
Lëvizje sizmike në mazhorancë, Maznikut i “dridhet toka nën këmbë” nga SPAK.
21 Shkurt 2025
Shumë thonë se Agaçi, i cili ka pasur një rol kyç në aferën e inceneratorit, ka frikë nga pasojat që mund të sjellë dosja e cila është drejt fundit të hetimeve.
Mazhoranca duket më shumë si një terren që po shkundet nga tërmete të brendshme. Pas kryebashkiakut Erion Veliaj, mesa duket është radha e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku. Ky i fundit ka patur një miting ditën e djeshme në Elbasan në orën 7, por që është anuluar pasi është thirrur në takim me urgjencë nga kryeministri Edi Rama. Kjo tregon se situata nuk është aspak e mirë brenda PS, pasi SPAK-u, i cili ka nisur hetime të ngushta, thuhet se ka vënë edhe nën përgjim Maznikun, dhe nuk janë të pakta thashethemet që flasin për hetime që mund të çojnë deri në arrestim që është çështje kohe. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, një tjetër peshë e rëndë në Partinë Socialiste, dyshohet se është arratisur nga Kryeministria.
Edhe pse lajmet që kanë qarkulluar flasin për një sëmundje të papritur dhe një operacion në Itali, ka shumë të ngjarë që largimi i tij të ketë të bëjë me diçka shumë më të thellë. Shumë thonë se Agaçi, i cili ka pasur një rol kyç në aferën e inceneratorit, ka frikë nga pasojat që mund të sjellë dosja e cila është drejt fundit të hetimeve.
Zoti Agaçi qëndroi vitin e kaluar mbi tre orë në SPAK për të dhënë shpjegime rreth procedurave të ndjekura nga qeveria, për miratimin fillimisht të bonusit kompanisë që mori përsipër ndërtimin e inceneratorit, e më pas dhe të kontratës. Hetimet paraprake të Prokurorisë kanë zbuluar se Këshilli i Ministrave i dha bonusin prej 8 përqind kompanisë “Integrated Energy BV”, me seli në Hollandë, e cila nuk ishte rregjistruar si subjekt në Qendrën Kombëtare të Biznesit, siç e kërkon ligji, ndonëse një fakt i tillë i ishte vënë në dukje Ministrisë së Mjedisit nga ministrja e atëhershme e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, ndërsa ishin shprehur vërejtje dhe nga ministria e Financave e ajo e Drejtësisë.
Ndërsa, sipas akteve të Prokurorisë, kontrata finale rezulton e lidhur jo me “Integrated Energy BV”, por me “Integrated Energy BV SPV”, e regjistruar ditën e nënshkrimit të kontratës, më 31 gusht 2017. Në dalje nga Prokuroria e Posaçme, zoti Agaçi deklaroi se ishte thirrur si “person që ka dijeni”, pa dhënë elementë të tjerë. Ai ka qenë ndër personat e vënë në qendër të akuzave të opozitës, lidhur me çështjen e inceneratorëve. Mesa duket ‘arratisja e tij’, tregon se SPAK ka prova që implikojnë dhe fundosin Agaçin.
Lëvizja
Burime të pakonfirmuara nga korridoret e Kryeministrisë flasin për një emër që mund ta zëvendësojë Agaçin: Vilma Guri. Ajo është aktualisht këshilltare e Edi Ramës dhe, ndonëse shumëkush mund të mos e ketë menduar kurrë si emër të mundshëm për një pozicion të tillë, është e qartë se ajo ka pasur një ndikim të madh në vendimet e rëndësishme të qeverisë. Guri, e cila më parë ka qenë një figurë disi më e prapavijës, mund të gjejë mundësinë për t’u ngritur pas një periudhe që mund të mos e ketë pasur shumë favor. E gjithë kjo, natyrisht, është për shkak të pasojave të fondit të USAID, me të cilin ajo ka pasur lidhje të drejtpërdrejta.
Nëse ky është ndryshimi që ka për të sjellë ky pastrim i shpejtë, atëherë e gjithë politika shqiptare mund të jetë gati për një tërmet të dytë, më të fuqishëm. Kur largohen figura të tilla, nuk është thjesht një zhvendosje e pushtetit, por një mesazh që dërgohet për të gjithë ata që mund të mendojnë se janë të padiskutueshëm. Pushteti në Shqipëri, asnjëherë nuk është i sigurt, dhe ky është vetëm një shembull i pasojave të mundshme kur ndoshta nuk mendon mirë për lëvizjet që bëhen në këtë labirint të politikës.
Nga: Gazeta Sot