Letra e Rusisë për Shqipërinë, reagon Berisha: – Fyerje dhe kërcënim për çdo shqiptar!
Letra e Rusisë për Shqipërinë, reagon Berisha: – Fyerje dhe kërcënim për çdo shqiptar!
3 shkurt 2022
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në seancën e sotme plenare në lidhje me letrën që shteti Rus i ka dërguar vendit tonë, përsa i përket qendrimit të saj për konfliktin me Ukrainën.
Berisha e cilësoi një letër kërcënuese dhe një fyerje dhe një kërcënim për çdo shqiptar. Sipas tij është fund e krye kapitullim i argatit të Beogradit në Tiranë.
“Dua të dënoj këtu letrën kërcënuese të Ambasadës ruse në Tiranë drejtuar Shqipërisë dhe dua të theksoj se letra është një fyerje dhe kërcënim për çdo shqiptar dhe është rrjedhojë fund e krye të kapitullimit të argatit të Beogradit në Tiranë Edvin Kristaq Rama para një shantazhi, primitiv, të paprecedentë me të cilin përballet Evropa dhe NATO-ja. Sot Rusia tejkalon si forcë e së keqes çdo forcë në kërcënim që ka njohur historia, kërcënon të përdorë armë bërthamore kundër vendeve të lira, të pushtojë një vend fqinj, bazuar në doktrinën e sovranitetit të kushtëzuar të Brezhnjevit, të përpiqet të shkatërrojë NATO-n dhe vendi i vetëm që ka heshtur si fije bari, është një vend anëtar i NATO-s, por një vend që ka një qeveri të drejtuar nga një argat i Beogradit, vasal i Vuçiçit”, deklaroi ndër të tjera Sali Berisha.
Ai theksoi se Parlamenti duhet me urgjencë të votojë një rezolutë ku të shprehë solidaritetin e plotë me Ukrainën.
“Ka një traktat, i Budabestit, në të cilin Rusia, SHBA-të, Britania e Madhe zotohen se këtij vendi nuk do i preken kufijtë. Ukraina ishte aso kohe fuqia e tretë nukleare e planetit. I dorëzoi të gjitha në mirëbesim. Sot Shqipëria, parlamenti është zgjuar i kërcënuar nga ambasada ruse me një letër kërcënuese. Unë nuk hesht kurrë. Të shprehim solidaritetin tonë të plotë me Ukrainën, NATO-n, SHBA-të, BE-në. Nuk ka ndodhur kurrë dhe ju bëni sikur nuk ka ndodhur gjë. Çfarë po presim ne. Duhet të ishte çështje debati kryesor sot, por kur ke kreun e meduzës në Shqipëri, njeri që nuk ka interesa të tjera, përveçse kriminale, antishqiptare sigurisht që ndodh kjo. Çfarë të drejte ka ambasada ruse të dërgojë një letër kërcënuese. E keqja më e madhe e kohërave është sot kërcënimi i Rusisë së Putinit”, tha Berisha.
Gazeta Shqiptare