Leonard Voci i artit abstrakt

Nga Albert Vataj

8 Shtator 2022

Jeta e shumë artistëve është aq e stuhishme sa mund të krahasohet me ngjarjet galaktike, si e tillë shpesh ato reflektojnë po kaq poterisës edhe në shprehinë krijuese, në atë që është udhëpërshkim i komunikimit dhe marrëdhënies që fuqia shpirtërore kërkon të vendosi me njerëzit, ata të cilët kanë nevojë për rrezet e këtij dielli, si për vetë kuptimin e themeltë të dritës në jetën e tyre. Ata që kanë mirësinë të bëhen mëkuesit e dritës së syve, me të cilët ne shohim dhe kuptojmë realitetin, të tashmen e përpjekjeve ngadhënjimtare të sfidës dhe mbijetesës, të çliruar nga vargonjtë e ëndërrimeve, janë ata që tentojnë të ndikojnë në mënyrën se si ne perceptojmë shpirtërisht botën. Një ndër ata që kanë këtë mision, që mbajnë mbi shpinë dhe shpirt barrën e rëndë të tragjizmit, është, piktori abstrakt, Leonardo Voci. Ka rrugëtuar ky eter i shpirtshëm krijimi nga Malsia, tharmi i thëllimtë i bjeshkëve që dehin e dashurohesh me hirin e tyre të hyjtë, për të kapluar me zemër e me krijim kretkah e çuan krahët e lirisë së fituar me sakrifica.

Filozofi e artit të Leonardo Vocit

“Vetëm një artist mund të interpretojë kuptimin e jetës.” shprehet Novalis, dhe Leonardo përmes; abstraktes në pikturë, tonaliteteve të ngjyrës, shpërfillje e qëllimtë e një trajte racionale, lojës së shkujdesur të formës, ai rreket të përcaktojë panoramën e përditshmërisë të bashkëkombasve të tij. Sepse është detyrë e një artisti të pasqyrojë kohën në të cilën jetojmë.

Asaj kohe, tashmëria e së cilës është çdoditshmëria që ne jetojmë dhe… fuqia shpirtërore që artisti i kundërvë duke e denoncuar. Dhe Leonardo e bën këtë në një mënyrë origjinale, vështirësisht e kapshme nga e atypëratyshmja e një vëmëndjeje të korruptuar nga arti i fasadës. Ai zgjedh një gjuhë unike koloristike, me të cilën na pëshpërit. Kjo sa e largon aq edhe e afron me njerëzit, shumica prej të cilëve gjenden para një tabloje të Leonardo Vocit, si përpara një enigme. Një pamje e trisht, e cila edhe pse shpesh merr një lloj ngjyrimi të hareshëm, ai sërish është i dhimbshëm në mëtim dhe i çakërqejfur në formë. Njeriu i zakonshëm shpesh nuk arrin ta perceptojë saktë realitetin, shpesh për shkak të intensitetit të përditshmërisë dhe një hutimi total, pas gjërave përgjithësisht boshe. Kësisoj Leonardo tenton ta mbushë qëllimin e kuptimësisë së jetës së kësaj krijese, e cila është e dhunuar nga fati dhe nga shteti. Ai nuk mund ta shohë veten në çfarë gjendjeje shpirtërore dhe emocionale është katandisur dhe piktori tundohet ta vërë atë përballë vetvetes, përmes artit. Ai e bën këtë në një përpjekje të dëshpëruar, për të ndaluar degradimin asgjësues të tij, por duket se e ka të pamundur, sepse arti i tij shkon përtej aftësisë që kanë shumica për të perceptuar shprehinë estetike dhe për të gjetur veten në këtë katrahurë.

Vështrimi krijues i Leonardos nuk ka frikë të shohë dhe të flasë, për realitetin tonë të trazuar, s’druhet t’i tregojë gjithsekujt, përmes intensitetit të ngjyrës dhe dramacitetit të formës, se cilës së sotme i përkasim dhe çfarë të nesërme meritojmë.

Pamundësia jonë për ta rrokur tanësinë e përcëptimit shprehës të kësaj stuhie, me të cilën na vë përballë arti i Leonardo Vocit, është mënyra se si në i dredhojmë sfidës së të vërtetës së çdoditshmërisë që është ëndrra dhe realja që përbën lëndën tonë në pështjellimin e këtij çasti galaktik, me të cilën artisti krijon pasqyrimin e shpirtit tonë në të.

Megjithatë Leonardo vazhdon të pikturorë, të luaj me ngjyrat dhe trajtimin estetik në seri. Ai është i bindur se herëdokurë arti i tij do të guxojë tu tregojë njerëzve se është ai dhe vetëm ai që arrin t’i japë një deshifrim përditshmërisë së një jete të pështjellimtë dhe pamundësinë e papajtueshme në një pafundësi rendjeje.

Cili është Leonardo Voci

Një ndër kodet më të sakta të zbërthimit të rebusit të veprës së një artisti është rrugëtimi në Golgotën e tij, një udhë që nis atje tej në vendlindje për të kapluar një vërshim. Edhe për Don Leonardon, siç ai ka pagëzuar Leonardo Vocin artist, nuk bëhet përjashtim. Leonardo u lind në Bajzë të Kastratit, Malsi e Madhe më 22 dhjetor të vitit 1968. Ka mbaruar studimet e larta në vitin 1991, për të vijuar praktikën e përvetësimit të dijeve akademike, në studion e Mjeshtrit Piktor dhe Restaurator, Lin Delia në Antrodocco, Rieti ne Itali më 1992. Më pas ai do ta gjente veten në Studion e mjeshtrit, Gjelosh Gjokaj, në Augsburg të Gjermanisë me 1993. Spikat talenti i malsorit rebel. Pikaset nga mjeshtrat shpirti i stuhishëm dhe antikonformizmi, tendenca për të bojkotuar stile dhe rregulla strikte akademike, një lloj kryengritjeje e një zelli për të vendosur veten në një realitet krijues estetik të çliruar nga çdo robërim normash dhe kanunesh. Për të e shtrenjtë është piktura, e shenjtë është liria, sepse vetëm nëpërmjet saj ai do të mund të largohet nga balta e bregut e të vërsulet thellësive në kërkim të margaritarëve.

Ngjizja dhe mëkimi i një arti të fuqishëm

Leonardo Voci, ishte prej atyre që me një të shkuar të vështirë, të tashmen do ta kishte jo më pak hekakeqe, pavarësisht forcës për të sfiduar dhe guximit për t’u ndeshur në çdo betejë dhe për të fituar me thonj e me dhëmbë çdo ndalim.

“Ajo që nuk na vret na bën më të fortë” mëton Friedrich Nietzsche dhe Leonardo e ka injektuar në vena, në limfë, në gjëmim këtë frazë monumentale, duke e shndërruar këtë ushtë rrufeje në një skeptër të pushtetit të tij. Gjithmonë ka zgjedhur të luftojë para se t’ia mbathë, sepse ai është malsor, është tharmi i një oshtime, është energjia e shndërrimeve.

Gjithëpoaq ai pajtohet me fatin e gladiatorit, për të dëshmuar se sa peshë mban një shpirt artisti, si ai i Sizifit për ta ngjitur në majë shkëmbin që rritet në tatpjetën që thepiset, pa ndaluar, pa u sprapsur për të mos injoruar çfarë perifrazon Friedrich Nietzsche: “Kushdo që lufton përbindëshat, duhet të kujdeset që në këtë proces të mos bëhet përbindësh. Dhe nëse shikoni mjaft gjatë në një humnerë, humnera do të shikojë përsëri në ju”. Ai ka ruajtur njeriun të paprekur përkundër kësaj përplasjeje, pas të cilave ai kërkon krijim në çdo shpërbërje, shndërrim në çdo ngulm.

***

Duke ju rikthyer panoramës së formësimit të këtij identiteti vullukanik arti, mëtojmë se ai në dhjetor 1996 – qershor 1997, certifikohet nga Akademia Private e Artit pranë prof. Andre Potapov dhe prof. Vladimir Sofranov. Në dhjetor të vitit 1994 hap atelienë e tij “Leonardo” në Augsburg, më pas në vitin 1999, në Heilbronn të Gjermanisë. Taleni i shqiptarit nga Malsia merr vëmendje ndërkombëtare, shprehen kritikë arti, shkruajnë gazeta dhe jepen kronika televizive. Më 1996, fiton titullin “German Artist” dhe kritika gjermane e quan “Piktor Ekstravagant” dhe “ Princ i ngjyrave”.

Do të jetë viti 2003 kur ai do të kthehej në Tiranë me një seri ekspozitash kombëtare dhe ndërkombëtare.

Por ai nuk pajtohet asnjëherë me rutinën, me cektësinë e gjërave, me shtirjen dhe hipokrizinë, cilësi që gjenerojnë në një ambient që i druhet novitetit, ekstravagancës, një mënyrë të tjetërllojtë të trajtimit të realitetit dhe gjendjes shpirtërore ku ajo përthyhet për të marrë formë në një “çmenduri” arti, sendërtuar në një kaos ngjyrash dhe formash.

Vitet 2008 – 2010 e gjejnë Leonardo Vocin me shpirt krijues, kavalet e ambicie, në Athinën e mitologjive klasike, Parthenonit e perëndive dhe epikën arvanitase të ngadhënjimit për qenësi dhe identitet. Shtator i 2010-2013 ai kthehet në Tiranë, për të hapur Galerinë e tij Arte Moderne, në Hotel Sheraton Tirana. Gusht 2013 – Maj 2014, ai do të japë përvojën e tij artistike si art-menazher e kurator në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës ” Arbnori”, Tiranë. Për të vijuar me kalendarin e odiseadave të tij me majin e vitit 2014, si specialist art-menazher në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit. Në prill të 2014-ës hap atelienë e tij “Arte Moderne”. Për të marrë më pas përgjegjësinë si artist profesionist në të drejtuesit të Sindikatës së Pavaruar të Piktorëve dhe Skulptorëve të Shqipërisë.

***

Por nuk është e gjithë kjo, ajo që përbën veprimtarinë përfshirëse në kompozimin e vetvetes si vepër konceptuale, ai do të hedh vështrimin edhe në horizontin e letrave. Në të ka shpirtje edhe pena dhe parmenda e lëvdrimit të një lëmi që e pasuron bujarinë, me të cilën ai i qaset botës. Me bashkëshorten e tij, Floriana Odhise Paskali, boton kolanën e plotë të skulptorit të madh Odhise Paskali. Sjellin tre volume, “Për Paskalin, nga Paskali”, Shtëpia Botuese, Ilar. 2005, për të vijuar me “Shpirti im i ripërtërirë”, esse, “Argeta” 2009; “Best of Paskali”, Katalog Skulpture, nga “Toena”, 2010. Boton gjithashtu librin me studime për skulpturën “Odhise Paskali, themelues i skulpturës shqiptare”, nga “Kristal”, 2012. Në maj të vitit 2013, promovon në MTKRS, librin e tij “Traktati i Artistit”, esse mbi artin; më 2015, boton poemën lirike, “Shqipëria në sytë e një fëmije ëndrrimtar”. Për të shpërthyer fuqishëm me trilogjinë e tragjedive, “Leoluka, gjueti e vonuar”, “I çmenduri i Surrelit, Ramus-Ratus”, “Odranoel, vendimi u mor”.

Ballafaqimi artistik në botën madhe

Piktura e malcorit nga Bajza e Kastratrit, Malsi e Madhe, Leonardo Voci, do të jetë porta e madhe nga do të guxojë të hyjë fëmija i një fati tragjik, djali i një jete të stuhishëm, artisti i një shpirti krijues galaktik.  E ku më fuqishëm se sa në Gjermaninë e kolosëve të pikturës dhe muzikës, mendimit iluminist dhe revolucioneve religjioze e fetare, do të udhëniste ballafaqimin me botën e artdashësve, Leonardo. Është ky start me ekspozita në grup, Coburg (150 vjetori i Revolutionit gjerman), Gjermani, 1996. Për të vijuar, Hollfield (Frankische Schëeiz), Gjermani. 1997. Pjesëmerr gjithashtu në Konkursin Ndërkomtar për Lojrat Olimpike, Saporo, Japoni, 1996.

Harta e madhe e botës është e vogël para mësymjes së Leonardos. Arti i tij troket fuqishëm në portat e rënda të sfidës së përballjes, duke lundrua ky Odise në kërkim të Itakës, deteve të tallazuar nga Londra, Angli (1997) në Japoni (1997), Paris, Francë (1998), Konstanz, Stammberger See, (1998) dhe Schëabmunchen, Augsburg (1999), e Heilbroon (2000) Gjermani. Për të ardhur te “Marubi” (2003), Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë dhe për të ikur sërish, në Bullgari (2004), Milano, Itali (2005); Pire, Greqi (Dhjetor 2009). Dhe rivjen në Tiranë në qershor 2003 në Muzeun Historik Kombëtar, për të synuar më pas Athinën (Qershor 2015). Rend ky marinar i sprovuar, detrave të sfidave artistike me “Open Air” dhe nuk ndalon, me ekspozita të përbashkëta dhe personale, i tregon botës se ne shqiptarët nuk jemi tribu por një komb nga më të lashtit dhe më të civilizuarit, një identitet kombëtar me një kulturë dhe shpirt të pasur, histori dhe legjenda, kode zakonore dhe ligjësi drejtësia të mëkuara në të vërtetën sublime të besimit. Leonardo përdor penelin dhe penën, përdor vitalitetin e një qenësie të pastër antropologjike, tiparet dhe karakteristikat që e lartësojnë duke ju bërë një aureolë drite të shënjtëruar në përpjekje të ngulura thellë në vetëdijen e një identiteti që sfidon.

Sfidat personale

“Ka çaste që nuk mund të maten me orë, por me rrahje zemre” thotë David Grosiman dhe e tillë ka qenë matshmëria e udhës së përfaqësimit dhe ballafaqimit artistik të Leonardo Vocit në botën e përbinshme të ndeshjes mes titanët e artit modern. Galeritë e artit, ekspozitat, evenimentet artistike, janë në vetvete një hap i guximshëm që krijuesi bën për të çuar mesazhin e shenjtë të zemrës në altarin e sakrificës që ai i bën perëndisë së shpirtit, asaj forcë sovrane që i shndërron energjitë krijuese në mision civilizimi. Leonardo Voci, ka patur fatin dhe përgjegjësinë të shpjerë këtë thesar të kulturës së kombit të tij, atje ku zëri dhe vepra të sfidojnë konkurrues. Nis kjo betejë për të riun nga Malsia, për artistin shqiptar nga Florida, USA (1996), Augsburg, (1994) (1997)(1998), për të vijuar në Heilbroon, (1999), Schëabisch Hall, Gjermani (2002). Për të dalë para bashkëkombësve në Tiranë më 2003, 2004, 2012, 2014, 2016, 2017, Sarande,2003; Durrës, 2005, 2014; Shkodër 2005, Korçë, qershor, 2006; Fier, 2010. Dhe piktura e Leonardos do të kapërcejë Atlantikun, për të kërkuar vëmendjen e kryqendrës së kryqëzimit të kulturave, Amerikës, amerikanëve në Nju Xhersi, më 2005, 2006 dhe nëndor 2012. Në hartën e tij do të ishte edhe Praga, Çeki, në kohëmatësin, shkurt dhe shtator 2006. Është Athina, e fundvitit 2009, vendi i emigrantëve dhe fateve tona të trishta, të atyre që ngadhënjejnë mbi vështirë të mbijetesës, që pret artistin shqiptar. E radhës është Ljubjana, Slloveni 2012, dhe vjen Korfuzi me ekspozitën “Mitet Greke, në kolor të kuq”, dhjetor 2012; Piazza San Toma, “Maskat Veneciane”, shkurt 2015… Dhe nuk ndalon ky uragan i pandalshëm, për të zënë një vend triumfal në muzeun e parë privat në Shqipëri, “MEZURAJ”, i cili posedon në pronësinë e tij, 911 piktura, koleksion ky, më i madhi në Shqipëri, nga një artist shqiptar.

Epilog

Ky është Leonardo Voci, “Don Leonardo”, ai malsori tipik dhe artisti atipik, që i janë ngjeshur me fuqinë e një meteori truallit të rrëmetshëm të Tiranës metropolitane, kryeqytetit të gjithfarshëm, fytyrave dhe shijeve, qytetit ku ndodh gjithçmos i jetës sociale, politike e budallallepsjes kolektive. Ai është aty, në një kthinë të Rrugës së Durrësit, i strukur si një vullkan që është gati të shpërthejë. Është aty mes qindra pikturave e kutive me bojë, penelave të llojngjyrshëm dhe kavaletit. Është aty ku mërzinë e zgjon dhe e mbyt me një gotë verë. Aty ku pret dhe përcjell miq e artistë, aty ku flet e përmjerr për një botë që është ndryshe, edhe pse ai e do diçka krejt tjetër, do një afri njerëzish që janë të vërtetë dhe pa maska, njerëzish që pijnë dhe dehen, që dashurojnë dhe luftojnë, për të përmbushur ëndrrat e tyre, duke mos nguruar të sakrifikojnë edhe jetën për atë që besojnë. Leonardo Voci është i strukur aty në studion e tij të vogël dhe në një botë të madhe krijuese, me një univers sprovash dhe përvojash, krrysur në gabimet, për të cilat kurrë nuk u pendua dhe kapardisur në fajet që e mësuan të ishte njeri i vërtetë, i lirë. Ai është aty, është këtu, është ai, për të treguar me penel dhe penë, se erdhi nga një fëmijëri fatkeqe, nga një rini e stuhishme dhe sot dëshmon se me pikturë, krijimtari letrare dhe vërë të mirë, mund të jetohet i lumtur në një të tashme tragjike, artistikisht bukur dhe estetikisht shenjtëruar.

Për “Zani i Malsisë”

Albert Vataj