Legjenda e tri Krishtlindjeve nën dhunë. –
Legjenda e tri Krishtlindjeve nën dhunë. –
Rrëfim nga Dr. Lazër Radi
Krishtlindjet janë festa e Gëzimit dhe Paqes…
Nji festë ku të gjithë duhet të ndjehemi ma të mirë, ma zemërgjanë, ma njerzorë… dhe na duhet me mendue se krej afër nesh asht vuejtja, mjerimi, dhuna, lufta, poshtërimi… Gëzimin e kësaj feste tashma të lashtë, po e përcjell me tri rrëfime të tim eti, nji dëshmi që edhe e Keqja ma e Fuqishme s’mundet me e thye besimin në Zot, s’mundet me e shkatrrue shpirtin e njeriut dhe magjinë e kësaj feste që jeton prej shekujsh brenda secilit prej nesh…
Lexim të mbarë, dhe Gëzuar Krishtlindjet gjithë miqve të mij kristianë…
Jozef Radi.
***
24 dhjetori i 1924-ës! Prizren
Dimën…
Dimën i ashpër nordik i Alpeve verilindore të tokës shqiptare. Qyteti i im, me mantelin e bardhë të borës ndër krahë, e sfidonte at bardhësi verbuese me dritën e zbehtë të hanës, pa i shpallë luftë, veç duke e pranue njeni-tjetrin në heshtje. N’at qytet gjithshka zhvillohej në heshtje… edhe krimi… edhe dashnia!
Ai kishte nji pamje të çuditshme!
Luftohej me hapë nji shteg kalimi n’at rrugë të verbër, por lëvizja e dyshimtë e bajonetave mbi çatitë e mbytuna prej borës kallzonte se pusia qe kurdisë për me u derdhë gjak i pafajshëm…
Ky ishte absurdi i asaj nate të shenjtë.
Si mund të mendohej për krim e për gjak në atë natë të paqme, kur krejt atmosferën e kish mbështjellë melodia ëngjullore që valë-valë dilte nga kisha majëkodre e shpërndahej gjithkah qytetit… Sa qartë, sa fuqishëm shpërthenin fjalët e melodisë: “Lavdi Zotit ndër qiej – paqe njerzve mbi tokë”.
Ishte nata e qiejve… nata e paqes për të gjithë.
Qe 24 dhjetori i 1924-ës!
Në zemër të Kosovës, Drenica qe kthye në nji skëterrë, në nji kasaphanë e vërtetë për pushtuesit. Kryengritja s’po ndalej. Hija e Azemit shfaqej kudo te “Hani i Mushkave”, te “Kroni i Hirushës”, te “Shtegu i Drenit”, po atje ku kallte ma shumë tmerr ishte te zemrat e shkjeve.
Eh, sa e vrazhdë qe ajo hije: kudo kah shkonte, edhe pse pa zhurmë e pa zà, ashtu në heshtje kallte tmerr! As ushtritë e armatosuna s’po mund t’i afroheshin asaj rrezeje ku sundonte fantazma, ku mbretëronte hija e vrazhdë e Azem Bejtes… Ajo krahinë, për kënaqësinë e të gjithëve ne, quhej “Shqipnia e Vogël…”
Mesnata ishte në grahmat e fundit.
Nën qiellin e zymtë, nji qetësi hyjnore rrinte pezull nën at bardhësi të paskaj natyre… Ndigjoheshin virtytshëm tingujt e kambanave që ftonin njerëzit me marrë pjesë në ardhjen e “Mesias” mbi tokë. Kambanat vazhdonin… dhe dukeshin si ndjellse kerubinësh që fluturonin mbi atë qiell të qeltë të qytetit të skajshëm. Njerëzit, i ngutnin hapat e kjo dallohej hijshëm në rrugët e Varoshit, nën Kala ku fenerat në lëvizje dukeshin si xixilloja të çuditshme që vërtiteshin si të çmenduna midis atij acari të dimri alpin.
Çdo çast bahej gjithnji e ma emocionues…
na dukej sikur i prekshim me dorë tingujt e kambanave, sikur e ambla e asaj nate të madhnishme futej në veshët dhe ndër zemrat tona. Nji kangë baritore e bardhë si ajo dëbora verbuese dilte nga gjokset e fëmijëve të korit të kishës. Ishte zani i shelbimit që kishte pushtue jo veç qiejt e tejdukshëm të asaj nate fatlume, po krejt shpirtnat e njerëzve qenë shkri me të.
Posa e kaluem Qafën e Pazarit, u gjendëm përballë fasatës madhështore të kishës së qytetit. Ishte e para herë që prindët e mi, më merrshin në meshën e mesnatës. Nji fantazmagori dritash e ngjyrash gjithallojesh m’i lëbyri sytë. Oh, sa iu gëzova asaj pamje magjepse. Më dukej sikur gjendesha diku jashtë bote, sikur po shetisja në nji vis përrallash. Kambanat s’pushonin… e ndër krahët e atyne tingujve lëshoheshin jonet e korit të fëmijëve që dilnin nga kisha dhe si nji avull i nxehtë futej drejt e në shpirtin tim. Aty në mes të saj qe ngritë nji Betlehem i mrekullueshëm.
Dy javë ma parë, motra Angjelina dhe murgeshat e tjera kishin punue duke derdhë aty krejt dashninë dhe artin e tyne. Ai Betlehem, për sytë e mi të pamësuem prej fëmije ishte me t’vërtetë diçka magjike, nji poezi që derdhesh e gjitha mbrenda meje…
Mbresat e asaj nate kambanash, kandilash e kangësh më krijuen në shpirt nji romantikë të tillë që më ka ndjekë në gjithë vitet e jetës sime…
24 dhjetor 1944 – Burgu e Ri – Tiranë!
Ishin ditë të vështira, të randa, të zeza…
Të rrethuem gjithkah me tela, me policë, me dhunë, me kërcënime dhe përndjekje… Tashma jo nga i huaji serbo-sllav, po nga i joti, vëlla i gjakut, por që dukej bash si pjellë e atij të huajit… lebrozë të indoktrinuem, internacionalistë, barinj që nuk u dukeshim as dele, e që meritonin at emnin fatal të Greqisë së Lashtë “a patris”, t’paatdhe…
Burgjet e Shqipnisë ishin përplot me njerëz që besonin me gjithë mend në hymnin e Perëndisë. Asaj nate ata e ndjenin të qarkullonte n’ajri kangë: “Lavdi Zotit ndër qiej, dhe paqe n’tokë për njerëzit vullnetmirë…”
E ndjenin në shpirt, i kapnin në fluturim ato jone të padukshme kange që lëvrinin ambël nëpër at qiell të mjegulluem me erë baroti dhe gjurma gjaku… Burgu zukiste si nji koshere bletësh. Kudo që ishte nji pëllambë toke e ngurtë qindronte nji qenie e gjallë, tashma e burgosun, e përdhosun, por që dikur kish qenë njeri, e çfarë njeriu…!
At mbasdreke të 24 dhjetorit… u hapën kangjellat e dyfishta të burgut dhe në korridor të frigorifertë u shfaq Dom Shtjefën Kurti, famullitari kosovar, tash guximtari i Tiranës. Si rrufe u përhap lajmi se Dom Shtjefni ishte mes nesh dhe se për t’parën herë në historinë e burgjeve shqiptare do të celebrohej Mesha e Krishtlindjeve…
Vrapuem të gjithë t’i shkojmë në ndihmë.
Diku në nji cep hapëm vend dhe sa hap e mbyll sytë e ngritëm Altarin… I zbehtë dhe tepër i emocionuem, duke marrë pjesë shpirtnisht në dhimbjet dhe në vuejtjet tona – ai celebroi para gjithë të burgosurve, pa dallim nëse ishin myslimanë a të krishterë…
Mesha e Krishtlindjeve at natë qe nji mrekulli e vërtetë shprese dhe besimi n’ato katakombe të tmerrit shqiptar…
Ma vonë, kur dhuna e kuqe do të lëshohesh si qen i tëbuem edhe mbi të, në nji qeli burgu, do të më rrëfente se mesha ma e bukur, ma solemnja dhe ma e paharrueshmja e jetës së tij, do të mbetesh ajo meshë aty në burgun e Tiranës, të cilën për nga emocionet, ai e krahasonte me meshën e parë që kishte thanë kur qe shugurue prift. Sa vetë në botë do të kishin dashtë që të kishin asistue në at meshë burgu ku elemente besimesh të ndryshme asistonin me të njejtin devocion, me atë devocion që ka veç shqiptari, për atë Zot… që na e ka dhanë jetën e të gjithëve…
Si mbaroi mesha, e përcollën Dom Shtjefnin, deri te porta e daljes. Korridori u zbraz mbasi sërish do kthehej në bujtinë. Aty pamë se dyshemeja ishte e lagun prej lotëve të mallëngjimit… Ai korridor i ftoftë qe kthye në nji Lëndinë Lotësh apo në nji Mur Vajtimi. Ishin lotët tonë, lotët e atyne njerzve të pafajshëm që s’po e kuptonin pse ishin krijue aq shumë burgje nëpër botë, apo thjesht për t’i mbajtur ndër pranga fajtorët e pafaj…
***
24 Dhjetor 1953: Aeroporti Rinasit, Ura e Hasan Beut.
Mesnata e Krishtlindjeve ma e bukura e botës. E denjë për një skenar të mrekullueshëm televiziv. Në kampin e punës të gjitha ditët ishin të njisojta: të randomta e të rraskapitshme. Nuk njihhesh as mot me shi e as me diell, as baltë e as tokë të thatë, as diell përvëlues e as borën dy pëllëmbë trashësi. Punë, vetëm punë, punë pa orar, punë kafshnore nën at qiell të hapët dhe nën mëshirën e Zotit.
Aeroporti ushtarak kërkohej me urgjencë. Përshpejtimi i punimeve bahej me kamxhik o me hunj gardhi që edhe ata soseshin duke u thye mbas shpinave tonë… Dikur, kur ora as dita s’kishte ma asnji lloj kuptimi, fishkëlleu bilbili i grumbullimit dhe u dha urdhni për kthim. Formuem rreshtat dhe u vumë për rrugë. N’at mori njerzish të rraskapitun e të leckosun, që dukej sikur s’kish të sosun, i krijue nji treshe – Patër Meshkalla, Anton Kozmaçi dhe unë. Gjatë gjithë ditës kishte ra shi dhe e kishte përbaltë rrugën… qe krijue një llucë ngjitëse që na e vështirsonte së tepërmi ecjen. Nga ajo mori kambësh që hiqeshin zhag, balta qe ntrashë dhe na i kapte “tullumbat” e na i shkulte nga kambët. I hoqëm dhe i morëm në dorë duke hecë zbathë në at ditë të akullt dimni.
Dikur mbrritëm në kamp. Nuk ishim ma as njerëz e as kafshë: ishim reduktue në ca fantazma, në ca krijesa zvarranike që s’dihej prej ç’epoke gjeologjike vinim. E shifnim veten veç te të tjerët dhe rrënqetheshim. Isha i bindun se as nana që na e kish bà kokën, s’do të na njihte n’at katandisje të mjerueme ku na kishin hedhë…
E në gjithë at mizerje e zymti që na rrethonte, at natë vendosëm me e festue at “ditë të bekueme!”. U lamë, njashtu keq e keq, dhe nisëm me sajue diçka me hangër. Ai sajim, na shërbente për me kalue kohën, derisa t’afronte mesnata. Kishim ndezë tri zjarre të fuqishme: në njenin zienim groshën, në tjetrin orizin dhe në të tretin hallvën. E ftuem edhe Patër Mëshkallën, n’at festë të mjerimit njerzor, por ai s’pranoi asgja, pse do të “kungohej” mbas nji ore n’at meshë… Aty pranë, farfurinte pema e Krishtlindjeve, nji degë selvije e sajueme dhe zbukurueme me shporta e figura të bame me letra punëdore, me ndonji portokall o mollë ndër sqetullore degësh.
Afër mesnate u ngritëm e sistemuam elterin në krye të kapanonit. Mbi tavolinë të mbulueme me nji çarçaf të bardhë si bora, vendosëm dy shandanat me qirinj, pemën, ungjillin, kupat e mbulueme dhe pemën e zbukurueme.
Kur u lajmërue mesnata, Patër Mëshkalla, edhe njashtu i pakët nga trupi, at natë kishte pamjen e nji gjigandi. Krejt kapanoni i burgut ishte në kambë. Pa dallim feje e krahine, ishin aty në Meshën e Krishtlindjeve në Ferr.
E ndërsa thuhej mesha, u ndezën plot qirinj që njerëzit i mbanin ndër duer. Mund t’ishin tridhjetë, pesdhjetë ndoshta edhe njëqind – di që krejt kapanoni mori nji ndriçim parajse. Ajo stallë mundimesh u ba si kishë, ndoshta katedralja ma madhështore e botës… sepse aty ishin shpirtnat tanë.
U ba nji natë e mrekullueshme, dhe pse jetonim në skëterrën e dhunës. Disa nga pjesëmarrësit, (ata të kulturës gjermane) e dinin kangën e famshme të Krishtlindjeve “Shtilen Naht-in” dhe nën zà ia nisën ta këndojnë… Pak nga pak tonet e kangës erdhën duke u rritë. Befas u improvizue nji kor i madh, që mos t’ia kishe lakmi as Verdit te Nabuko… E gjithë mesha u përcoll nën melodinë e asaj kange të paharrueshme që i dha solemnitet atij çasti të madhërishëm, duke na ngjallë shpresa të pakufishme, se nji ditë… do të zbriste edhe për ne “paqja midis njerëzve me vullnet të mirë!”