​Mbi Akademinë, mbi deficitin e vlerave dhe burrërinë e humbur, mbi konfuzionin e përgjithshëm dhe mbi dilemat rreth të ardhmes politike të Kosovës, mbi ndarjen e Kosovës dhe bashkimin kombëtar, mbi historinë dhe identitetin, mbi lirinë e pajetuar dhe Serbinë që i shpëton me fytyrë politikanët tanë, mbi Lindjen dhe Perëndimin dhe mbi kthimin në skenë të atyre që na e bënë Kosovën në vitin 1999, dhe mbi një fillim të ri, që mbase duhet të ndodhë…

1.

Të jem i sinqertë, këto ditë kam dashur të shkruaj për Akademinë, që t’i trazoj ose t’i qetësoj shpirtrat, pale, si t’i vinte puna. Por, pse të hedh edhe një grusht baltë dhe më shumë qymyr mbi fytyrën tashmë krejt të nxirë të bëmave tona, kur Akademia nuk mund të jetë ndryshe nga ç’është krejt Kosova, nga ç’janë të gjitha institucionet e saj. Pse t’i zhgënjej njerëzit edhe më shumë me punën e Akademisë, kur edhe ata që e kritikojnë, nuk premtojnë ditë më të mira, përveçse zëvendësimin e një klani me një klan tjetër. Kosova nuk humb as fiton gjë, nëse Akademinë e sundon klani i gjakovarëve, i preshevarëve, i llapjanëve apo i Rexhep Qoses. Çfarë do të ndryshonte, nëse në vend të LDK-së, Akademia të dominohej nga PDK-ja, nga AAK-ja apo nga “Vetëvendosje”? Krejt njësoj, të gjitha së bashku përbëjnë një alternativë të mjerë. Ne e kemi dëshmuar katërçipërisht se të gjithë njësoj vuajmë nga deficiti i vlerave dhe se, në mënyrë anekdotike, krejtësisht të veçantë, kemi humbur sensin e masës për çdo gjë: e keqja na ka pllakosur dhe na e ka zënë frymën, jemi mbushur hipokrizi, gënjejmë, vjedhim, mashtrojmë, i kemi bashkuar në një të gjitha vlerat më të larta dhe më të fisme me veset më të shëmtuara njerëzore. Kemi pësuar një çoroditje të paparë, një fiasko morale, intelektuale, kulturore dhe politike. Prandaj një fjalë më shumë ose më pak në këtë konfuzion dhe rënie të përgjithshme nuk çon peshë. Gjithandej ligësi, zhgënjim, vanitet. Në pamjen e njerëzve sheh mërtisje, lodhje, mllef dhe inat, urrejtje për gjithçka dhe për gjithkënd. Në sjelljen e tyre sheh agresivitet, skërmitje, shtrëngim dhëmbësh, dashaligësi, një dëshirë barbare për t’iu vërsulur tjetrit. Fisnikëria, zotnilleku, që duket se gjithmonë e kemi pasur me kursim, tani na ka braktisur me krejt. Njerëzit sikur kanë një gropë të errët në shpirt, kanë një skëterrë brenda vetes, që nuk dinë as ta shpjegojnë dhe as si ta mbushin me sadopak mirësi. Ata kanë një dhembje që nuk dinë nga u vjen, kanë një mllef që i gërryen përbrenda. Është mllef i pakënaqësisë, i cili është mbjellë që njëzet vjet në këtë vend. Është plagë e pashëruar e një shpirti të lënduar rëndë, përjetësisht.

Por pse erdhëm në këtë gjendje, në të cilën nuk kuptohet më kush është vuajtës dhe kush shkaktar i vuajtjeve; nuk kuptohet kush është përgjegjës për zhbërjen e ëndrrës së madhe për Kosovën shtet i njerëzve të saj normalë, siç janë të gjithë njerëzit e botës së lirë…? Pse erdhëm në këtë gjendje, duke u shndërruar çuditërisht në vrasës të ëndrrave tona, në ca barbarë që zhdukin kufirin më domethënës midis dy botëve: të mirës dhe të keqes, dritës dhe errësirës? Në Kosovë nuk dihet më çfarë janë veset dhe çfarë janë virtytet njerëzore; kush është i moralshëm dhe kush përbën llumin e shoqërisë, kush vret dhe kush vajton të vrarin, kush bën kriminelin dhe kush bën gjykatësin. Po bëhen gati njëzet vjet pas luftës dhe një brez tashmë po ikën i dëshpëruar. Dhe po vjen një brez tjetër po aq i dëshpëruar dhe i zhgënjyer. Askush nuk e di, pse i harruam kaq shpejt idealet, pse e harruam kaq shpejt kuptimin e lirisë. Të gjithë popujt kanë çastet e tyre të liga, situatat e krizës dhe momentet e mallkuara të zhgënjimit, por popujt e emancipuar gjejnë forcë t’i tejkalojnë ato. Kosovës po i kërcënohet pamundësia për të tejkaluar fatkeqësinë e vet, i kërcënohet vetëzhbërja, vetëshkatërrimi. Kjo është njësoj, si t’i bësh vetes në histori përmendoren e turpit dhe të tradhtisë.

2.

Kosova është shtet i pabërë, është shoqëri e pabërë, është kulturë e pabërë. Por kjo situatë nuk ka ardhur nga dilemat reale politike rreth Kosovës. Ne i kemi trilluar dhe i kemi shpikur këto dilema me një ligësi fantastike, për të mbajtur “në agjendë” shqetësimin tonë të rrejshëm për “çështje të mëdha”, si alibi për çoroditjen tonë të pashembullt, për grabitjen e babëzitur, për punët tona të pandershme. Me klasën tonë politike tashmë duket sikur i kemi mbyllur hesapet: i kemi quajtur kriminelë, hajna, të korruptuar, fundërrina, çdo gjë! Kemi përdorur dhe vazhdojmë të përdorim fjalët më të shëmtuara dhe përsëri na duket se nuk kemi thënë atë që duhet. Është e çuditshme sesi një numër fjalësh, që gjithkund në botë tronditin me kuptimin e tyre të frikshëm, këtu te ne nuk shprehin asgjë. E keni zhvlerësuar kuptimin e tyre. Por ata, politikanët tanë, çuditërisht, edhe më tej vazhdojnë të jenë pjesë e realitetit tonë. Derisa ne rrimë duke e përsëritur deri në neveritje se politikanët tanë janë të korruptuar, ata vazhdojnë të korruptohen edhe më, vazhdojnë ta manipulojnë demokracinë, të vjedhin vota dhe të blejnë vota. Kjo ndodh sepse edhe ne, në një mënyrë ose në një tjetër, jemi pjesë e mekanizmit të tyre të marrjes dhe të mbajtjes së pushtetit, jemi pjesë e lojës, jemi pjesë e korrupsionit të tyre, jemi njëkohësisht bashkëvuajtës, por edhe bashkëvrasësit e këtij vendi. Atëherë, ç’na duhet refreni i çdoditshëm për korrupsionin shtetëror, për korrupsionin politik, për korrupsionin institucional, për korrupsionin intelektual, shpirtëror, mendor, kur askush nuk del të thotë se cilat janë mekanizmat për ndalur këtë gremisje. Duket se ne, në përgjithësi, kemi një trashëgimi historike korruptive, ngase të gjitha të drejtat dhe liritë jemi mësuar t’i blejmë “në të zezën”. Kurrë nuk i kemi besuar ligjit dhe as të drejtës, sepse ajo nuk ka funksionuar për ne. Tani që e kemi lirinë, ne nuk e dimë se ç’kuptim ka ajo. Kemi shtetin, por nuk e dimë se ç’domethënie ka ai.

Si të dalim, pra, nga ky makth, nga ky rreth i mbyllur, si ta edukojmë mentalitetin, botëkuptimin, si ta edukojmë mendjen?

Sikundër që, tashmë, nuk kemi asnjë iluzion dhe dilemë rreth klasës sonë politike, nuk kemi dhe nuk duhet të kemi asnjë dilemë rreth Serbisë. Argumentin Serbi e kemi përdorur dhe vazhdojmë ta përdorim për të mos bërë atë që duhet të bëjmë. Gjithandej përsëritje deri në bezdi, deri në lodhje, deri në shpenzim të asaj se çfarë synon Serbia në Kosovë. Serbia synon t’i zhdukë shqiptarët, ja çfarë synon ajo, synon ta riokupojë Kosovën dhe, deri sa ta heqë dorë nga kjo ëndërr, nuk do të pushojë së vepruari, në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Atëherë, pse paska nevojë të rielaborohen strategjitë e Serbisë dhe në eterin e Kosovës të mbahet një gjendje tensioni, i cili nuk lë i njerëzit e qetë, nuk i lë njerëzit të bëjnë jetë normale, nuk iu lë njerëzit të njohin kuptimin e lirisë? Nga dëmet e shumta që Serbia ia bën Kosovës, njëri është më i madhi dhe më i shëmtuari: po e bën të pamundur jetën politike në Kosovë, duke e “ushqyer” me patriotizëm dhe duke na e mbajtur në skenë një klasë politike që prej kohësh i ka skaduar afati. Më anë tjetër, duke i ambalazhuar analizat barkqitëse si trysni të opinionit mbi institucionet, mediet tona, bashkë me bërësit e politikës dhe me analistët përfitues, e kanë sëmurë Kosovën dhe njerëzit e saj, duke ia mbajtur opinionit me çdo kusht të keqen e Serbisë mbi kokë. Ne jemi popull i lirë, jemi të çliruar nga Serbia, kjo nuk është ëndërr, është realitet! Kemi edhe garanci të mëdha ndërkombëtare për lirinë tonë. Por ne nuk jemi duke e kuptuar se Serbia iu shërben si alibi atyre që nuk dinë çfarë të bëjnë tani me Kosovën dhe me mendjen e tyre politike dhe pseudo-intelektuale. Serbia iu shërben që të punojnë keq, që lirinë të kthehet në mallkim. Me Serbinë mbi kokë u është krijuar hapësirë dhe komoditet i paparë politikanëve të Kosovës, që me një anë të shkatërrojnë çdo gjë, ndërsa më anë tjetër të krekosen si ndërtues të shtetit dhe mbrojtës të pavarësisë së tij. Klasa politike e Kosovës mbijeton politikisht që njëzet vjet, duke mbajtur në agjendë një numër çështjesh të pazgjidhura me Serbinë. Gënjeshtrën e tyre e gëlltitëm edhe kësaj radhe, sepse nuk ua thamë qartë: Ju nuk e mbroni Kosovën nga Serbia, e mbron NATO, e mbron SHBA-ja, e mbron BE-ja. Vetëm se ju, politikanët tanë, që njëzet vjet nuk keni bërë asgjë që ta meritoni përkujdesjen e tyre. Ju vetëm po e keqpërdorni politikisht lirinë dhe pavarësinë që tjetërkush na e mbron.

Më anë tjetër, si është e mundur që ne (mentalisht dhe politikisht) ende sillemi si provincë e Serbisë, si krahinë autonome. Serbia, përveç që na e dikton tregtinë dhe ekonominë, na dikton edhe atmosferën dhe agjendën politike. Na krijon kriza sa herë që e ia do qejfi. Kosova, madje, nuk i bën vetë as heronjtë e saj, ia bën Serbia, me një shkrim në gazetë, me një lajm, ose me një urdhër arrest.

Kjo nuk është Kosova që e deshëm të gjithë, është një projeksion i saj krejtësisht i përmbysur.

3.

Sikundër që nuk kemi dilema rreth Serbisë, nuk kemi pse të kemi dilemë as rreth asaj se kush jemi dhe çfarë duam. Dilemat rreth identitetit të shoqërisë kosovare dhe të ardhmes së shtetit të Kosovës janë artificiale, tullumbace politike-patriotike, vullgarizma. Rreth identitetit tonë nuk ka pasur dilema asnjëherë, nuk ka as tani, të gjitha i kanë shpikur ata që duan të prodhojnë mjegull dhe të mbijetojnë duke mbajtur në eterin e Kosovës trillime dhe mëdyshje të kota. Nuk ka më dilema rreth kombit, rreth gjuhës, rreth historisë. Janë çështje akademike, të cilat mund të diskutohen në qarqe shkencore. Edhe rreth historisë i dimë të gjitha, ose pothuajse të gjitha. Nëse dikush synon të bëjë revolucion në këtë pikë, le të gjejë ndonjë mbishkrim që dëshmon se shqiptarët vijnë nga ilirët, ose le të gjejë një dëshmi të re të shkrimit të shqipes (jo të rreme!) dhe mund të bëjë revolucion shkencor. Le të hyjë në arkiva dhe të hulumtojë, ndoshta ka për të gjetur ndonjë gjë që ende nuk e dimë. Por ka ardhur koha që njerëzit Kosovës të lihen të qetë, të mos ua përzihen rropullitë me punët e historisë. Për LNÇ-në në Kosovë, sekush le të shkojë të lexojë ditarin e Miladin Popoviqit në Arkivin e Shtetit në Tiranë dhe mos na e çajnë më bythën me heronjtë e paqenë të asaj “epopeje”. Ndërsa për luftën e UÇK-së, të mos i bashkohen më atij korit të plastë, i cili synon ta çojë në këmbë gjithë Kosovën, të nisë një luftë civile, për të treguar se të gjithë çlirimtarët kanë qenë vrasës dhe kriminelë. Po i lexove disa portale të krahut të LDK-së, po i dëgjove ca deklarata të tyre, të krijohet ideja se Serbia nuk ka vrarë njeri në Kosovë, të gjithë i ka vrarë UÇK-ja. Nga vjen kjo ide e çmendur, nga rivaliteti politik apo nga dashaligësia? Të gjithë e dimë tashmë se cili ishte roli historik i rezistencës paqësore të LDK-së dhe si degjeneroi ajo, sikundër që e dimë se cili ishte roli historik i luftës së armatosur të UÇK-së dhe si degjeneroi ajo. E dimë, gjithashtu, se cila është trashëgimia jugosllave e Kosovës autonomiste, e dimë kush ka qenë luajal ndaj atij shteti vrasës. Nëse keni gjë për të thënë, gjeni dosjet dhe hapeni ato; nëse nuk i gjeni dosjet, hapni gazetat dhe lexoni, kush sa mut ka hangër gjatë asaj kohe të errët, aty e keni të gjitha, mjafton t’ua hidhni një sy. Por Kosova nuk bëhet me mistifikime të asaj periudhe dhe as me recidivizma autonomiste, njësoj siç nuk bëhet me glorifikime të lëvizjes ilegale apo me damkosjen e saj.

Pse, pra, jemi të hutuar dhe pse jemi të rrethuar me kaq shumë konfuzion?

Më anë tjetër, të gjithë e dimë se ç’është fundamentalizmi islamik, çfarë synon ai: ta bëjë Kosovën kalifat ose republikë islamike, njësoj është, ose pak ka rëndësi. E dimë, gjithashtu, nëse interesi i Kosovës është Lindja apo Perëndimi, por nuk jemi të qartë në reagimin tonë, kur lejojmë që partitë tona politike, të gjitha pa përjashtim, i manipulojnë njerëzit me ndjenja fetare, për t’ua zhvatur votën. Edhe Perëndimi, herë pas here, na ka manipuluar dhe vazhdon të na manipulojë me të ashtuquajturat vlera të cilat nuk i beson as vetë. Por tani, kur Serbia me mbështetjen e Rusinë i vringëlloi armët sërish, u pa qartë se kush i davariti mjegullat, kush doli në mbrojtje të Kosovës dhe kush i qartësoi dilemat. Erdogani? Apo Theresa May, Mattis dhe McCain? Pa dyshim, po ata që na e bënë Kosovën në vitin 1999.

Nuk ka më dilema as rreth të ardhmes politike të Kosovës. Dilemat vazhdojnë t’i krijojnë ata që duan të mbijetojnë, duke nxjerrë në treg “ide” për ndarje të Kosovës, për bashkim e ribashkim kombëtar etj. Çfarë bashkimi kombëtar mund të bëhet me lëvizje neokomuniste, me idetë e vjetruara të kohës së pashallëqeve, ose me një klasë politike që çdo gjashtë muaj prodhon kriza, si në Shqipëri, si në Kosovë?! Me këtë klasë politike të korruptuar, të përfshirë në kontrabandë dhe trafiqe?! Tani, sekush del dhe thotë, o burra, ta ndajmë Kosovën, se kështu e zgjidhim çështjen shqiptare, dhe këtë e thotë vetëm pse e gënjen mendja se me këtë ide do ta meritojë një vend në piedestalin e njerëzve të mëdhenj të kombit. Zot i madh, po ne mezi arritëm ta bindim bashkësinë ndërkombëtare, që Kosova të shpallet shtet në kufijtë e Kushtetutës së vitit 1974, dhe tani, as 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë, kërkojmë ndryshimin e kufijve, duke nxitur rrezikun për një luftë përmasash botërore. Cili idiot i bashkësisë ndërkombëtare e mbështet këtë somnabulizëm politik? Pse trillojmë zgjidhje politike të pamundshme? Që të mbijetojmë politikisht, të shërojmë komplekset tona, që ta nxjerrim veten mbi të tjerët, me ide që frikësojnë botën…? Sekush mund ta quajë këtë guxim politik, por në të vërtetë është tradhti intelektuale në dëm të Kosovës, për të mos lejuar që Kosova të bëhet. Është verbëri politike, shkurtpamësi, egoizëm politik, serbizëm, ose ndonjë pisllëk tjetër edhe më i madh.

4.

Deri tani kemi bërë shumë analiza, kemi shpenzuar shumë kohë për të nxjerrë përfundimin që e dinim nga fillimi, se duam një shtet funksional, ku jeta e njeriut ka vlerë; se duam shtet të së drejtës, ku para ligjit janë të gjithë të barabartë; se duam që askush të mos ndihet i diskriminuar, sepse kemi qenë vetë të diskriminuar dhe të vuajtur. Duam një shtet normal, ku jetohet me dinjitet. Dhe, pra, si mund t’i japim fund kësaj gjendjeje, si mund t’i japim fund këtij degradimi politik dhe shoqëror, këtij erozioni, kësaj shthurjeje? Kësaj shëmtie morale? Kësaj çoroditjeje? Këtyre veseve të shëmtuara njerëzore, që rrezikojnë të bëhen model i jetës? Këtij dinjiteti të nëpërkëmbur, kësaj hipokrizie kolektive, kësaj gënjeshtre virtuale? Për ta ndryshuar këtë gjendje nuk do ta kemi aleat medien e shpenzuar dhe të shitur, që tashmë i ka marrë të gjitha atributet e vrasësit të fjalës së lirë. Nuk do t’i kemi aleatë intelektualët pa ideal, akademikët dhe profesorët e padijshëm, të krekosur dhe të korruptuar. As mediokrit e kulturës dhe promovuesit e anarkisë së vlerave. Nuk do ta kemi aleatë kosovarizmin anacional dhe lokalizmin provincial, as burra me burrni të zvjerdhur dhe gra me kulturë pufesh.

Të ndalemi pak dhe të mendojmë, si i kaluam të gjitha situatat e vështira, të gjitha peripecitë politike, përfshirë edhe trashëgiminë e tonë negative, që atëherë, kur Kosova filloi transformimin e saj të madh, nga vitet ’60 të shekullit XX dhe këndej. Të gjitha dështimet e veta historike të kësaj periudhe Kosova i ka tejkaluar përmes ideve iluministe dhe arsimit si aksion shoqëror, si emancipim i përgjithshëm, si perspektivë kombëtare, si zhvillim, si rezistencë, si idealitet. Arsimi ishte e vetmja fushë, ku Kosova ka qenë efikase, ka dëshmuar vitalitet, qëndrueshmëri dhe vizion. Në fushën e arsimit dhe në institucionet e tij kanë lindur dhe janë zhvilluar të gjitha lëvizjet politike, lëvizjet intelektuale, janë përvetësuar dhe janë distribuuar idetë, është zhvilluar procesi i emancipimit dhe i ndërtimit të shoqërisë tonë, e tillë siç është ndërtuar. Çdo gjë që ka arritur Kosova, është rezultat i këtij ambienti iluminist. Të gjitha dështimet janë pasojë e goditjeve që ka marrë Kosova pikërisht në këtë proces. Nuk është se arsimi në Kosovë ishte në një gjendje ideale, sepse brenda tij kishte shumë eufori, shumë nacional-komunizëm, kishte edhe shumë ideologji, jugosllavizëm, homogjenizim negativ etj. Por ajo që e bëri të papërsëritshme këtë periudhë të iluminizmit ishin lëvizja emancipuese që u kultivua si vetëdije e një konstalacioni kombëtar brenda këtij idealzmi. Gjatë viteve ’90 dhe më pas, goditja më e frikshme iu dha pikërisht arsimit, sepse Serbia e dinte ku mund të lëndohej Kosova. Ndërkaq, banditët tanë, pas vitit 1999, iu vërsulën pikërisht arsimit, për të përvetësuar prestigjin e Kosovës, idealizmën e saj, për të sunduar qenien e saj, kuptimin e lirisë, mitin dhe shenjtërinë e saj, fetishin dhe simbolin e saj. Një herë banditët e LDK-së, herën tjetër banditët e PDK-së, dhe më pas të dyja palët së bashku, bënë kërdinë mbi arsimin, duke e përvetësuar, duke abuzuar, gjithnjë me synimin që përmes arsimit të shëronin komplekset e veta të sunduesve primitivë dhe gjysmë analfabetë. Ata e dinin sesa i fuqishëm ishte miti i shkollës në Kosovë, prandaj iu vërsulën pikërisht asaj, me të gjitha mjetet dhe në të gjitha mënyrat. Nuk synonin vetëm përfitim politik dhe material, synonin prestigj shoqëror, synonin përvetësimin e vlerës më domethënëse të shoqërisë së Kosovës, siç synon çdo sundues i paskrupullt, ngjashëm me kolonizatorët e huaj, për nga shkalla e barbarisë. Dhe këtë nuk e bënë duke u edukuar dhe duke u emancipuar vetë, por duke e përvetësuar shkollën, duke abuzuar me të në të gjitha format, me ndërhyrje në sistem, me ndërhyrje në planprograme, në tekste mësimore, me licencimin e universiteteve private, me punësim, me tituj shkencorë, me regjistrim studentësh, duke e shtrirë korrupsionin intelektual, moral dhe material në çdo pore të tij, në çdo segment.

Ndërsa tani nuk na mbetet rrugë tjetër, përveç se ta nxjerrim arsimin dhe edukimin nga kthetrat e politikës dhe të pushtetit dhe ta kthejmë në çështje popullore, në diçka që iu takon të gjithëve, jo oligarkëve, jo përfaqësuesve të tij të dalë nga vota e grabitur me hile dhe demokracia e manipuluar. Na duhet arsim funksional, shkollë funksionale, që i kultivon dhe i ruan vlerat nacionale dhe kontemporane, shkollë e nxënies, e dijes dhe e rregullit. Kaq mund të bëjmë, për Kosovën, për veten tonë dhe për fëmijët tanë. Nëse e bëjmë këtë, nëse jemi të zot ta nisim një lëvizje emancipuese, një shkollë, një arsimim, një edukim për të qenë, i kemi arritur të gjitha: do ta bëjmë më pas edhe shtetin funksional, shtetin ligjor; do ta mundim edhe korrupsionin, do t’ia dalim edhe në procesin e integrimeve, do ta heqim qafe Serbinë, do ta bëjmë demarkacionin, do t’i rrënojmë të gjitha muret, ta bëjmë edhe bashkimin kombëtar…

Të gjitha mund t’i bëjmë.

Botuar ne  gazeten “Ekspres”.