19.05.20

Nga Roza Anagnosti

Teatrit Kombëtar Prishtinë!
Të nderuar kolegë. U emocionova shumë për solidaritetin që treguat në mbrojtje dhe kundër shembjes së Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar i Tiranës. Dhe jo vetëm juve si Prishtinë, po të gjithë teatrot e Republikës së Kosovës. Na dhatë shpresë e kurajo në mbrojtje të historisë, vlerave, identitetit, memorjes dhe gjuhës sonë të bukur shqipe që ky art përçon.
Një brez i shkëlqyer dhe i paharruar i yni, që ka kontribuar me dekada duke krijuar vlera të pazëvendësueshme. Memoria ime kujton vajtjen e parë të trupës së Teatrit Popullor në vitin 1971 në Kosovë me spektaklin “Cuca e Maleve” të L. Papës me regji të të madhit Pirro Mani. Shfaqja u dha në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Gilan, Ferizaj etj. pas një ndarje të gjatë. Duartrokitje, emocione, dashuri, ngrohtësi, lule pa fund. Një komunikim i jashtëzakonshëm me publikun. Isha gati të jepja dhe zemrën. Më dukej vetja si një misionare, dhe jo vetëm unë po e gjithë trupa. Ngjarje e papërsëritëshme nëpërmjet artit të fjalës.


Po kaq e bukur dhe emocionuese ishte ardhja në Tiranë e Teatrit të Prishtinës me spektaklin e mrekullueshëm “Ervehe” me regjisor Muharrem Qena. Me protagoniste një artiste të jashtëzakonshme, meteorin Melihat Qena.
Merita e veçantë për këtë shkëmbim teatror ishte e poetit dhe drejtorit të Teatrit të Prishtinës, zotit Azem Shkreli.
Jemi një popull dhe na gëzon suksesi i njeri tjetrit. Arti i dramës është më i rëndësishmi për një komb: “E para ishte fjala!”
Jam shumë e trishtuar për çdo vlerë të humbur. Ai Teatër ishte brilant, sado që të kalonte koha vlera nuk i humbiste. Nuk mund ta besoj që nuk është më shtëpia ime e dytë “teatri”, më duket si ëndërr e keqe.

Më shkojnë lot po ne nuk dekurajohemi.
Nuk duhet të cënojmë vlerat por ti mirëmbajmë.
Koha ecën, po memorja duhet ruajtur.
Faleminderit kolegë të dashur për mbështetjen e solidarizimin!
Roza Anagnosti
“GAZETA SHQIPTARE”