Lasgushi, për librin e Moikom Zeqos: “Pedagogu i Kopernikut”. –
Lasgushi, për librin e Moikomit “Pedagogu i Kopernikut”
Nga: Marie Lasgush Poradeci
Duke rrëmuar si zakonisht në bibliotekën e babait tim, gjeta një libër, që studiuesi dhe shkrimtari ynë Moikom Zeqo, ia kish dhuruar atij me mbishkrimin: “Lasgush Poradecit, lirikut të madh, me dashuri, Moikomi 20.II.1981 Durrës“.
Kjo, nuk ka ndonjë rëndësi sepse babait tim i janë dhuruar edhe libra të tjerë me poezi, me prozë e studime nga shkrimtarë të rinj e të vjetër që e kanë patur për zemër, por më ngacmuan shënimet që ai ka bërë në tre faqet e para të librit.
Si fillim, Lasgushi pasi ka lexuar librin lë përshtypjet për Moikomin:
„Moikomi është me ndjenja të brendshme, shumë fantast, dhe me shprehje të shkëlqyeshme artistike.
Pa këtë zotësi shprehjeje artistike (d.m.th.: poetike) s’ka shkrimtar, as poet. Lasgush“
Ky libër, me skica dhe tregime titullohej „Pedagogu i Kopernikut“.
Me një kujdes dhe dashuri të veçantë prej studiuesi babai im kish nxjerrë në faqe të parë shprehjet dhe figurat letrare që i kanë pëlqyer dhe e kanë tërhequr më shumë. Kështu p.sh.:
Fq 88-9. Bogdani qëllonte me shkronjat e gjuhës arbëre (lexo prapë fq 88-89 Shpella e Bogdanit).
- 53 : « si e nemitur » (verë re « si »-në)
- 83-3 : « 2 zjarre shkëndijonin)
- 93 : « Buzuku mori kopjet e librit t’i çojë në Arbërinë e pushtuar nga osmanët» (Duhet thënë nga turku meqë arbërit theshin turku jo osmanët»
Fq 92-93 «Buzukut iu duk sikur tërë konstelacionet lëviznin për të shtypur fjalët shqipe të librit të tij, si një shtypshkronjë fantastike… Sikur në tërë hapsirat e qiellit qenë përhapur gërmat për tingujt e pavdekshëm të gjuhës shqipe.
Ay e dinte se ky libër do të rronte e gjuha shqipe s’do të pengohej kurrë, aq sa mund të pengoheshin konstelacionet që përfaqësonin tingujt e përhershëm të gjuhës së heronjve, të mallit e të kulturës shqiptare : « n’së dashunës botës sanë ».
- 122 : « Ajo ishte shpata e një trimi të lirisë, ajo kurrë nuk do të ndryshkej as do të thyhej e shtrembërohej, po e drejtë, e mprehtë do të reflektonte në tehun e saj shkëlqimin e kohrave betejat e këngën e historisë ».
- 9126), 127-8 « Lulëkuqet shqiptare të kopshteve të Taxh Mahallit ruajtën në ngjyrën e tyre gjakun që rrodhi nga sytë e duart e usta Mehmetit, mjeshtrit të madh shqiptar »
« Vërtetë duart ia prenë, por ato duar ishin kudo ku bëheshin ndërtime në botë, në veprat e mëdha të arkitekturës botërore, që ishin bërë e që do të bëheshin, se ato ishin duart e një mjeshtri e arkitekti shqiptar të përmendur, që do të mbetej e do të kujtohej breza pas brezi në historinë e ndërtimeve të botës, si një krenari e madhështi e forcave të njeriut ».
E të tjera si këto që im atë i ka nxjerrë të shkruara me stilograf në faqet e para të librit.
Gjithkujt do t’i bënte përshtypje që ai ka qenë jo vetëm i kujdesshëm, i vëmendshëm por dhe me shumë respekt për njerëz të fushës së letërsisë e kulturës.
Do t’i bënte përshtypje skrupuloziteti i tij për të lexuar e ndjekur me kujdes gjithçka shkruhet e botohet si një kritik i vërtetë, dashamirës e i sinqertë.
Ai kurrë nuk ka bërë një lexim për lexim, për t’i thënë një fjali dhuruesit të librit e për t’i bërë qejfin : librin e lexova, ishte shumë i bukur… dhe kaq !
Jo ! Ai është një përsosmëri kritike dhe dashamirëse sa arrin të veçojë shprehje e fjalë aty ku autori arrin artin e vërtetë.
Kushdo që do të tërheqë librin e tij nga biblioteka personale e tij është e pamundur mos bien në sy shënimet që ai ka lënë tek faqet e para të librit.
Po t’i lexosh me kujdes këto shënime, po të shikosh rreshtat e nënvizuar gati në çdo skicë e tregim të librit do të kuptosh kritikën për librin dhe për vetë autorin.
Ai ka nënvizuar përdorimin e figurave letrare, detajin artistik, shprehjet artistike që të lënë mbresë dhe të papërdorura më parë, nxjerr fantazinë e autorit që skicat e tregimet e tij nga e kaluara e lashtë e popullit tonë i sjell sot kaq domethënëse, shprehëse e të magjishme.
Pra në këto shënime, Lasgushi përshkruan vlerat ideore e artistike të shkrimtarit, vlera që ai i ka patur shumë për zemër për këtë njeri të letrave.
Më duket sikur tregimi « Babai i krijesave prej mermeri » i Moikomit është shkruar enkas për babain tim.
Për këtë tregim ai ka shënuar : Fq 144 (9 rradhë simbolizonjëse shumë sugjestive). Këto rradhë janë :
– Baba, merri këto lule ; ti e di mirë se ç’janë ato.
Aroma e tyre të ringjall.
Të thashë se ti nuk vdes.
Ke të fala nga kështjella e moçme dhe nga Kalorësi prej Bronzi.
Ti ke bërë vepra po aq të shquara artistike.
Baba hapi sytë të shohësh : nëpër gërmat « Durrsaku » që ke skalitur anë e kënd, mbijnë lule me ngjyrë dielli.
Baba, ti s’vdes kurrë !
Nuk e teproj po të përsëris se kështu thonë edhe sot shkrimtarë, artistë e studiues për babain tim dhe kështu do të thonë për të gjithë ata që lenë një vepër pas e që u shërben brezave të kombit.
Unë e njoh Moikomin prej gati tridhjetvjetësh.
Ai hynte lirshëm në shtëpinë tonë dhe ishte ndër të paktit njerëz që na vizitonte.
Ai e donte shumë artin dhe babain tim e kështu kishte arritur të fitonte zemrën e tij.
Por Moikomi kishte në shtëpinë tonë dhe një „status“ tjetër që unë dua ta theksoj: Ai kish fituar edhe zemrën e mamasë time.
Ajo e donte shumë por më dukej se e mbante pak me hatër sepse ai i kujtonte Durrësin, vendin e saj të lindjes, për të cilin e merrte shumë malli.
Por kur bëhej fjalë për artin këto gjëra nuk kishin fare rëndësi.
Në gjykimin e tij ai nuk mbante njeri me „hatër“.
Ai ishte shumë i kujdesshëm për gjithçka që lexonte.
Me shënime të tilla janë të mbushura pothuajse të gjitha librat e bibliotekës së tij.
Këto shënime janë një pasuri dhe një mësim për t’i treguar brezave që vijnë se si duhet të jetë kritika letrare.