“Ky është sheshi i nderit, jo i turpit”, Lapaj: Kur qytetarët bëhen bashkë, fitojnë. Ja kërkesat tona për qeverinë

19 MARS 2022

Aktivisti Adriatik Lapaj duke folur në protestën kombëtare para Kryeministrisë ka renditur dhe kërkesat që kanë qytetarët për qeverinë, për të ndalur rritjen e çmimeve.

Ai i ka kërkuar bashkëprotestuesve “t’i mbajmë nën preson për të realizuar kërkesat tona dinjitoze”.

 “Kjo është një protestë për dinjitetin, për nënat e baballarët e këtij vendi për gjyshërit tanë, që fëmijët e këtij vendi të mos ikin më. Ky shesh këta qytetarë kanë arritur të bashkohemi përballë arrogancës duke ndalur rrijten e cmimit të naftës duke i detyruar ta ulin, duke i detyruar të kalojnë nga teoria ‘shteti nuk ka lidhje me teorinë ne po bëjmë sa mundemi ata munden më shumë se ato nuk janë lekët e tyre ato janë lekët tuaja. Ndaj kurajo duhet kurajo, secii nga ju duhet të ketë kurajo ne duhet t’ja ndalim ne i detyruam të ndalen të ulin cmimin të ngrenë borde e do i detyrojmë bashkë të na trajtojnë me dinjitet”, tha ai.

Mes kërkesave për qeverinë janë “ulja e qëndrueshme e e cmimit të karburantit në nivelet e rajonit, përafrimi i cmimeve me vendet fqinje, masa për uljen e barrës fiskale, marrjen e masave si pezullim i taksës së qarkullimit dhe të karbonit përkohësisht, zerim i përkohshëm i TVSH për produktet e shportes e ulja në masën 10% në vijim.

Kërkesat zyrtare të protestuesve:

A. Masa për uljen e barrës fiskale dhe përcaktimit të marzhit të fitimit për përballimin e krizës dhe garantimin e qëndrueshmërisë së çmimeve:

1. Marrje e masave në formë të alternuar si: pezullim i taksës së qarkullimit dhe i taksës së karbonit, me qëllim afrimin e çmimit të karburantit me vendet e rajonit.

2. Zerim i përkohshëm i TVSH-së produkteve të shportës (dhe ulja në masën 10% në vijim) dhe mbikëqyrje e periodike rigoroze e tregut për reflektimin përkatës në çmime.

3. Përcaktimi i përkohshëm i marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.

B. Masa për mirëfunksionim e tregut dhe në mbështetje të fondit për përballimin e krizës:

4. Pezullim i përkohshëm i a) Koncesionit të Markimit, b) Koncesionit të Skanimit dhe c) Koncesionit të Kontrollit të Pompave (bazuar në klauzolën “force major” në kontratën përkatëse dhe në mbrojtje të interesave publike), si dhe hetim e mbikëqyrje në vijimësi e operatoreve ekonomike te importit dhe tregtimit me shumice që ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimit të naftës, me qëllim pezullimin e përkohshëm apo anulimin e tyre në favor të interesit publik.

5. Mbikëqyrje dhe raportim periodik tremujor ne Kuvendin e Shqipërisë nga Autoriteti i Konkurrencës së të gjithë përqendrimeve në treg dhe transparencë e plotë e zinxhirit të vlerës për të gjithë operatorët ekonomike sektoriale që vitin e mëparshëm kanë zotëruar/zotërojnë mbi 25% të vlerës në sektorin përkatës, nga institucionet përgjegjëse.

6. Rishikim i buxhetit te shtetit për vitin 2022 për shkurtimin e shpenzimeve operative dhe të luksit të administratës shtetërore.

7. Krijim me prioritet në kohë i një kompanie publike që të konkurrojë në tregun privat të naftës dhe burime parësore të energjisë me perspektivë investimin në prodhim.

C. Masa mbështetëse dhe subvencionime:

Përcaktimi dhe publikimi i përvitshëm i minimumit jetik si baze për mbështetjen financiare të shtresave në nevojë, personave me aftësi të kufizuar dhe atyre që trajtohen me ndihmë ekonomike. Rekomandohet barazimi i pensioneve të pjesshme me minimumin jetik.

Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.

Përmbledhje në Pika:

Heqje e taksës së qarkullimit dhe pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.

Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë

Përcaktimi dhe ngrirja e përkohshme e marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.

Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.

Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës dhe përcaktim i minimumit jetik.

Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve”.

Gazeta Shqip