Libri: Kater Burrat.
Libri; Kater Burrat.
Prof. Dr. Fedhon Meksi: Mahmud pashë Bushati, Ali pashë Tepelena, Veqilharxhi dhe Vangjel Zhapa
Kap.I. ANTISHQIPTARIZMI, MËKAT I VJETËR ENDE I GJALLË
Në librin ‘Mosmarrëveshja…’ shkrimtari i madh Ismail Kadare i ka trajtuar rilindësit si vetëm ai di: “Ashtu si flamuri, ashtu si himni, e pa dyshim Kastrioti, rilindësit quheshin të paprekshëm në Shqipëri. Këta misionarë, që herë-herë merreshin si apostuj, por pa Krisht, ishin gjendur në krye të popullit shqiptar në një orë të veçantë për të, atë të ndarjes së robërisë nga liria”. (Kadare, I.: Mosmarrëveshja, 2010, f. 114).
Veçse, edhe për vlerësimin e rilindësve tanë kemi debatuar shpesh në të kaluarën dhe s’kemi dashur t’i kuptojmë ata siç duhet. Por koha në shekullin që jetojmë nuk na i fal vonesat. Ne nuk mund të kemi një të tashme të gjallë me një të shkuar të vdekur, aq më tepër kur e kemi vrarë vetë, ose kur me indiferencën tonë kemi lejuar dhe po e lejojmë që të na e vrasin. Duket e çuditshme, por është e vërtetë.
Të gjithë veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që kanë jetuar gjatë shek. XIX, edhe kur janë vrarë ose helmuar nga armiqtë e betuar të kombit shqiptar, për ta është organizuar një propagandë e hapur me shpifje dhe trillime jo vetëm nga jashtë, por edhe brenda vendit. Ali pashë Tepelena pa dyshim është sulmuar më shumë nga gjithë të tjerët, por duke vazhduar kronologjikisht nuk mund të thuhet se është kursyer dr. Vangjel Meksi, mjeku i tij dhe shqipëruesi i suksesshëm i Dhjatës së Re. Sapo ndërroi jetë (1823), emri i tij, i shqipëruesit të vërtetë, u hoq nga ballina e librit të shejtë.
Për më tepër, në botimin e vitit 1827 u hoqën gjithashtu të gjitha germat neolatine që kishte përdorur doktori në alfabetin e tij të veçantë, për të zëvendësuar germat greke që nuk u përshtateshin germave shqipe. Më vitin 1846 helmuan Naum Bredhi-Veqilharxhin, i pari ndër shqiptarët dhe të huajt që paraqiti lashtësinë e kombit shqiptar dhe përparësinë e kombit mbi fetë si bazë e harmonisë fetare, një fenomen specifik shqiptar. Kanë kaluar 200 vite dhe në ndonjë libër të ditëve tona është shpifur “trashë-trashë” edhe për Naumin, dëshmorin e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Vetëm për nga letërnjoftimi janë shqiptarë ata që baltosën figurën e atdhetarëve të kulluar shqiptarë, Vangjel Zhapa dhe Anastas Byku, të cilët me siguri janë shqiptarë edhe nga genet. Kurse për dr. Apostol Meksin, etnologun e parë shqiptar, u zgjodh një tjetër mënyrë baltosjeje, ajo e harresës. Duke filluar nga mesi i shek. XIX, atdhetarët shqiptarë, intelektualë, por edhe studentë, filluan të mblidhnin prova direkt nga populli i tyre, që të dëshmonin se etnografikisht shqiptarët ndryshonin nga popujt e tjerë, dhe si komb i veçantë ata duhet të njiheshin edhe nga të huajt si i tillë.
Kaluan afro 200 vjet, por gjimnazistët e Zosimeas, Apostol Meksi dhe Kostandin Kristoforidhi, përgojohen edhe sot për vërtetësinë e përallave e gjëegjëzave që ata i mblidhnin direkt nga populli i tyre. Shqiptarët zor se i falin ata që kanë mbajtur të fshehur, duke mos e përmendur as edhe në librat e historisë të shkollave të mesme, shkollën e Labovës së Madhe (1861-1892) me foshnjore, fillore, qytetëse dhe dy klasë gjimnaz, ku mësohej edhe gjuha shqipe (1861) me abetaren Grammë për shqiptarët, abetarja e tretë në gjuhën shqipe pas dy Ëvetareve të Naum Veqilharxhit, pa dyshim e porositur nga Vangjel Zhapa dhe e shkruar nga Anastas Byku.
Në vazhdim, do të përpiqem të armatos lexuesit me fakte dhe argumente të mjaftueshme, në mënyrë që ata të njohin jetën edhe veprën e atdhetarëve shqiptarë me aktivitet gjatë periudhës 1778-1878, që, për fat të keq, disa prej të cilëve nuk mësohen në shkolla ose mësohen pjesërisht dhe në ndonjë rast edhe me gabime. Mësimi i mangët i Historisë së popullit shqiptar në shkollat e mesme, 19 që mjaftohet vetëm me Skënderbeun, pa u thelluar me Ali pashë Tepelenën dhe Mahmud pashë Bushatin e Shkodrës, për të vazhduar të paktën me dr. Vangjel Meksin, Evstrat Vithkuqarin, dr. Jan Velarain, Haxhi Shehretin, Naum Bredhi Veqilharxhin e Madh, Vangjel Zhapën, Athanas Paskalin, Anastas Bykun, Apostol Meksin etj., është një krim patriotik dhe një nga faktorët kryesorë të ftohjes së të rinjve shqiptarë me atdheun dhe të parët e tyre, dhe si pasojë me emigrimin masiv që po rritet në mënyrë progresive.
Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pa dyshim është më i madhi ndër shqiptarët e djeshëm dhe të sotëm. Por të rinjtë e sotëm sigurisht që mund të zgjedhin për të pasur si model edhe një tjetër përkrah Skënderbeut, ndoshta një ose më shumë nga ata që u paraqitën më sipër, ose të tjerë patriotë shqiptarë që u dalluan gjatë Lidhjes së Prizrenit, ngritjes së flamurit në Vlorë, në luftën fitimtare të Vlorës, si edhe në luftën kundër pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por këta trima shqiptarë fillimisht duhet të njihen nga të rinjtë e sotëm, vetëm pasi t’ua paraqesim kryesisht në librat e tyre të historisë, në të cilët duhet të vendosen disa raporte të tjera e të logjikshme midis kapitujve, ndoshta edhe të shtohen disa të tjerë për periudha të caktuara të historisë së popullit shqiptar që kanë pasur aktivitet të dendur patriotik. Veçse sa më shpejt. Pa u vonuar.
Nga: Alb.Spirit.Com