirimin e Aleppos, duke u lutur edhe për çlirime të tjera nga “shtypja e madhe”, teksa i referohet regjimit të Assadit.
I njëjti ushtar mban një shenjë dalluese të “Albanian Tactical”, i cili besohet të jetë një nëngrup i Xhematit Alban, i fokusuar në trajnime.
“Xhemati Alban është i ndarë në disa grupe të cilat janë të specializuara: njëri për minahedhje, tjetri është grup snajperistësh dhe pastaj kemi edhe këtë grupin trajnues i cili quhet Albanian Tactical”, thotë Shtuni.
Ai shton se grupi i shqiptarëve dhe udhëheqësia e tij kanë një rëndësi të veçantë në kuadër të HTS-së.
REL-i ka identifikuar disa grupe të Telegramit që variojnë nga qindra në mijëra ndjekës dhe që publikojnë aktivitetet e ushtarëve militantë në Siri.
Shumica e përmbajtjes së postimeve është në gjuhën shqipe, e po ashtu ka të shpërndara edhe disa video ku ushtarët flasin shqip dhe tregojnë pamje nga qytete të ndryshme të Sirisë, në veçanti pas aksioneve të fundit për rrëzimin e pushtetit atje.
Autoritetet e Kosovës nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë për numrin e luftëtarëve aktualë nga Kosova në Siri dhe as pjesëmarrjen e tyre në koalicionin HTS.
Mirëpo, të dhënat e mëparshme tregojnë se mbi 350 persona besohet të kenë shkuar në Siri që nga viti 2011, kryesisht për t’iu bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik.
Kosova ka miratuar Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës në vitin 2015, derisa që nga viti 2019 u organizuan disa operacione riatdhesimi, me të cilat u rikthyen qindra persona.
Në Shërbimin Korrektues të Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se pas proceseve gjyqësore, rreth 42 të burgosur për pjesëmarrje në luftëra të huaja kanë kaluar nëpër institucionet e tij korrektuese. Aktualisht, në institucionet korrektuese ndodhen 7 prej tyre.
Më herët është thënë se rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut.
Deri në shpartallimin e Shtetit Islamik në fund të vitit 2017, shumica e kosovarëve në Siri jetonin në territoret që kontrolloheshin nga ky grup.
Lavdrim Muhaxheri, militant i Shtetit Islamik, i cili u deklarua se është vrarë, njihej si udhëheqës i shqiptarëve në formacionet terroriste të Shtetit Islamik.