Letra nga Diaspora për Ramën: Anulo këto 16 koncesione

– 05/12/19

mapo.al

Nga Florian Haçkaj

Drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama

Shkurtimisht mbi mua: Quhem Florian Haçkaj, jam 36 vjeç e vij nga Tirana. Duke filluar me studimet në Gjermani prej shtatorit të 2002 e deri më sot ku jetoj në Zvicër e punoj e si menaxher prej më shumë se 10 viteve, bëj plot 18 vite që jam pjesë e diasporës shqiptare. Disa muaj më parë, ju dhe qeveria juaj më shprehët mirënjohjen me titullin “Ambasador I kombit”. Titull i rëndë ky që në këtë situatë të veshtirë që ka kapluar vëndin, rëndon edhe më shumë. Si një qytetar i preokupuar shqiptar, si një ekonomist/menaxher i suksesshëm në perëndim, si një atdhedashës dhe së fundmi si “Ambasador i kombit”, nuk mund të rri i heshtur teksa ndjek keqmenaxhimin e situatës kaotike në të cilën ndodhet vëndi.

 

Më duhet tju them që nuk gëzoj as respektin më të vogël për ju si 1) keqmenaxhues i besimit të shqiptarëve duke e çuar nivelin e korrupsionit mbi çdo parashikim, 2) duke dhënë konçesione të tmerrshme, kostot e të cilave do t’i mbajnë edhe femijët e fëmijëve tanë nëse nuk arrijmë të çlirohemi nga ato, 3) duke ulur mirëqënien e qytetarëve shqiptarë aq keq sa ti shtyni ato drejt emigrimit etj etj.

Të njëjtin mosrespekt gëzoj për të gjithë sojin tuaj të politikaneve me premtime boshe që mezi prisni të merrni stafetën, për të vazhduar vjedhjet. Megjithate, sot nuk është koha për politikë por për të marrë situatën në dorë e për këtë arsye po ju drejtohem me disa kërkesa konkrete e të rëndësishme për menaxhimin e gjëndjes së emergjencës.

*Është e papranueshme për Shqipërinë, vënd që synon antarësimin në Bashkimin Europian, që akoma në 2019 (thuajse 2020), nuk ka struktura funksionale, por vazhdon tradita e «njëshit» që duhet të zgjidhë çdo gjë e në këtë rast ju ka rënë juve të jeni «njëshi». Duke e marre këtë si fakt, po ju drejtohem me disa pika të rëndësishme, të cilat do tju jepnin shancin juve të hyni në histori si një menaxhues i suksesshëm i një katastrofe të kësaj mase në vend e më në fund të bëni diçka të saktë:

1) Ndaloni urgjentisht shkatërrimin nga IKMT të ndërtimeve gjysëm të shkatërruara nga tërmeti sepse ato vënde ku vdiqen njerëz, janë skena krimi!

  1. Skena krimi që duhet të hetohen nga prokuroria me urgjencën më të madhe dhe si asnjëherë tjetër, duhet të nxirren fajtorët për të marrë fund një herë e mirë, abuzimi me cilesinë e ndërtimeve, si një rrezik direkt ndaj jetëve të njerëzve.
  2. Duhet të bëhen përgjegjës menjëherë kryetarë bashkie, nënkryetarë, inspektorë, inxhiniere, ndërtues, çertifikues etj. të cilët kanë firmosur, kanë ndikuar në ato ndertime ose kanë ndërtuar pallatet në fjalë.

2) Ju personalisht duhet të ndaloni urgjentisht lojën e dyfishtë ku në njërën anë kërkoni hapjen e hetimeve e në tjetrën kërkoni me ngulm pastrimin e vëndit deri perpara festave! Me këtë gjëndje, nuk ka shqiptar që do ketë shpirt të festojë pasi po lëmë një vit të trishtë pas.

3) Ndaloni urgjentisht daljen në televizione duke debatuar me popullin e trishtuar se po bëheni qesharak dhe I pështirë në të njëjten kohë. Fakti që nuk funksionojnë strukturat e menaxhimit të emergjencave por duhet të shkoni ju në çdo vënd për të dhënë zgjidhje, tregon qartë se çfare shteti mosfunksional keni krijuar, në vitet tuaja të qeverisjes. Fajin e ka edhe soji juaj i politikanëve nga partitë e tjera, por ju e kishit për detyrë ta përmirësonit këtë në mbi 6 vite qeverisje.

4) Lereni shtabin e emergjencave të bëjë punën siç duhet dhe thërrisni në këshill kombëtar të rindërtimit, profestionistë nga fushat, të cilët mund tjua thonë të vërtetën e mendimin në sy e mos thërrisni sahanlëpires me interesa direkte në këtë gjëndje psh. në shitjen e apartamenteve boshe në Tiranë e Durrës.

5) Lerini çertifikimet e sigurisë së pallateve të dëmtuara të bëhen me proçes verbal, fakt ky që i jep një farë sigurie popullit të rifutet aty me familjet e tyre dhe që e bën shtetin përgjegjës në rast dëmtimi të mëtejshëm për shkak të sigurisë së munguar. Lërini specialistët të thonë fjalën e fundit e ndaloni ministrat militantë si Sander Lleshaj dje që iu hakërrye inxhinierit.

Info mbi piken 5) Pas rënies së dy avionëve Boeing 737 Max, drejtuesit e Boeing propozuan që në fluturimet e para pas rregullimit të difekteve të ishin vetë pasagjerë, me qëllim që të rikthenin besimin tek klientët dhe pasagjerët. Duke e lidhur ketë me gjendjen e pas-tëmetit, ata qe çertifikojnë banesat si jo të rrezikshme, zyrtarë të lartë (përfshirë ju e Z. Lleshaj) dhe ndërtues, nëse duan ti japin garanci banorëve të kthehen në banesat e riparuara/te reja, duhet që minimalisht disa javë/muaj të jetojnë vetë bashkë me familjet në këto ndërtesa.

6) Merrni masa urgjente ndaj atyre që kanë keqpërdorur fondet për materiale e aparatura për menaxhimin e të tilla katastrofave. Shqiptarët sado të varfer, taksat i paguajnë dhe ato duhet të shkojnë në vëndin e duhur.

7) Ndaloni urgjentisht dhunën ndaj mediave të lira me justifikimin e përhapjes së panikut. Është thuajse 2020 dhe Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për fjalën e lirë.

8) Së fundmi disa sugjerime për ju dhe qeverinë tuaj, të paraqitura nga nisma qytetare (Nisma #Thurje) më parë por edhe të shprehura nga individë të tjerë në kuadrin e sygjerimeve për tu rimëkëmbur sa më shpejt dhe se si qeveria mund të pagojë faturat e dëmeve të tërmetit, të cilat do të jenë shumë të larta:

Të anullohen menjëherë kontratat e mëposhtme:

– Konçesioni i check-up – 90 milionë USD

– Sterilizimi – 160 milionë USD

– Dializa – 70 milion USD

– Shërbimi laboratorik – 90 milion USD

– Inceneratori i Elbasanit – 52 milion USD

– Inceneratori i Fierit – 40 milion USD

– Inceneratori i Tiranës – 310 milionë USD

– Rrugët e Devoll Hdrp – 68 milion USD

– Ndërtimi i shkollave në Tr – 80 milion USD

– Rruga Milot Balldren – 300 milionë USD

– Rruga Orikum-Dukat – 75 milion USD

– Trau te rruga e Kombit – 470 milion USD

– Rruga e Arbërit – 400 milion USD

__________________

2.2 miliardë USD

Si edhe të mos lidhen kontratat e mëposhtme sipas planifikimit që keni ju si KM:

– Spitali i Fierit – 90 milion USD

– Rruga Thumanë-Vorë – 340 milion USD

– Rruga Kashar-Rrogozhinë – 410 milion USD

__________________

840 milion USD

Totali 3.05 miliardë USD

Me 3.05 miliardë dollarë përballojmë jo vetëm faturën e tërmetit por edhe hapim vende të reja pune si edhe përmirësojmë dukshëm shërbimet dhe pagat e sektorit publik. Si Diasporë Z. Kryeministër ne folëm dhe ndihmuam si financiarisht, si materialisht. Ju lutem na ndihmoni ju neve dhe vëndin tonë, duke plotesuar pikat e lartpërmendura.

PS: Nëse përveç jush, dikush do ketë durim të më lexojë deri në fund dhe nuk e ka të qartë akoma, çdo qindarkë e kostove të konçesioneve të lartpërmëndura por edhe kostove të rindërtimit nga këto shkatërrime që pervec tërmetit, bazohen fort mbi keqndërtimet dhe abuzimet (të cilat po tentohen të fshihen) , do të rëndojnë mbi xhepat tonë si taksapagues por edhe nëse kujtoni se ikët jashtë Shqipërisë dhe shpëtuat, të jeni të sigurtë që paratë që do sillni për familjet tuaja në Shqipëri (remitancat) do të përdoren gjithashtu për ato më sipër !