“Kuvend i Hajnisë” . Basha akuzon: – Berisha po mbështetet nga Rama-Meta, oligarkët dhe krimi i organizuar
“Kuvend i Hajnisë” . Basha akuzon: – Berisha po mbështetet nga Rama-Meta, oligarkët dhe krimi i organizuar
9 DHJETOR 2021
Lulzim Basha e quajti “Kuvendi i Hajnisë” Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor dhe akuzoi Edi Ramën se po e mbështet ish-Kryeministrin së bashku me Ilir Metën.
“11 dhjetori është një turp për Shqipërinë, që duke përdorur dhe duke shkrirë bashkë interesat e Trekëndëshit të Bermudës, oligarkëve dhe krimit të organizuar kërkon t’i kundërvihet SHBA. Kot e ka Edi Rama që e mbështet (Sali Berishën), se dihet që hedh gurin e fsheh dorën. Krimi, oligarkët dhe trekëndëshi i Bermudës, Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta nuk do t’ja dalin. E kanë të kotë”, tha Basha.
Kreu i PD-së foli gjatë një interviste të dhënë për Opinion. Sipas Bashës, Edi Rama nuk do të ketë atë përballë, por Sali Berishën.
“Sepse armiku i armikut tim është miku im. Edi Rama e di që me një Sali Berishë ‘non grata’ në SHBA është i sigurtë në karrigen e tij. E dinë fare mirë që pas Sali Berishës radhën e kanë të tjerët”, tha Basha gjatë një interviste për Opinion.
Basha tha se Kuvendi i PD është më 18 dhjetor dhe në atë Kuvend ftoi edhe Berishën.
“Më 11 dhjetor është përpjekja e fundit e tubit të oksigjenit të Edi Ramës. Më 18 dhjetor është Kuvendi Kombëtar i PD”, tha ai.
Basha akuzoi Berishën se po tërheq zvarrë demokratët për të mbrojtur interesat e tij personale.
“Lulzim Basha nuk është njeri konfliktuar, është njeri i arsyes. Nuk ka konflikt brenda PD. Ka luftë të një njeriu që do t’i mbivendoset çdo demokrati. Është dëshira e një njeriu për të tërhequr zvarrë të gjithë demokratët dhe gjithë shqiptarët pasi është shpallur non grata nga SHBA”, u shpreh ai.
Gazeta Shqip