Lame: Nëse toka është shitur, nuk mund të refuzojmë pronësinë. –
Qeveria ka nisur procesin e kontrollit të 30 mijë parcelave në zonat bregdetare me rëndësi strategjike dhe duket se, pronësia do t’i hiqet pronarëve që e kanë marrë në mënyrë abuzive dhe nuk e kanë shitur pasurinë.
Kryetari i bordit të Hipotekës, Artan Lame, tha se për rastet ku toka është shitur, atëherë ligji mbron palën që e ka blerë dhe regjistruar pronën.
Ai tha se pasuria e cila ka hapur debat politik, është pjesë e verifikimit nga Task-Forca, që ndodhet në vijën e kontrollit të këtyre zonave. Janë 200 kilometra katrorë vijë bregdetare që do të futen në sitën e verifikimit.
Por, Lame tha se në disa raste zonat e abuzuara dallohen edhe me sy të lirë.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, ai ndau edhe disa të dhëna lidhur me tokën bujqësore të shitur te një investitor nga ana e deputetit socialist Alket Hyseni.
Që nga Velipoja e deri në Sarandë, shumë pasuri kombëtare kanë rënë pre e abuzimeve , dhe pjesa më e madhe prej tyre, sipas Lames, ose janë tokë jo bujqësore që i takojnë shtetit ose ish-pronarëve. Task-Forca është duke kontrolluar disa abuzime në Durrës dhe Sarandë, ndërsa në Vlorë janë 450 prona që nuk rezultojnë në hartë, por që nga viti 2008 kanë filluar të hidhen në sistem si regjistrime të veçanta.