Libri – Hieronymi në botën arbëreshe, Shaban Sinani,
Kjo vepër është vazhduese e shumë vëllimeve që akad.Shaban Sinani u ka kushtuar problemeve të shkencës albanologjike shqiptare dhe, në veçanti, atyre të shkencës letrare. Ky libër i ri befason me zbulimet, rivlerësimet dhe këndvështrimet e reja të disa çështjeve. Ai është një mozaik ndërdisiplinor, ku shkencat e ndryshme, historia dhe gjuhësia i japin dorën njëra-tjetrës në gërmime, thellime e zbulime.
Ky vëllim sjell ndihmesë në radhë të parë për një vështrim më të plotë, madje një rivlerësim të figurës vigane të Jeronim de Radës, së cilës koha ia rrit gjithnjë e më tepër dimensionet. Studimet e këtij vëllimi jo vetëm pasurojnë ndjeshëm studimet letrare, filologjike, etnofolkloristike dhe gjuhësore për letërsinë arbëreshe, por përbëjnë një mbështetje të rëndësishme për hartimin e një historie të re të letërsisë shqiptare, pjesë e rëndësishme përbërëse e së cilës do të jetë letërsia arbëreshe që nga fillimet e deri te bashkëkohësia.