Legalizimi i kanabisit mjekësor. – Bledi Çuçi mbledh drejtuesit e policisë: – Do shtojmë forcat që askush të mos abuzojë! – Zero tolerancë për kultivimin e paligjshëm
Legalizimi i kanabisit mjekësor. – Bledi Çuçi mbledh drejtuesit e policisë: – Do shtojmë forcat që askush të mos abuzojë! – Zero tolerancë për kultivimin e paligjshëm
22 Prill 2022
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Policisë në ambientet e drejtorisë së Policisë së Shtetit paraditen e sotme.
Në deklaratën për gazetarët në përfundim të mbledhjes, ministri foli për legalizimin e kanabisit mjekësor dhe masat që janë marrë për të ndalur abuzimet.
“Ka pasur dhe gjithmonë ka një tendencë për të konfunduar iniciativën e qeverisë edhe pas marrjes së përgjigjeve nga këshillimi kombëtar. Nuk kanë lidhje fare me njëra tjetrën. Si e përmenda sot kjo nuk ka asnjë lidhje. Ne do shtojmë forcat dhe kontrollin e territorit në mënyrë që të mos abuzojë askush qoftë i keqkuptuar qoftë duke e përdorur si mundësi për të krijuar terren për të rritur kultivimin. Kjo është shumë e qartë. Zero tolerancë për kultivimin e paligjshëm”, deklaroi ministri.
Ai theksoi se po mbyllen procedurat e fundit për rritjen e pagave të policëve ndërsa shtoi se në muajin tjetër do të finalizohet gjithçka. “Po mbyllen procedurat me aktet nënligjore. Kemi pasur një ngadalësim të këtij procesi për shkak të krizës që ndodhi. Në muajin tjetër do jenë ato që kemi premtuar dhe i kemi parashikuar në buxhetin e shtetit”, u shpreh ai.
Ndërkohë nga ana tjetër drejtori i policisë së shtetit Gledis Nano u pyet nga gazetarët për ndryshimet në kupolën drejtuese të uniformave blu. “Ndryshimet nuk bëhen me faza. Ndryshimet bëhen për të rritur performancën e policisë së shtetit. Sa herë do ketë nevojë policia e shtetit do ketë ndryshime me qëllimin e vetëm për të arritur ato objektiva që ne presim”, tha Nano në përgjigjen e tij.
Gazeta Panorama