Libri i ri/ 150 vjet histori e artit shqiptar, e rrëfyer nga Ermir Hoxha. –

Studimi “Historia e Artit Shqiptar 1858-2000” vjen në treg si një sipërmarrje serioze që unifikon, periodizon dhe vlerëson trashëgiminë kulturore të arteve pamore në vendit tonë, ku ende nuk ekziston një histori e artit shqiptar

Nga: Dhurata Hamzai 

Për studiuesin Ermir Hoxha, tema e artit të Realizmit Socialist në Shqipëri, përtej parashikimit, qëlloi të jetë një fushë pjellore.  Ai kërkon dhe zbulon vepra, stile, risi, histori të arteve pamore shqiptare. Pas botimit të librit “Arti i Realizmit Socialist”,  që u prit me vlerësime të larta nga studiuesit dhe kritika, Ermir Hoxha këto ditë ka botuar një studim tjetër “Historia e Artit Shqiptar 1858-2000”.

“Studimi “Historia e Artit Shqiptar 1858 – 2000”, u bë i mundur në saj të një pune 10-vjeçare. Ky studim përqendrohet në epokën moderne të historisë së vendit tonë, apo atë periudhë kur produkti artistik realizohej nga shqiptarët për shqiptarët, duke u shtrirë nga viti 1858 (data e fotografisë së parë në realitetin vendas, dhe si i tillë imazhi i parë realist) deri në dekadën e fundit të shekullit XX.”,  thotë Ermir Hoxha për “Shqiptarja.com”.

Studimi i Hoxhës  është shterues, duke iu referuar të gjitha rrethanave që krijuan artin shqiptar në “morsën” e Realizmit Socialist, e duke i mëshuar me një vështrim të pagabueshëm estetik asaj çka improvizuan artistët më të talentuar, të gjendur në trysninë e fortë të kërkesave shtetërore për zbatimin e metodës në art. Ermir Hoxha kujton një fakt interesant që shpjegon të gjithë zanafillën e zhvillimit të artit të Realizmit Socialist në vendin tonë, fakt që lidhet me vështirësitë e zbatimit të kësaj metode në artet pamore në gjysmëshekulli diktaturë e pak vite pas saj.

“Metoda e Realizmit Socialist, termi i hasur rëndom në çdo artikull të botuar në vitet ‘50, kishte përfituar një fizionomi të improvizuar, që në vitet e para të pasluftës… Të çorientuar ata improvizuan mbi shembujt e veprave që pëlqeheshin në konkurse, apo që lakoheshin në debate e shumta në shtypin e kohës, apo kopjuan deri diku shembujt klasikë të artit sovjetik.”, shkruan në këtë studim Ermir Hoxha, duke vijuar më tej se: “Edhe pse të qartë mbi direktivat shtetërore, vështirësitë që ata hasën për materializimin e kësaj metode, qenë serioze. Shteti shqiptar, i vetëdijshëm për këtë dhe si pasojë e mungesës së specialistëve në shumë fusha të artit (dhe të shkencës), kërkoi me ngulm edukimin e një brezi të zgjedhur nxënësish, të cilët do të dërgoheshin me studime të larta në vendet e bllokut lindor. Në një dekadë, rreth 4500 prej tyre, janë përzgjedhur sa nga cilësia, aq edhe nga shtresa shoqërore dhe biografia, u dërguan si misionarë në vendin nënë të komunizmit proletar dhe vendeve të tjera satelite.”

Pra  ky studim sjell qasje të vështrimit brenda dimensioneve të veprës, mënyrës si është krijuar, tërheqja që të dikton, dhe misteri i asaj që transmeton. Duke përzgjedhur veprat dhe dukuritë në historinë e artit figurativ shqiptar, Ermir Hoxha, me këtë vepër, e ka bërë më të qenësishme, më të prekshme, të gjithë  krijimtarinë e arteve pamore shqiptare të afër gjysmë shekulli.

Nëpërmjet këtij studimi, Hoxha prek mediumin e pikturës, skulpturës, fotografisë, grafikës dhe karikaturës dhe ato mediumet e tjera që u zhvilluan në periudhën e fundme si instalacionet dhe videot.

Libri ka 328 faqe, rreth 500 ilustrime dhe është i ndarë në 5 periudha studimore përkatësisht: Pjesa e parë; Realizmi romantik në prag të shekullit XX (1858 – 1912). Pjesa e dytë; Institucionalizimi i artit në shtetin e ri shqiptar (1920 – 1939). Pjesa e tretë; Arti pas Luftës së Dytë Botërore (1945 – 1961); Pjesa e katërt; Realizmi socialist në Shqipëri (1961 – 1985). Pjesa e pestë; Në kërkim të kohës së humbur (1985 – 2000) Rëndësia e këtij projekti qëndron në faktin që në realitetin shqiptar (të pas viteve ’90) nuk ekziston ende një Histori e Artit Shqiptar i plotë apo i pjesshëm dhe si e tillë domosdoshmëria e tij është tejet evidente. Objektiv primar i këtij botimi është të ofrojë informacion të plotë për zhvillimet e artit në vendin tonë, që prej mesit të shekullit të XIX, deri në zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare. Ai ofron një kalim të plotë analitik të gjithë periudhave historike, prej vitit 1858 deri në vitin 2000, duke analizuar veprat dhe karakteristikat e secilës periudhë. Destinacioni i tij kryesor janë brezat e rinj dhe njohja e tyre me historinë e artit të vendit të tyre si dhe vetë artistët, pozicionimi i tyre në raport me të shkuarën dhe vlerësimi i veprës së tyre si pjesë vitale e trashëgimisë kulturore të vendit tonë. Sot ky botim është i domosdoshëm për gjithë ata krijues-artistë që ende sot e shohin krijimtarinë e tyre të papërfaqësuar nga një studim i plotë që prek artin shqiptar prej shekullit të XIX deri në fund të atij XX. Për institucionet artistike të çdo niveli, të cilat ende nuk ka asnjë botim të ngjashëm, shpjegues e analitik, si dhe për gjithë ata të rinj apo studiues, që duan të dinë më shumë për artin e vendit të tyre, si në studime krahasuese, apo përqasje fenomenologjike. Ky botim mbetet sipërmarrja më serioze për të unifikuar, periodizuar dhe vlerësuar trashëgiminë kulturore të arteve pamore të vendit tonë. Ai propozohet si mëse i përshtatshëm në volum dhe përqasje dhe brenda gjithë parametrave shkencor për të arritur objektivat dhe rezultatet e pritura.

Ermir Hoxha, autori i librit “Historia e Artit Shqiptar 1858-2000” është pedagog i lëndës së Historisë së Artit Shqiptar në Universitetin e Arteve dhe menaxher i galerisë FAB në të njëjtin institucion.

Edison Gjergo.

Gazeta: Shqiptarja.com