Largimi i të rinjve nga Shqipëria pengon zhvillimin e turizmit në rritje
10 Shtator 2022
Njësitë e shërbimeve në disa zona turistike në Shqipëri po përballen me vështirësi për të gjetur punëtorë sezonalë si rezultat i nivelit të lartë të emigrimit të të rinjve. Qarku i Gjirokastrës mbetet nga zonat më të prekura nga mungesa e fuqise punëtore ndërsa turizmi është gjithnjë e në rritje.
Operatorët vendas thonë se veçanërisht profesionistët që kualifikohen largohen gjithnjë e më shumë jashtë vendit duke sjellë sfida të reja për sektorin turistik.
Vikjana Nakaj është udhërrëfyese për një grup turistësh që vizitojnë tunelin e Luftës së Ftohtë në Gjirokastër.Studente në ekonomi, Vikjana thotë se e nisi vullnetarisht këtë angazhim dhe tani ndihet mirë që është përfshirë nga Bashkia e Gjirokastrës në grupin e rreth 10 të rinjve që punojnë në mënyrë sezonale si udhërrëfyes turistik.
“Kam më shumë se 5 vjet që merrem me guidën turistike. Ka qenë një dëshirë e imja për t’i njohur turistët e huaj me qytetin tim, Gjirokastrën. E fillova si guidë vullnetare dhe më pas u pranova nga Bashkia në grupin e guidave sezonale të qytetit”.
Por ndërsa turizmi po rritet, sidomos në qendrën historike të Gjirokastrës, nevojat për shërbime turistike bëhen edhe më të mëdha.Shpëtim Hora, specialist pranë Qendrës së Formimit Profesioanl që mbulon disa kurse përfshirë udhërrëfyesit turistik, thotë se nga janari deri në korrik të këtij viti nga rreth 600 kursantë të regjistruar rreth 170 kanë qenë në fushën e turizmit.
“Pjesa e turizmit zë një nga pjesët më të madhe të kurseve tona. Disa nga kurset që zhvillojmë në fushën e turizmit janë udhërrëfimi turistik, kursi i guzhinës, shërbime në hoteleri- turizëm, shërbime në bujtina, bar restorant . Në total për periudhën nga janari në korrik kemi pasur 600 kursantë të regjistruar nga të cilët 170 të rinj kanë qenë në kurset për turizmin”.
Vetëm në kurset e udhërrëfyesve janë kualifikur 33 të rinj, thotë më tej zoti Hora . Por sipas tij largimi i të rinjve që kualifikohen jashtë vendit sjell probleme për sektorin turistik.
“Fatkeqësisht kjo është një dukuri që po ndodh në kohët e sotme sidomos në Qarkun e Gjirokastrës. Vjen pak nga papunësia, pak nga dëshira për të parë diçka të re, nga pagat e ulta e shumë faktorë të tjerë.”
Zoti Hora thotë se ata bashkëpunojnë me sipërmarrjet sidomos në aspektin e praktikave profesionale.
“Në përgjithësi të gjitha bizneset nuk po gjejnë forcë të kualifikuar jo e jo, por kanë problem të gjejnë forcë punëtore. Ne kemi bashkëpunime të mira me bizneset dhe zhvillojmë edhe praktikat profesionale pranë tyre. Dikush që bën kursin e guzhinës e zhvillon praktikën pranë restaranteve në Gjirokastër dhe përpiqemi në përgjithësi t`i nxisim të rinjtë të qëndrojnë këtu.”
Më të prekur nga nevojat për punonjës në shërbime turistike janë hotelet dhe restorantet. Hysen Kodra, sipërmarrës në dy hotele dhe një restorant thotë se sfida më e madhe po shfaqet me munegsën e punonjësve.
“Tani po kërkojmë thjesht punëtorë, thotë ai dhe po përpiqemi t`i aftësojmë, por edhe me ata ndodh që pasi mësojnë punën largohen jashtë . E kemi ndier mungesën e fuqisë punëtore që në fillim të sezonit që kërkonim e s`gjenim që nga kamarierët, guzhinierët, ndihmësit në proçese të ndryshme shërbimi.”
Zoti Kodra thotë se do të shohin si mundësi edhe punësimin e emigrantëve të huaj sidomos gjatë sezonit turistik, kur nevojat janë të mëdha. Në disa zona turistike në Shqipëri restoranet dhe hotelet po tërheqin fuqi punëtore nga jashtë për të përballuar nevojat.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2021 ishte rreth 9 mijë, duke shënuar një rritje me 18,9 %, krahasuar me vitin 2020.
Sipas INSTAT arsyeja për punësim ishte kryesorja e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri gjatë vitit të shkuar me rreth 47,7 % . Ndërkohë që Gjirokastra shënon një rritje të ndjshme të turistëve, këtë vit ajo po shfaq nevojën edhe të fuqisë punëtore sezonale.
Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë në Bashkinë Gjirokstër, Blerim Kore, thotë se mbi 220 sipërmarrje turistike kanë rritur ofertën për punë.
“Prej fillimit të vitit deri në fund të gushtit janë mbi 90 mijë turistë të huaj që kanë vizituar vlerat e trashëgimisë kulturore si në Gjirokastër edhe në rrethina. Kjo vizitueshmëri ka qenë e rëndësishme jo vetëm për gjallërimin e qytetit, por në veçanti për nxitjen e sektorit të turizmi dhe zhvillimit të sipërmarrjeve që sigurojnë hapjen e vendeve të reja të punës”.
Qarku i Gjrokastrës është më i prekuri në Shqipëri nga emigrimi sidomos i të rinjve.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në janar të këtij viti qarku që përfshin Gjirokastrën, Përmetin dhe Tepelenën shënonte 55 mijë banorë nga rreth 58 mijë që regjistronte në 2021.
Ndërsa në pesë vitet e fundit qarku ka humbur rreth 11 mijë banorë pjesa dërmuese e të cilëve janë të rinj. Ndryshe nga pesë vite më parë kur të rinjtë emigronin kryesisht në Greqinë fqinje dhe ktheheshin në Shqipëri edhe për punësim sezonal tani emigrimi i tyre është drejt vendeve të Europës Perëndimore dhe Veriore./VOA
Nga Gazeta Shqip