LETRA PER KUVENDIN. Presidenti publikon shkresat për ngjarjen në Kavajë dhe përplasjen në Elbasan: – Policia e Prokuroria mund ta kishin shmangur vrasjen e Pjerin Xhuvanit!
5 maji 2021
Presidenti i Republikës, Ilir Meta në përgjigjen e dërguar në adresë të Komisionit të Ligjeve, ku do të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e tij, ka ngritur disa nga ngjarjet mbi të cilat duhet të hedh dritë Kuvendi i Shqipërisë.
Edhe pse në argumentin e tij, kreu i shtetit thekson se Kuvendi aktual nuk është legjitim për të kryer hetime, pasi nuk ka opozitë brenda tij, Meta liston ngjarjen e plagosjes në Kavajë në zyrat e PD-së dhe mos zbardhjen e konfliktit gjatë Ditës së Verës në Elbasan, si dhe degradimin e konfliktit në vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Sipas Metës ngjarja e Elbasanit mund të ishte shmangur nëse prokuroria dhe Policia do te kishin vepruar me denoncimin që PD bëri për konfliktin gjatë Ditës së Verës.
Në letrën e kreut të shtetit theksohet se ai nuk është vënë në dijeni për temat e diskutimit, por thekson se do të ishte i gatshëm të fillonte me ngjarjen e Kavajës.
“Rasti i ngjarjes së Kavajës ku një Sekretar i Partisë Demokratike mbeti i plagosur me armë brenda në zyrën e kësaj force politike.
Në datën 20 Prill, kanë hyrë në zyrën elektorale të PD-së dhe kanë qëlluar me armë Sekretarin e Partisë Demokratike të kësaj zyre elektorale, z. Bledar Okshtuni.
Autorët e identifikuar, janë në lidhje direkte me Kryebashkiakun socialist të emëruar të qytetit të Kavajës dhe shtabin e tij elektoral.
Presidenti, si dhe opozita e vërtetë, i kanë bërë publik autorët dhe lidhjet e tyre me partinë-shtet.
Ja ku keni foton e publikuar. Ju mund ta hetoni, por pse jo mund ta diskutoni dhe komentoni bashkarisht në Komision me Presidentin e Republikës mbi këtë ngjarje.
Nga zbardhja e kësaj ngjarje duhet filluar!
Këta Policë dhe drejtues të Policisë Bashkiake të Kavajës, janë nën shoqërinë e Kryetarit të Bashkisë dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Kavajë, sëbashku me autorin e ngjarjes. Disa prej tyre të pranishëm edhe gjatë plagosjes me armë.
Ndaj Presidenti i Republikës do të pranonte me kënaqësi të diskutonte me ju në sy të publikut mbi disa çështje që jo vetëm paraqesin interes për publikun, por mund të hedhin dritë mbi ngjarjen dhe nxitësit e vërtetë të dhunës”, thekson në letrën e tij Presidenti.
Gazeta Panorama