Libri: – Botohet monografia për Muzeun Etnologjik të Prishtinës

Nga: Isa Vatovci

07.4.2020

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar monografinë, “Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij”, të autorit Valon Shkodra.

Kjo monografi paraqet një realitet të punës muzeore në Muzeun Etnologjik të Prishtinës, që nga hapja e tij e deri në ditët e sotme.

Monografia ndahet në tri pjesë. Në pjesën e parë janë trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me muzeologjinë, studiuesit e kësaj fushe dhe një historik i themelimit të muzeve në Kosovë.

Në pjesën e dytë të monografisë, “Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij”, trajtohen çështje që lidhen me këtë muze, jepet një historik i familjes së Emin Gjikut, në shtëpitë dhe pronat e së cilës është themeluar Muzeu Etnologjik. Pastaj jepet kronologjia e themelimit të Muzeut Etnologjik, artefaktet, organizimi dhe të dhëna tjera për muzeun.

Ndërkaq, në pjesën e tretë trajtohen çështje që kanë të bëjnë me sfidat dhe perspektivën e këtij muzeu.

Valon Shkodra, autori i kësaj monografie ka shkruar se monografia paraqet një realitet të punës muzeore në Muze, që nga hapja e tij e deri në ditët e sotme.

“Për ta përmirësuar më tej këtë punë, mendoj se është e nevojshme që në të ardhmen të punohet në platforma me bazë shkencore, me bashkëpunim të ngushtë midis etnologëve, muzeologëve, historianëve, konservueseve, restauruesve, dizajnerëve, arkeologëve, pedagogëve, arkitektëve, etj.”, ka shkruar Shkodra.

Ky muze është një nga institucionet kulturore më të rëndësishme në Kosovë për ruajtjen e eksponateve dhe prezantim të pasurisë etnologjike.

Muzeu Etnologjik është themeluar në vitin 2006. Ekspozita është e ndërtuar rreth katër temave që përfaqësojnë ciklin e jetës: lindjen, jetën, vdekjen dhe trashëgiminë shpirtërore.

Për më se dy vjet objekti kryesor i Komplekst të Muzeut Etnologjik i është nënshtruar procesit të renovimit.