Lajmi i fundit: – Qeveria e Kosovës shtyn reciprocitetin deri më 1 shtator
31 Korrik 2022, ora 23.58.
Gazeta Bota Sot, Prishtine.
Përmes një komunikate për media qeveria u shpreh se në konsultim me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla të cilat kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë, kanë rënë në përfundim për shtyrjen e reciprocitetit.
Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin, thuhet ni komunikatë, përcjell “Bota sot”.
Komunikata e plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon bllokimin e rrugëve dhe të shtënat në veri të Kosovës
Prishtinë, 31 korrik 2022
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.
Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.