Lëvizja e bujshme e Abazoviç, që pritet të “hedhë në erë” Malin e Zi.
29 Korrik 2022
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç deklaroi se qeveria ka vendosur për një qasje gjithëpërfshirëse në procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe theksoi marrëveshja mund të nënshkruhet në muajin gusht.Të martën presidenti malazez Millo Gjukanoviç tha se një marrëveshje e tillë do të përçajë Malin e Zi, dhe se Abazoviç nuk është mandatuar për atë, por të shtyrë para agjendën evropiane. Presidenti tha se një manovër e tillë e qeverisë iu bë një dhuratë atyre që ëndërr historike e kanë që Mali i Zi të mos jetë shtet stabil, qytetarët, me prosperitet, dhe anëtare e Bashkimit Evropian. “Ka shumë falsifikime në këtë kontratë të kontestueshme me Kishën Ortodokse Serbe, në rend të parë sepse u miratua me nguti e shumë shpejt, prapa shpinës së publikut, e pastaj falsifikimet historiografike, gënjeshtrat e Kishës Ortodokse Serbe, si instrumenti më i ligë (keq) i nacionalizmit serbo-madh dhe imperializmit rus në Ballkan, dhe kështu e ndihmon të vidhet historia e Malit të Zi”, ishte shpjegimi i Millo Gjukanoviç. Ai shtoi se shumë norma nga ajo kontratë janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet sistematike të Malit të Zi.
Ndikimi rus në Mal të Zi
Gjatë diskutimit, kryeministri Abazoviç dhe ministri i Jashtëm RankoKrivokapiq ngritën çështjen e ndikimit rus në Mal të Zi. Kryeministri Abazoviç vlerësoi se përmbysja eventuale e qeverisë aktuale, për shkak të kundërshtimit të Marrëveshjes Themelore, do të ishte mbështetje për ndikimin rus në Mal të Zi. Ministri Krivokapiq tha se qeveria e Malit të Zi po shkatërrohet nga politika ruse, gjë që, sipas tij, e ka thënë edhe Parlamenti Evropian në rezolutën e marsit.
Çfarë është marrëveshja themelore e Abazoviç me Kishën Serbe?
Mali i Zi ka nënshkruar disa ‘marrëveshje themelore’ më parë, me komunitetet më të vogla fetare si me Kishën Katolike në vitin 2011 dhe me Komunitetet Muslimane dhe Hebreje në vitin 2012.
Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe u nënshkrua ditën e diel, me mbështetjen e 13 ministrave nga koalicioni i Dritan Abazoviç ‘E Zeza mbi të Bardhë’, partisë socialiste pro-serbe si dhe partive shqiptare. 5 ministra nga partia DPS, Partia Boshnjake dhe Iniciativa Qytetare Kroate votuan kundër ndërsa 3 abstenuan. DPS e ka akuzuar prej kohësh Kishën Serbe se po promovon nacionalizmin serb në Mal të Zi duke minuar sovranitetin e shtetit malazez.
Çfarë parashikon kjo marrëveshje?
Marrëveshja mes Abazoviç dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban disa pika të cilat pretendohet se adresojnë marrëdhëniet midis qeverisë malazeze dhe kishës serbe. Fillimisht, marrëveshja përcakton obligimet e shtetit malazez ndaj institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe: Ajo e detyron qeverinë malazeze të njohë imunitetin diplomatik apo të drejtat ekstraterritoriale të institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe në vend – gjë që i përjashton ato nga juridiksioni / ligjet lokale; Qeveria është e detyruar të regjistrojë të gjithë kishat ortodokse në vend nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të nisë procesin e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë ndërtesat e konfiskuara nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore; Marrëveshja përcakton që Kisha Serbe nuk ka nevojë të marrë leje nga qeveria malazeze për të lëvizur objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë të regjistruara nën pronësinë e saj; Gjithashtu, ajo i jep Kishës Ortodokse një status juridik i cili në disa zona, parashikohet të jetë i njëjti me atë të institucioneve qeveritare; Së fundmi, ajo parashikon mundësinë e shtrirjes së mësimeve fetare në shkolla publike dhe kontrollit dhe aprovimit të tyre vetëm nga Kisha Serbe. Problemi kryesor me vendosjen e një sasie kaq të madhe pushteti në duart e një kishe të vetme asaj Serbe është fakti që komuniteti ortodoks në Mal të Zi nuk i takon vetëm drejtimit serb. Në fakt, sipas censusit të vitit 2011, 72% e popullsisë malazeze identifikohen si të Krishterë Ortodoks prej të cilëve, rreth 70% identifikohen si pjesëtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që do të thotë se pjesa e mbetur 30% identifikohen me rivalen e saj, Kishën Ortodokse Malazeze. Më pas muslimanët përbëjnë një tjetër 20% të popullsisë dhe katolikët apo fetë e tjera, përqindjen e mbetur.
Nga Blegina BAJRAMI