Lëndë të rrezikshme në akullore dhe çokollata! – AKU kërkon asgjësimin e 36 tonë akullore “Bounty”, “Snickers” dhe “Twix”
Lëndë të rrezikshme në akullore dhe çokollata! – AKU kërkon asgjësimin e 36 tonë akullore “Bounty”, “Snickers” dhe “Twix”
13 GUSHT 2021
Në çokollatat dhe akulloret e kompanisë “Mars” është konstatuar oksid etileni, një substancë shumë e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.
Nga kjo e premte nuk do t`i shihni më në treg, por nëse në markete ka ende të tilla mos i blini. Çokollatat mars, baundi, snikers dhe twix rezultojnë me përmbajtje kancerogjene.
Alarmi është dhënë nga Bashkimi Evropian për këto produkte si dhe për akulloret e kompanisë “Mars”.
Pas sinjalizimit nga BE dhe aksioneve në disa shtete edhe në Shqipëri ka nisur asgjësimi i tyre nga marketet e vendit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se ka sekuestruar 36 ton çokollata dhe akullore të kësaj kompanie.
Sipas AKU, këto prodhime kanë hyrë në Shqipëri në periudhën mars-maj 2021, para se BE të jepte alarmin.
Mediet e huaja thonë se në çokollatat dhe akulloret e kompanisë “Mars” është konstatuar oksid etileni, një substancë shumë e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.
Më 13 korrik, shtetet anëtare të BE ranë dakord që të gjitha ushqimet e kontaminuara me këtë substancë duhet të tërhiqen nga tregu.
Fillimisht kompania Mars deklaroi se produktet e saj nuk ishin të dëmshme por së fundmi pas publikimit të disa hulumtimeve nga mediet ajo ka nisur mbledhjen e mallrave në disa shtete të Evropës.
Por rreziku nga prodhimet e “Mars” është vetëm maja e ajsbergut pasi rezulton se oksidi e etilenit përdoret edhe në shumë produkte të tjera që gjenden gjerësisht në treg si akullore, reçel e produkte të pjekura.
Gazeta Shqip