LETRA DHE INFORMACIONE TË KODUARA NË ARKIVIN E ALI PASHËS – KRIPTOGRAFI
Nga Prof. Dr. Irakli Koçollari
Çuditërisht, askujt nuk i ka tërhequr vëmendjen ekzistenca e një numri letrash dhe informacionesh të koduara në fondin e dokumenteve të “Arkivit të Ali Pashës”. Janë gjashtë-shtatë të tilla. Një pjesë janë informacione të dërguara nga larg, nga Stambolli, ndërsa disa të tjera janë letra të dërguara nga njerëz të besuar , të ngarkuar me misione të rëndësishme dhe delikate.
Sigurisht, gjithkush do të mendonte se ato janë pak!
Vërtet që ato nuk janë shumë, por nëse do të kemi në konsideratë faktin se dokumentet e gjetura të “Arkivit të Ali Pashës” përbëjnë vetëm një të dhjetën e inventarit të dikurshëm të tij, ai numur do të dhjetëfishohej. Në këto rrethana numri i informacioneve të kriptuara që do të kishim në duar do të ishte shumë i madh, aq sa vend zë ai sot në radhën e informacioneve të hapura në jetën e institucioneve të një shteti normal.
(Në Arkivin e Ali Pashës ka edhe dokumente ku letërshkruesit japin informacione të rëndësishme për veprimtari konspirative të francezëve kundër Ali Pashës, por këto informacione janë të hapura dhe të lexueshme, në rastin e tyre fshihet vetëm identiteti i tij.)
Po a ka pasur dokumente apo informacione të tjera të kriptuara në kancelarinë e Ali Pashës?!
Sigurisht që po!
Le ti referohemi një informacioni të koduar, dokumentit që mban nr. 343, të “Arkivit të Ali Pashës”, Vol. A.
Autori i saj është Dhimitër Razi, një misionar special, i dërguar nga Ali Pasha, për të penetruar në labirinthet e hierarkisë së lartë të Stambollit, dhe për të informuar rreth situatës së brendshme në Portën e Lartë, grupimet, klanet, tendencat politike të hapura dhe të fshehta, kulisat, kurthet, klima favorizuese apo ajo denigruese ndaj Ali Pashës, etj. Dhimitër Rasi ka gati dy, tre vite atje dhe ka mundur të krijojë lidhjet dhe miqësitë e tij për të kryer detyrat e ngarkuara nga Ali Pasha.
Përmes informacionit të mëposhtëm ai i përcjell Ali Pashës njoftimet për përqendrimet e forcave të aleancës anti-angleze në Evropë dhe influencat anti-angleze që shtrihen edhe në politikën e jashtme të Perandorisë Osmane.
Duke folur për qëndrimet e funksionarëve të lartë, në pozicione të ndryshme në hierarkinë osmane, ai veçon Razi Efendiun, i cili dallohet për qëndrimet dashamirëse ndaj Ali Pashës. Letërshkruesi duke na bërë me dije se Reiz Efendiu është i favorizuar i Sulltanit, insiston pranë Ali Pashës, që ky i fundit “ti shkruajë shpesh dhe ta falënderoje atë për punën e lavdërueshme që ai i bën”, fjalë këto që duke i përkthyer nga gjuha e moralit Osman të asaj kohe do të thotë, që – ti dërgojë Reizit shpesh dhurata.
Sekretari i Ali Pashës, Kosta, i cili e ka marrë këtë informacion të dërguar nga Dhimitër Razi, duke pasur që më parë në duart e tij kodin shifror, ka zbërthyer informacionin. Fatmirësisht, pasi ka dekoduar letrën e fundit, ai na ka lënë një pjesë të çelësit për dekodimin e informacioneve të mëparshme të kriptuara.
INFORMACIONET E KODUARA
NË ARKIVIN E ALI PASHËS
Por, cili është konkretisht çelësi, kodi me të cilin Dhimitër Razi ka kriptuar informacionet që ai i dërgonte eprorit të tij!? Fatmirësisht, një pjesë e grupeve shifrorë që formojnë çelësin e shifrës me të cilin ai ka kriptuar informacionet ruhet në fondin dokumentar të Arkivit të Ali Pashës. Sigurisht ky kod shifror ishte në duart e Aliut. Me të sekretari i tij dekodonte informacionet që dërgoheshin nga Stambolli.
Duke pasur atë në duar, nuk është e vështirë që lexuesi i këtij shkrimi të deshifrojë vetë informacionin e kriptuar, që ka dërguar misionari për marrëdhëniet me jashtë, (kapoçuhedari) Dhimitër Razit, për Ali Pashën nga Stambolli.
Më poshtë po vendosim grupet shifrorë që shërbyen si çelës për dekriptimin e tekstit të dërguar nga Stambolli. Në origjinalin e tij, sikundër do të shihet më poshtë dokumenti ka të shënuar vetëm numra, por duke pasur të ekspozuara grupet shifrorë me fjalët analoge bri tyre, nuk është e vështirë të dekriptohet teksti i informacionit.
KODI SHIFROR I DH. RAZIT NË KOMUNIKIM ME ALI PASHËN:
6
6-14 (nënkuptojnë) Perandori i Francës, Bonoparti
11 – (nënkuptojnë) paqe
23 – (nënkupton) Rusia
1 – (nënkupton) Dovleti, Sulltani
16 – (nënkupton) Duket, Ka të ngjarë, Ka mundësi
22 – (nënkupton) Francezët
21
21-14 – Anglezët, Anglia
3 – (nënkupton) Reiz efendiu
4 – (nënkupton) Shehislami
15 – (nënkupton) Thuhet, flitet, ka zëra
33-32- 45-35-48-28-31 – Ambasador, i Ngarkuar me Punë, Konsull
DOKUMENTI ME NR. 343
Kostandinopoli, 8 Dhjetor 1807
Sekretarit fisnik, zotit Kosta.
Letra a.
Nga njëshi gjer tek gjashta letrat e mija mbërrijnë me numra që të mos humbasë asnjë.
Shpresoj që përpara kësaj more dy letrat e tjera të miat, njëra e pa shifruar dhe tjetra e shifruar, … … përmes të cilave do të bëja me dije haberet e Europës.
Kështu pra meqë fillova tani do të shkruaj me shifër, dua që të më përgjigjeni kur ta merrni, domethënë të më shkruani se – e mora letrën “a”, ose – e mora letrën “b” dhe “g”, me qëllim që edhe unë të qetësohem. Para së gjithash të kini kujdes sekretarin të mos bëjë të njohura informacionet një ditë pasi të kenë ardhur korrierët dhe kështu mund tu shkruaj vazhdimisht.
Nga posta mësojmë se – 6 – marshoi i sigurt në Paris ditën e Krishtlindjes franceze me qëllim që të organizojë një manifestim të cilën e kishte paramenduar, gjykuar, studiuar, dhe që të përfundojë edhe – 11 – mes – 23 – dhe – 1 – por – 16 – se – 22 – kanë gjëra të tjera në mendjen e tyre, që të vonojnë – 11 – dhe ndërkohë duket se pak duan që të avancojë – 6 – tanimë qëllimi i tyre është ti shpallin luftë – 21- 14 -Anglisë dhe gjithë mbretërive të Europës.
[ paragrafi a]
Sikundër mësojmë përmes postës Gjermania, Rusia, Zvicra, Danimarka dhe Portugalia i shpallën luftë – 21-14 (Anglezët). Kështu në të gjithë Europën nuk mbeti asnjë port që të pranojë -21-14 (Anglezët) e për pasojë ata nuk kanë më asnjë vend ku mund të shesin mallrat e tyre, dhe nuk mjaftoi vetëm Europa kundër tyre por edhe Amerika tanimë u ka shpallur luftë. Ata që janë duke studjuar këtë situatë tani janë – 23 (rusët) me – 6 – 14 – (Franca dhe Bonoparti).
– 3 (Reiz Efendiu) po përballet me shume vështirësi dhe siklete për çështjen tënde.
– 4 (Shehislami) nuk – 16 (duket) të jetë shumë mik i yti, të përqafon por – 15 (thuhet se) pak përpiqet dhe pak të shërben.
Saliagai ka shumë miqësi me kajmekanin dhe po organizon të marrë groshët kur të korë grurin aty ku i merr edhe efendiu ynë, nga taksa!, dhe kërkon të marrë edhe mukatanë … për të ardhmen.
[ paragrafi b] (Teksti është deshifruar nga ana e jonë)
33-32- 45-35-48-28-31 – (ambasadori) i – 22 – (Francës) nuk sillet mirë me Portën e Lartë dhe – 16 – (duket) se – 1 – (Sulltani) i ka shkruar – 6 – (Bonopartit) që ta zëvendësojë. Por, le ta dijë (Ali Pasha-IK) edhe faktin se -1- (Sulltani) e ka shumë në konsideratë dhe e vlerëson – 3 – (Reiz efendiun) dhe çdo ditë “korispondëri” me të fshehurazi, përmes mjekut të tij. Këtë gjë e dinë shumë miq tanët, si dhe mënyrën që ai përdor për të qenë këshilltar i tij dhe kështu ai nuk hedh asnjë hap pa pyetur atë.
Prandaj i thuaj Efendiut tonë (Ali Pashës-IK) që ti shkruajë shpesh dhe ta falënderoje për lavdërimet që ai i bën efendiut tonë, dhe që jep garanci nga një njeri i sigurt dhe i besuar, pasi ai – 3 – (Sulltani) ka për të qëndruar gjatë në postin e tij.
Pres përgjigje sa më parë, i njohuri.
Në Dhjetor, Stamboll.
Shpresoj në kërkesën që ju bëra në letrën e kaluar të mos e nxirrni jashtë por të mbetet veç mes nesh.
TË TJERA INFORMACIONE TË KRIPTUARA
NË ARKIVIN E ALI PASHËS
Sikundër shihet, në krye të kësaj letre, autori, pyet letërmarrësin, Kostën, sekretarin e Ali Pashës, nëse e mori letrën e mëparshme të koduar,!
Nënteksti është fare i qartë, misionari special i Ali Pashës ka korresponduar edhe herë të tjera më përpara dhe më pas me eprorin e tij, përmes kriptografisë. Jo vetëm kaq, por Dhimitri ka dërguar porosi edhe për mënyrën dhe kohën se si dhe kur duhet të konsumohej informacioni, me qëllim që të garantohej siguria e burimit që dërgonte këto informacione. Fatkeqësisht, nga cikli i Informacioneve të koduara të Dhimitër Razit, në Arkivin e Ali Pashës ruhen vetëm dy dokumente.
Por, po në këtë “Arkiv”, gjenden edhe disa informacione të tjera të dërguara Ali Pashës nga njërës të besuar të tij, që kanë pasur një rol të rëndësishëm në ngjarjet e kohës. Mes tyre renditet të paktën një informacion i koduar, dërguar nga Hasan Çapari. Ky njeri me emër dhe influencë, në radhët e parisë dhe fisnikërisë së Çamërisë, biri i së cilit ishte peng në oborrin e Ali Pashës, e informonte Vezirin për zhvillimet politike në ato anë, ndërhyrjet dhe veprimtarinë konspirative të francezëve, rebelimet dhe provokimet e suljotëve, praninë e rusëve dhe intrigat për konflikte kundër pashait, etj.
Duke qenë në situatat e një kontrolli dhe kërcënimi permanent, Çapari ka dërguar informacione të koduara, përmes një kodi shifror mjaft interesant, që ndoshta në një të ardhme do të donte një hulumtim shkencor më të detajuar. Ky kod fatmirësisht ruhet në një nga dokumentet e Arkivit. Përmes tij është zbërthyer informacioni që mban numrin 294 dhe që e sjellim të tillë për lexuesin.
Informacioni i shkruar nga Hasan Çapari është i gjatë dhe mjaft interesant, por ne rendisim më poshtë vetëm një fragment të dekoduar të tij,
Kodi i përdorur për kriptimin e informacionit në komunikimin e Hasan Çaparit me Ali Pashën eshtë si më poshtë:
I deshifruar teksti informacionit me kodin shifror të mësipërm zbërthehet si më poshtë:
Dokument nr. 294
Meti, unë nuk hapem (të flas) nëse nuk më jep të paktën dyqind qese me aspra për zararin (dëmin e shkaktuar) dhe bisedoe siç e di, dhe francezi ynë aq sa duam, bile francezi nuk pyet fare për Perandorin e tij dhe ndjehet më mirë me Vezirin (Ali Pashën) dhe Turqinë sesa me Francën.
Unë dhe koxhabashi im (morën masa) u përpoqëm që të bëjmë gati kështjellën e Giriçës dhe asprat (paratë) të mi dërgosh nga Paramithia. Edhe për mbulesat nuk më the sesi do të ndërohen dhe jemi të gjithë në pritje nëse do ta zgjidhë këtë çështje efendiu ynë (Ali Pasha). Le të bëjë llogaritë për shpenzimet që unë të nis një djalë në Goriça dhe mandej me të marë xhephane (furnizimet, materilet luftarake – turq. IK) nëse do të kënë nevojë të ruajnë, mbrojnë vendin gjer tek Spianxha dhe Abdyl Qerimi të vijë shpejt me asprat (paratë). S’kam tjetër për të shkruar.
Të puthim dhe Shëndielën që të mos na bëjnë ndonjë rengë para se të mbyllim punët, dhe për sanxhakun tonë të dërgosh edhe forca të tjera që të bjerë në qetësi; dhe skam tjetër.
Hasan Capari
(d.v.)
ti dorëzohet duarve të ndershme të Metit, djalit të Hasan Caparit, në Janinë.
SHIFRA DHE KRIPTOGRAFIA:
INSTITUCION I NGRITJES DHE MATURIMIT TË NJË SHTETI
Ndonëse organizimi i komunikimit informativ të shifruar, tek Ali Pashës me njerëzit e ngarkuar me misione të rëndësishme dhe delikate, duket se ishte në fazat e tij të para, ai ka një rëndësi të të veçantë për disa arsye.
Së pari sepse vetë Europa filloi të institucionalizojë këtë mënyrë komunikimi aty nga fillimet e shekullit të XIX. Hartimi i kodeve shifrorë dhe përdorimi i tyre nga ana e Vezirit të Janinës, padyshim e rendit këtë monark në radhën e pionerëve pararendës europianë në fushën e komunikimeve sekrete, por edhe për historinë e vendit tonë zbulon një traditë të hershme të panjohur gjer më tani.
Së dyti aplikimi i këtij instrumenti, dhe institucioni njëkohësisht, kodeve dhe shifrës në punët me informacionin, vlerësohet si tregues sinjifikativ i pjekurisë së një shteti në konsolidim. Ai është pasqyrë e ndërgjegjësimit për vlerësimin dhe ruajtjen e sekretit, si kusht dhe nevojë për fuqinë, sigurinë dhe indipendencën e një vendi.
Përdorimi i këtij instrumenti nga strukturat e shtetit të Ali Pashës vjen dhe reflekton pikërisht këtë, përpjekjet e tij drejt shkëputjes definitive nga Porta e Lartë. Kjo ndërmarrje në thelbin e saj është shenjë e pjekurisë dhe e maturimit për shtetformim, që së bashku me përpjekjet për realizimin e një politike të jashtme indipendente; zgjerimet e fuqisë territorial dhe asaj ushtarake pa miratimin e Portës së Lartë; përpjekjeve për të realizuar aleanca të fshehta ushtarake, jashtë synimeve dhe interesave të Perandorisë Osmane; braktisja e detyrimeve fiskale ndaj Stambollit, etj., plotësojnë projektin e një prognoze që Veziri Tepelenas kishte për një shtet të mëvehtësuar dhe Sovran.