Lashtësia në lartësi, Kalaja e Gurit që simbolizon Prizrenin

 Nga Shafi Gashi

“Përpara meje është i shtrirë Prizreni, i zhytur në gjelbërim nga i cili dalin minaret e më shumë se njëzetë xhamive të cilat zbardhëllojnë e shkëlqejnë si shigjeta të gjata, të drejtuara kah qielli. Kaltëron kisha ortodokse, kuqërrohet nga tjegullat kisha katolike”.

Kështu ishte vështrimi i aktorit të famshëm, tani të ndjerë shqiptar, Bekim Fehmiu, nga maja e Kalasë së Prizrenit.

E vendosur me shikim mbi kryeqytetin historik të Kosovës, Kalaja e Prizrenit përmbush dëshirat e udhëtuesve për lartësi, pamje dhe studime arkeologjike.

Kjo, pasi të tejkalohet sfida e rrugës, rehatisë dhe mungesës së informacionit mbi këtë trashëgimi të mbrojtur kulturore.

Një histori e detajuar e kompleksit të objekteve në 525 metra lartësi mbidetare, mungon. Edhe në narrativin zyrtar për zonën në mbrojtje, thuhet se ka pak burime të shkruara për të.

Megjithatë, objekti përpos turistëve të përditshëm, është bërë shpesh edhe nikoqir i festivaleve të karakterit lokal dhe ndërkombëtar.

Investimet e pakta rreth zonës turistike kanë lënë probleme në rrugën deri atje dhe mësimin mbi historinë e kalasë që ‘ruan shpinën’ e Prizrenit të lashtë.

 


Si të shkosh deri atje?

Nëse rrugëtimi për ta vizituar Kalanë e Prizrenit nis nga qendra e këtij qyteti, atëherë gjëja e parë që duhet bërë është gjetja e një parkingu për veturë.

Të gjitha rrugët lart për kala mund të përshkohen vetëm në këmbë.

Njëra rrugë fillon nga Shatërvani (pikë identifikuese e qendrës së Prizrenit) dhe shkon deri në Kala. Ecja merr kohë rreth 15 minuta.

Rruga është e shtruar me kubëza, përderisa një pjesë e vogël është e pashtruar. Ecja është më sfiduese në kohë dimri për shkak të baltës dhe rrezikut nga rrëshqitja në shtigjet e pjerrëta.

Sfidë është edhe ecja gjatë natës për shkak të mungesës së ndriqimit publik.

Rruga tjetër më e gjatë shkon nga Parku i Marashit me ecje rreth 25 minuta. Rruga është e gjerë 1 metër, dhe është e shtruar me zhavorr.

Edhe në këtë rrugë mungon ndriqimi.

Komuna po planifikon që të ndërtojë një lloj teleferiku që do të dërgonte vizitorët deri në kala. Ky projekt megjithatë është zvarritur për shkak të anulimit të tenderit pas ndërrimit të pushteteve në këtë qytet.

Kryetari i tanishëm i komunës po kërkon që teleferiku që do të ndërtohet të mos shkel Ligjin për Trashëgimi Kulturore dhe të mos dëmtojë zonën e mbrojtur.

Deri më tani nuk ka pasur lëvizje drejt ndërtimit të këtij teleferiku.

Çfarë shihet në Kala?

Në pllakat informuese rrugës për në kala, dy prej të cilave janë të dëmtuara, tregohet rruga për atje dhe struktura e objekteve që e përbëjnë kalanë.

Përveç kësaj, në këtë zonë nuk ka ciceron apo ndonjë guidë tjetër informuese lidhur me objektin.

Sipas të dhënave zyrtare, gërmimet e para arkeologjike në këtë zonë u bënë në vitet e 60-ta. Pas kësaj, gjurmime të tjera u bënë edhe në vitet 2004, 2009 dhe 2011.

Kompleksi njihet si i ndarë në tre zona kryesore, Qyteti i Epërm, Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti Jugor.

Objektet kryesore dhe ato përreth thuhet se datojnë në periudha të ndryshme të historisë duke përfshirë antikitetin e vonë e deri te periudha e sundimit osman. Objekti ka shërbyer si kala deri në vitin 1912, ndërsa restaurimi i fundit për çështje të konservimit është bërë në vitet 2008-10.

Megjithë mungesën e investimit, zona është e pastër dhe mirëmbahet.

Ambientet e kalasë gjallërojnë më shumë në muajt e verës. Veçanërisht në kohën kur organizohet festivali disa-ditor ‘Doku-Fest’, ku improvizohet një kinema e hapur ku shfaqen filmat e festivalit.

Akomodimi dhe ushqimi

Sezona e turizmit në Prizren është vibrante. Në qytet ka shumë opsione të fjetjes, që nga hotelet më të shtrenjta e deri tek shtëpitë private që lëshohen me qira, sidomos gjatë ditëve të festivalit ‘Doku-Fest’.

Kalaja është në distancë ecjeje dhe si e tillë mund të vizitohet me akomodim në qytet.

Në afërsi të Kalasë është një Restorant – Caffe, i cili ka një meny me lloje të ndryshme të ushqimit.

Rrugës për atje janë edhe 3 pika me shitës ambulantë që gjatë verës  shesin pije dhe akullore.