Lajmi i mirë, nuk është i sëmurë, lajmi i keq; nuk është normal. –

Mapo.al

Lajmi se Edi Rama nuk gëzon shëndet të mirë, po qarkullonte në media prej 3 ditësh. Gazeta Mapo, nuk raportoi dhe nuk shkroi asgjë rreth kësaj, për arsye etike, duke qënë se nuk ekzistonte një burim i besushëm dhe i identifikuar. Edhe pse, shëndeti i kryeministrit, i plotëson të gjitha kriteret për të qënë lajm dhe për të patur interes publik.

Sot, në këtë shtjellë 3 ditore është futur vetë protagonisti, kryeministri i vendit, i cili ka dashur të hedhë poshtë informacionet për probleme rreth tij.

Zor se dikush do të gëzohej me një përkeqësim shëndetësor të dikujt, apo me një kolaps, sic flitej. Kjo dhe në rastin e një kryeministri, që shtoi detyrës edhe trillet e veta personale, në jo pak raste merr antipatinë e njerëzve, dhe njerëzit e dëshpëruar që edhe mallkojnë nuk janë të pakët sot, kryesisht falë keqqeverisjes.

Mirëpo, fakti që kryeministri gëzon shëndet të plotë, është një gjë e mirë. Rama na gëzoi sot me reagimin e tij. Për fat të keq, pikërisht tek reagimi i tij, tek përmbajtja, tek fjalët e zgjedhura, fshihet lajmi i keq. Rama shpresojmë të mos jetë i sëmurë, sic thotë, po ama, ai normal nuk është.

Shihni çka shkruar sot:

“O boll o boll, boll se s’kam asgjë tjetër përveç larjes së jashtënxjerrjeve tuaja nēpër botë boll! Opozitë e katandisur në një tufë qorre që mësyn fizikisht rrugëve dhe bën politikë duke sajuar kriza për vendin e sëmundje për kundërshtarin! O pika që s’ju bie kur thonë plakat”.

Edhe pse prej mishi dhe gjaku, dhe mesdhetar madje, një kryeministri normal, nuk i lejohet të shpërthejë në këtë mënyrë. Kjo tregon anën e tij të rënduar emotive, dhe në rastin kur kjo mbërthen një njeri që ka vendime të rëndësishme në dorë, është problem i madh. Me të njëjtin irracionalitet, ai mund të urdhërojë policinë të rrisë dhunën, represionin, gazin lotsjellës. Mund të urdhërojë prokurorë e gjykatës. Me këtë emotivitet, cyt mediat pranë tij të qëllojnë batare ndaj kundërshtarëve. Me këtë mungesë kthjelltësie mund të vendosë të prishë shtëpi e t’i japë një firme fantazëm dhjetra milionë euro.

Pra kjo është shumë shqetësuese. Tregon gjendjen krejt larg normales të humorit dhe ratios së kryeministrit.

Të mos futemi pastaj në analizë semantike teksti, që një reagim kaq helmues nuk i shërben aspak askujt, përkundrazi. Ky lloj mesazhi, të kujton vjehrrën e zemëruar me nusen dhe anasjelltas, të ndërmend komshinjtë e acaruar në skaj që janë gati të përfyten me njëri-tjetrin, të sjell para sysh, një mëhallë të krimbur në tension e armiqësi të thellë.

Eshtë lajm i mirë që qytetari dhe kryeministri Rama gëzon shëndet të pacen e të plotë, po do të ishte po ashtu lajm i mire, nëse ai do të dëshmonte që përvecse jo i sëmurë, është edhe normal.