Librazhd – Ndërton një minihidrocentral për nevojat e familjes së tij. –
Një banor në rrethin e Librazhdit ka ngritur një minihidrocentral. Të gjithë bëjnë çudi, por ai është i kënaqur me investimin dhe djersën që ka derdhur.
Teksa mësohet ky fakt , një sërë pyetjesh dalin vetvetiu. E ngriti se nuk kishte drita?! E ngriti për karshillëk ndaj shtetit ?! Apo , për të dhënë shembullin i pari në fshat përsa i përket shfrytëzimit të ujit? Sidoqoftë, përgjigjen le ta japë kushdo e si të duan.
E rëndësishme mbetet që është një iniciativë e lirë dhe me rendiment.
50 vjeçari, B.H banon në fshatin Gizavesh, rreth 20 kilometra në verilindje të Librazhdit. Fare pranë shtëpisë së tij, kalon përroi i fshatit. Ai nuk shteron kurrë gjatë dimrit.
Rrjedh që nga maja e malit të Shebenikut. Ndaj dhe 50- vjeçari ka menduar që të shfrytëzojë fuqinë e ujit për energji elektrike. Hidroçentrali është fare i vogël. Plotëson vetëm për nevojat e një familjeje. Nuk ka turbinë. Vetëm një dinamo, rrotullimet e së cilës japin energji elektrike.
Ai furnizon llambat e ndriçimit dhe të gjitha pajisjet e tjera elektroshtëpiake. Sidoqfotë, hidrocentrali mbetet funksional vetëm për gjashtë muaj në vit. Kur shteron uji i përroit, helikat e tij nuk rrotullohen dot. Kësisoj, ai gjashtë muaj vetëfurnizohet me energji elektrike. Gjashtë muaj lidhet me rrjetin.
Fqinjët janë habitur dhe kanë shtuar vizitat në familjen e tij. Mbetet i pari në fshat, që “elektrifikoi” shtëpinë e tij me dy dhoma e një kuzhinë.