“Ky do të jetë problemi i madh”, Artan Hoxha bën parashikimin e zymtë për 2021: Ja çfarë pritet
“Ky do të jetë problemi i madh”, Artan Hoxha bën parashikimin e zymtë për 2021: Ja çfarë pritet
14 JANAR 2021
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar aksionin që finalizoi policia pak ditë më parë për 28 parcelat me kanabis në Skrapar, “kokat” e drogës nuk janë kapur.
“Hetimet nuk i ka bërë SPAK, por SHÇBA. SPAK-ut i janë referuar meqë janë të përfshirë punonjës policie. Të gjithë çështjet që janë hapur sivjet, që kanë policë brenda, si asnjëherë tjetër, janë bërë për shkak të punës që ka bërë ky shërbim. Më pas i është çuar dosja SPAK-ut. Kam pritur që të kishte një reagim më të shpejtë. Ka pasur dy faza, parcelat dhe tharja në hangarë. Herën e fundit që kam qenë në ABC kam thënë se do të ketë arrestime për këtë gjë.
Ne i kemi publikuar pamjet e Skraparit në shtator dhe tetor, ku hangarët dukeshin si stalla lopësh. U etiketua Skrapari, që duket se ishte epiqendra, por Skrapari ka qenë një pikë uji në liqenin e kanabisit këtë vit. Një media që është afër linjës së kryeministrit, që thotë se gazetarët investigativë nuk e nuhatën Skraparin, ndërkohë që pamjet që ne transmetuam më parë i jepnin tani si ekskluzive.
Nga aksioni nuk janë kapur financuesit. Vetëm në Tërpan është kapur një ndërtues nga Durrësi, ndërsa për Skraparin, ku është zona e Potamit, nuk janë kapur financuesit, “peshqit” e mëdhenj, jemi akoma te “peshqit” e vegjël. Uroj që SPAK të shkojë deri te kokat e kultivimit të kanabisit. 2020 ndryshe nga 2016 nuk ishte kultivim me implikim të të gjitha strukturave, por brenda fenomenit pati” tha ai.
Por a mendon ai se një ditë financuesit e këtij grupi kriminal do të vendosen përpara drejtësisë? “Nuk është e lehtë, por jemi ende herët për të shkuar në ato nivele, pasi për të shkuar në ato nivele duhet një punë që kur nis fenomeni”.
Për 2021, Artan Hoxha ka një parashikim të zymtë. “Problemi është që ajo që ndodhi në 2020, ishte paralajmërim për 2021, këtë vit jemi në vit zgjedhor dhe për dreq është 25 prilli, që do të thotë se në mars dhe prill, policia do të jetë e angazhuar me fushatën dhe nuk ka mundësi që të ketë një kontroll të fortë mbi territorin.
Gjatë marsit dhe prillit në vitet e tjera bëhen ato kontrolle, sivjet, kjo do të thotë sa herë zgjedhjet janë në situata të tilla ka një rritje të kultivimit. Policia do të devijoj detyrat e saj pasi do të merret me fushatën. Ky do të jetë problemi i madh i policisë. Në vjeshtë do të shikojmë përmasat” tha ai. Nga operacioni në Skrapar u zbuluan 28 parcela me kanabis dhe pas hekurave u çuan 16 persona, mes tyre policë dhe zyrtarë lokalë.
Gazeta Sot