Ky është drejtuesi izraelit i Call Center-ave në Shqipëri, rreth 2 mijë shtetas të huaj ranë pre e mashtrimeve. Punonjësja: Punonim me emra arti
Ky është drejtuesi izraelit i Call Center-ave në Shqipëri, rreth 2 mijë shtetas të huaj ranë pre e mashtrimeve. Punonjësja: Punonim me emra arti
26 Dhjetor 2021
Personi që shihni në foto është Rafael Genish, izraeliti që përmes kompanisë RG Capital akuzohet se ndërtoi një aktivitet kriminal në fushën e Call Center-ave në Shqipëri.
Kur mësoi që Prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet, izraeliti e kishte gati planin për arratisjen nga Shqipëria. Megjithatë ai nuk i shpëtoi dot arrestimit dy ditë më parë. Mbi Genish rëndon akuza e mashtrimit kompjuterik ndaj të huajve.
Nga operacioni i policisë për krimin kibernetik, u arrestuan 34 persona ndërkohë që 22 të tjerë janë nën hetim. Mbi 2 mijë shtetas të huaj u mashtruan nga skemat me “FOREX”-in e tij në Shqipëri, ndërkohë që janë kontaktuar rreth 2 milionë persona.
Pas operacionit janë sekuestruar “RG Company”, ambientet ku ushtrohej veprimtaria e Call Center në Tiranë, dhe qindra pajisje.
Në Shqipëri janë shtuar call center – at që shërbejnë si ndërmjetësuese mes qytetarëve që duan të investojnë dhe të futen në tregjet financiare, dhe bankave, që ndryshe quhen kompani brokerimi.
Tregu më i madh financiar në botë që ofron mijëra burime investimesh është Forex, që përfshin edhe tregun e bursave, edhe të mallrave edhe të monedhave. Pikërisht nën këtë logo luajnë edhe shumë kompani fantazmë të hapura në Shqipëri, që kryesisht mashtrojnë qytetarë të huaj.
Këto shoqëri joshin të huajt të investojnë para që kalojnë në llogari të dyshimta bankare, me premtimin se për një periudhë të shkurtër kohore, investimi i tyre do të shumëfishohet.
Mediat kanë zbardhur dëshminë e një prej punonjësve të Call Center të Forex e cila ka dëshmuar se periudha e trajnimit të tyre zgjaste vetëm 2-3 dite dhe eksperienca në punë nuk ishte kriter.
Duke u nisur nga të dhënat e përgjithshme rezulton se të gjithë kishin dijeni për veprimtarinë që kryenin pasi të gjithë pranonin të përdornin emra të rremë të cilët i quanin “emra arti”. Të gjithë punonjësit përdornin numra të huaj, pra jo shqiptarë për të komunikuar me shtetasit e huaj.
Prezantoheshin si shtetas te huaj dhe të gjithë kanë pasur në postet e tyre të punës lista me te dhënat e personave të cilët kontaktonin dhe qe ishin potencialisht viktima të mashtrimit.
Gazeta Dita