?

Lec Shkreli: Më ka humbur gjysma e pikturave në institucionet e shtetit

Janë piktura të njohura të realizmit socialist. Të humburat shpesh bien në dorë të koleksionistëve. Sot janë shumë të kërkuara dhe të vlerësuara jashtë shtetit

Dhurata Hamzai

Një jetë në studio..! E studiot nuk janë kurrë aq komode sa për ta jetuar pjesën më të madhe të jetës pikërisht aty. Megjithatë, të tillë e ka zgjedhur ta bëjë jetën piktori Lec Shkreli, që bashkë me vitet mbi supe, për 50 vjet të tjera karrierë artistike, të vazhdojë ngjizjen e ngjyrave aty; mes telajove, pikturave, kutive me bojë e tufave me penelata. Dhe kur hyn në atë studio, s’ke si të dalësh shpejt.

Tablotë “të thonë” se duhet shumë kohë të qëndrosh përballë tyre, duke bërë një dialog të ngrohtë. Dhe nuk mund të ikësh nga ajo studio pa zbuluar gjëra të reja: siç është një pikturë e panjohur e gruas heroinë, Mine Peza, të cilën komisioni i censurës së kohës nuk ia lejoi Lec Shkrelit ta ekspozonte, derisa nën mbikëqyrje të tij skicoi atë variantin tjetër të njohur për të gjithë: Mine Peza në ballë të demonstratës. “Më thanë se heroina nuk duhej të ishte e vdekur”,-rrëfen qetësisht Lec Shkreli, dhe me sinqeritetin që e karakterizon thotë. “Unë bëja figurat e heronjve. Ishte lënë porosi që këto figura do t’i bëja unë.”

Piktori nuk ndihet aspak i kompleksikuar nga trajtimi ideologjik që i kërkohej për veprën, sepse duke e përmbushur me detaje artistike, ai e tejkalonte gjithmonë tematikën, dhe formën e shprehjes ai vet e quan si një akt formal. Lec Shkreli është ndër të paktët që mendojnë se tematika apo shtrëngesa ideologjike ndikojnë në cilësinë e artit.

Duke biseduar rreth imponimit të metodës së realizmit socialist në veprat e artit në Shqipërinë e diktaturës komuniste, më tej syri të sheh disa dosje të zverdhura, që ngjallin më tepër kuriozitet, pa e ditur ende se ç’do ta dalë prej tyre. Lec Shkreli çel kapakun e njërës prej dosjeve dhe nis të m’i tregoj me durim. Janë fotografi të pikturave, ku mësoj prej tij se gjysmat e tyre nuk i ka më, as nuk e di ku janë. Kujtohem se një pjesë e tyre ishin shumë të njohura për sytë e mi, sepse po më vinin si një kujtim nga fëmijëria, si ilustrime të librave që i mësoja në shkollë, madje disa i kujtoja që kanë qenë në pullat postare të kohës. Thesare të pikturës shqiptare ndër vite, të humbura ndërkohë.

Të vjedhura nga institucionet e shtetit në periudhën e postranzicionit komunist, ato janë kthyer në pronë private, për t’u blerë më pas nga koleksionistë të ndryshëm! Kur shoh dhimbjen e piktorit Lec Shkreli për humbjen e veprave dhe sjell ndërmend etjen e koleksionistëve për t’i zotëruar si antikuarë të rrallë, problemi bëhet më i mprehtë. “Më vjen keq që kanë humbur, edhe pse institucionet m’i kanë blerë në atë kohë, me një vlerë jo të madhe, por që më bënte të qetë se vepra do të qëndronte përherë atje. Ndërsa tani nuk e di ku janë”, psherëtin i mbushur brengash piktori për krijesat e veta. Bëhet fjalë për vepra që qëndronin në muret e institucioneve para viteve ‘90 dhe në kohën e tranzicionit ato janë vjedhur e shpërdorur edhe pse kanë qenë pjesë e inventarëve të institucione. Vepra e Lec Shkrelit, ashtu si ajo e Vangjush Mios, dhe e piktorëve të tjerë të shquar, që kanë krijuar edhe fondin e artë të Galerisë Kombëtare të Arteve, pavarësisht nga konteksti i kohës që krijuan, nuk e meritojnë këtë humbje.

Lec Shkreli është një nga piktorët që ka bërë histori në artin shqiptar. Vepra e tij shfaqet mes reflekseve dhe ngjyrave të spikatura, një pjesë të kërkuara  në natyrë dhe një pjesë brenda vetes në lojën e emocionit. Shkreli dallohet gjithashtu edhe për stilin e veçantë. Po si ka ardhur në dritë krijimtaria e tij dhe a e njohim sa duhet. Le të ndjekim intervistën që piktori Lec Shkreli ka dhënë për “Shqiptarja.com” gjatë një vizite që bëmë në studion e tij.

Intervista

Profesor Shkreli, karriera juaj është e gjatë dhe ju jeni një emër i veçantë në fushën e pikturës. Vërej në tablotë tuaja një këmbëngulje për ruajtjen e elementëve etnografikë, pse e bëni këtë?

-Më duket një zgjedhje me mend në këtë rast, sepse unë kam gjetur veten në elementë të traditës dhe i interpretoj ato në pikturë. Kjo ka rëndësi, sepse ka piktorë që s’e kanë gjetur vetveten ende. Të mbështetesh tek tradita është gjëja më e madhe dhe më kryesore, sepse mbetesh gjithmonë shqiptar. Kjo më bën të ndihem mirë, sepse shoh të rinjtë sot që përpiqen ta moderojnë artin e tyre, por ata edhe përpiqen t’i japin një shpjegim asaj që kanë bërë. Për mendimin tim, piktura nuk ka nevojë për shpjegim, në cilindo variant që të bëhet; arkaik, klasik apo modern. Unë nuk jam kundër artit të rinjve, por unë këmbëngul në bërjen e një pikturë që duhet të flas vetë, ka një përgjithësim, një shënim kuratorial ku duhet folur, por ekspozita, piktura dhe arti dueht të flasin vetë. Dhe kështu unë përpiqem që ta çojë pikturën në koncepte më moderne, por që të jem unë. Dhe unë pikturoj e zbuloj motive, peizazhe, ngjarje shqiptare në qytet dhe fshatra shqiptare. Nuk kam lënë vend pa skicuar që plotësojnë pikturën time.

Është qëllimi juaj ky, që ta përfshini të gjithë Shqipërinë në kuadrin e pikturës tuaj?

-Po. Unë kështu e ndjej. Pikturën edhe duhet ta kërkosh. Kudo që shkoj unë skicoj një motiv për pikturën time.

Sa vepra keni në fondin e Galerinë Kombëtare të Arteve deri më sot?

-Unë kam rreth 12 piktura në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, por ato janë tërhequr herët atje. Mendoj se vetë Galeria Kombëtare e Arteve duhet ta vijojë punën për mbledhjen e veprave të zgjedhura të artit shqiptar. Këtu ka edhe një problem, të tillë, siç erdhi puna me këtë drejtorin e ri që erdhi në krye të Galerisë Kombëtare të Arteve (e ka fjalën për Erzen Shkolollin). Të krijohet përshtypja se ky nuk e njeh fare historinë e artit shqiptar. Nuk ka prezantuar asnjë program, asnjë vizion për të parë se ç’bëhet sot me artin shqiptar, dhe ç’është bërë me parë, çfarë niveli kanë. Dhe duhet së pari ai të jetë me nivel të lartë që të bëjë këtë punë. Dhe duhet vënë gishti nga kjo drejtori e Galerisë Kombëtare që ky autor më duhet për ekspozitë, sepse ky prezanton një mënyrë apo një tjetër krijimtarie kombëtare, ky përfaqëson atë apo këtë fazë zhvillimi të artit. Ndryshe pse do ta quanin Galeria Kombëtare e Arteve. Është institucioni i vetëm që duhet të përgjigjet për ecurinë dhe zhvillimin e pandërprerë të artit shqiptar. Dhe duhet të mblidhet edhe një komision për të blerë një apo dy punë të artistëve. Interesi është i përbashkët, edhe për ne edhe për kulturën e vendit, ku ka një fond të caktuar, dhe historia ime apo e autorëve të tjerë vazhdon, zgjerohet. Në këtë pikëpamje këto funksione që ka pasur Galeria Kombëtare e Arteve nuk duhet t’i ndalojë.

Si e shpjegon këtë ndryshim të menjëhershëm nga aktivitet e shumta që bëheshin në drejtimin e ish drejtorit Artan Shabani tek “heshtja” e Erzen Shkolollit si drejtor aktual i Galerisë Kombëtare të Arteve?

-Po vërtetë ka një heshtje të menjëhershme të një drejtuesi që kur e mori detyrën. Nuk di sesi ta shpjegojë këtë heshtje, këtë mungesë komunikimi me artistët shqiptarë tek drejtori i ri. Ky drejtor nuk vihet re të bëj asnjë përpjekje për të krijuar marrëdhëniet me artin shqiptar. Artistët ndihen të shkëputur përfundimisht nga institucioni dhe nëse shkon atje nuk ke ç’ekspozitë të shohësh, sepse sallën e Realizmit Socialist të vetmet që gjenden aty e kemi parë 100 herë. Dhe koha kalon. Po shkon viti i dytë që ai është aty. Ne se dimë fare kush është ku drejtor, na ka prerë rrugën për në Galerinë Kombëtare. Ne nuk ballafaqohemi me të, nuk takohemi me të. Së pari, ai duhet të bëjë ekspozita, ku të thirren edhe krijuesit të takohen e të merrte edhe mendimi kritik për krijimtarinë, kjo lëvizje i shërben vetë personit si drejtues, që ai të dijë ku është, cilët janë artistët shqiptarë, ç’duhet të bëjë në lidhje me ta dhe arritjet e tyre. Pikëpyetje është kjo punë e këtij drejtuesi, pse ky qëndrim..?! Unë bëjë një krahasim me drejtorët e mëparshëm, por me të mirat e të këqijat e tyre kanë qenë më aktivë, e kanë vënë në eficensë Galerinë Kombëtare. Tani më nuk dihet se ç’bëhet aty.

Ju keni një karrierë gati 50-vjeçare. Si ka nisur rrugëtimi juaj në botën e artit?

-Unë kam pasur gjithmonë probleme për të hyrë në shkollë, sepse më bëhej një ngatërresë me një person që kishte emrin dhe moshën e tim ati, e që kishte dy fëmijë që në atë kohë e konsideronin me biografi të keqe, siç ishte regjimi i kohës. Kur unë fitova konkursin për pikturë nuk më thanë përgjigje. Kishin thënë, jo, jo ky nuk do të futet në Lice. Pra më duhej të insistoja duke kërkuar të drejtën time për në lice, sepse nuk e kuptoja si ishte puna. Vilson Kilica dhe Guri Madhi më kanë ndihmuar në sqarimin e këtyre situatave edhe duke shkuar më tej, kur unë futa në Akademinë e Arteve, sepse edhe atje nisën sërish ngatërresa të kësaj natyre. Madje Vilson Kilica më ndihmoj që të shkoja të takoja edhe Ministrin e Arsimit për ta zgjidhur këtë punën time. E kështu unë nisa rrugën e ëndrrave të mia.

Kini në tablotë tuaja personazhe të jetës që i keni admiruar?

Për sa iu përket personazheve, unë në kohën e komunizmit, kam qenë i porositur që të punoja me figurat e heronjve. Në atë kohë ashtu punohej me tematika, por interpretimi i figurave të heronjve m’u vu si detyrë mua. Kjo porosi më erdhi sepse udhëheqësve të kohës u kishte bërë përshtypje një pikturë e imja në ekspozitë. Isha 33 vjeç atëherë dhe brenda asaj kornize të kohës, por duke iu dhënë figurave konceptin dhe stilin tim artistik këto piktura janë vlerësuar, dhe shumica e tyre kanë qenë në tekste shkollash, në pulla të postës.

Si konceptohej në atë kohë, kishe pakënaqësi për komunizmin apo ndiheshe mirë?

Në atë kohë unë ndihesha më mirë, kishte shumë interes për artin dhe artisët. Artistë kishin një qendër, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku mblidheshin e diskutonin, u jepeshin studio. Fakt është se veprat nuk na janë paguar kushedi se çfarë, por arti zhvillohej dhe ai që ishte artist do të zhvillohej, pavarësisht tematikave të caktuara. Unë kam pasur profesor të talentuar, njohës të thellë të artit. Kam qenë nxënës i profesorëve Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Kristina Koljaka, Janaq Paço, që na jepte anatomi artistike. Dhe këta profesorë të shkollës së mesme kishin studiuar në perëndim.

Ju më thatë më lart, se keni bërë piktura të shumë heronjve të periudhës së diktaturës, që sot shihen nga disa me skepticizëm. Mos vallë ka ndikuar në humbjen e tyre nënvleftësimi që iu bë në një kohë tranzicioni këtyre veprave?

-Pikturat që kanë humbur kanë qenë të vlerësuar nga artistë dhe studiues të njohur të artit. Ky vlerësim ishte funksional në atë kohë. Një pjesë të madhe në bazë të këtij vlerësimi t’i shiste shteti në dikastere, në shkolla, në universitete. Pavarësisht se ishte vepra ime, me ato çmimet të atëhershme ato më paguheshin dhe unë nuk kisha si t’i kërkoja mbrapsht. Por mua më vjen shumë keq se gjysmat e veprave që më kanë marrë në këtë mënyrë, kanë humbur, dhe vepra të tilla fillojnë  e dalin në dritë nga disa koleksionistë që i blejnë si antikuarë. Kjo ndodh sepse tani kanë nisur t’i vlerësojnë edhe veprat e realizmit socialist, dhe tani di që i shesin dhe jashtë shtetit, sepse janë bërë të kërkuara. Unë nuk e di më ku i kam veprat e mia. Unë gjysmën e atyre veprave nuk i kam. Nuk i kam parë më. Ndërsa nga figurat e heronjve kam disa në studio. Ky është Oso Kuka, të cilën nuk ma pranuan në ekspozitë në atë kohë sepse është pak më e modernizuar. Kjo është heroina Mine Peza, personazh që e kam bërë dy variante. Varianti i parë që edhe vetë e pe, dhe që unë e pëlqeja shumë m’u refuzua, sepse më thanë që heroina nuk duhet të jetë e vdekur, pasi unë bëra momentin e vrasjes dhe e mendoja se është e rendë të vrasësh një grua. E bëra siç e ndjeja unë dhimbjen për vrasjen e një gruaje, e një nëne. Por nuk e pranuan. Më detyruan të punoj për variantin tjetër, të cilin e skicova dhe ua tregova derisa ma aprovuan. Dhe mbeti kjo pikturë me Mine Pezën, heroinën e luftës. Unë të dyja i kam punuar me përkushtim. Të dyja janë të vlerësuara si vepra artistike nga studiuesit, por varianti i parë i pikturës për Mine Pezën më pëlqen më shumë.

    

Gazeta Shqiptarja.com