Largimet (pushimet) nga puna: – Buxheti akumulon 33 mln euro detyrime nga vendimet e gjykatave
30 Shtator 2022
Në fund të muajit qershor 2022, Ministria e Financave përllogariti se, stoku i detyrimeve buxhetore që rrjedhin nga vendimet e gjykatave arriti në 4 miliardë lekë ose 33 milionë euro.
Këto detyrime i përkasin më së shumti punonjësve që janë shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga vendet e tyre të punës, por edhe gjyqet që janë fituara nga kompanitë, që kishin kontrata për pune dhe shërbime me qeverinë.
Në stokun total të detyrimeve të prapambetura buxhetore, zëri i vendimeve gjyqësore është më i lartë nga 10 zërat e tjerë që krijojnë faturat buxhetore të pashlyera në kohë.
Në fund të qershorit 2022 stoku i detyrimeve të prapambetura arriti në 15,4 miliardë lekë, ndërsa vendimet e gjyqësore zunë 26% të stokut.
Të dhëna më të detajuara nga Ministria e Financave tregojnë se 84% (3,4 mld lekë) e detyrimeve që burojnë nga vendimet e gjykatave i zotëron qeveria qendrore.
Ndërsa 16 % (645 milionë lekë) i takojnë pushtetit lokal. Shumica e këtyre detyrimeve janë krijuar nga ankesat në gjykatë të punonjësve të administratës të shkarkuar nga puna. Shumica e tyre kanë fituar të drejtat në gjykatë duke fituar dëmshpërblim dhe rikthimin në punë. Shkarkimet nga administrata janë bërë në shkelje të legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil dhe kodit të punës.
Pavarësisht se entet publike në vijimësi i kanë zbatuar vendimet e gjykatave duke shlyer sistematikisht shumat ndaj ish -punonjësve, por shkarkimet të herëpashershme kanë bërë që gjithnjë të ketë një stok detyrimesh që nuk arrin të shlyhet në kohë ndaj kësaj kategorie.
Stoku i borxheve të pashlyera u zgjerua në gjashtëmujor me 1,6 miliardë lekë (13.8 milionë euro) ose 12.5 për qind më shumë se ne janar të këtij viti. Në krahasim me qershorin e vitit 2021, stoku i detyrimeve është ulur me rreth 12 për qind.
Borxhet e pashlyera në kohë janë shndërruar në një zë të rregullt buxhetor edhe pse qeveria pas vitit 2014 i forcoi ligjet për të parandaluar krijimin e tyre.
Një audit i imtësishëm në 2014 zbuloi rreth 71 miliardë lekë detyrime të prapambetura, ku u përfshinë gjitha faturat, përfshi edhe faturat e pashlyera të energjisë të enteve publike ndaj OSHEE-së.
Për të shlyer këto detyrime qeveria rriti huamarrjen e jashtme. Por donatorët që dhanë huatë, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar imponuan forcimin e rregullave për administrimin buxhetor në mënyrë që të parandalohej krijimi i të rejave./ Monitor