23 Shtator 2024

Analisti Lorenc Vangjeli ishte i ftuar këtë të hënë në një emision televiziv ku analizoi disa ndër qëllimet e mundshme të kryeministrit Rama për krijimin e një shteti bektashi brenda vendit tonë.

Ky plan, i cili konsiston në krijimin e një shteti sipas modelit të Vatikanit, sipas analistit është një “luftë” për imazh e kryeministrit dhe në rastin më të keq një operacion të jashtëzakonshëm marketingu për turizmin, politikën dhe marrdhëniet me ndërkombëtarët.

“Pra në këtë botë që rend pas imazhit, kam përshtypjen se edhe kjo është diçka e tillë. Bie dakord që pasi Rama nuk sheh betejë për vitin që vjen, e hedh këtë ide, një burim drite që në mënyrë paradoksale fsheh këto hallet e errëta të shtëpisë sonë, fsheh hallet e problemet. Ky është një gur që fluturon që vret 3, 4 e 15 zogj. Burri matet me shumë e armiqve të vetë, ideja e tij që do të marr kaq shumë armiq edhe nga grupe të tjera fetare, i rrit peshën. Në rastin më të keq është operacion i jashtëzakonshëm marketing politik, i marrëdhënieve ndërkombëtare, i turizmit etj,”-u shpreh Vangjeli.

Sipas analistit, në kuptimin jurudik ky plan është i pamundur për t’u realizar dhe pavarësisht kësaj, Rama po e përdor këtë strategji për krijimin e një shteti shumë utopik për sytë e ndërkombëtarëve.

“Kjo është një histori që shihet nga disa kënde dhe në varësi të këndit që e shikon të jep të vërteta të ndryshme. E para sa e mundur është të realizohet kjo gjë? Kushtetuta nuk lë absolutisht asnjë shtrat të tillë, qoftë nëse bëhet fjalë për disa hektarë apo më shumë. Kjo është një monedhë në valutë të huaj, që ka tjetër kurs këmbimi në tregun tonë të vogël. Kudo që të shkosh nëpër konfliktet nëpër botë ka material të këtij shtrati, mëllefi të mbajtur. Ajo çka Rama hedh është krijimi i një shteti utopik që thotë se mund të jetë edhe shumë ndryshe,” -tha Vangjeli.

Gayeta Sot