Libri: – “Për në Shqipëri, Karl!”, një roman mbi historinë e Shqipërisë
Libri: – “Për në Shqipëri, Karl!”, një roman mbi historinë e Shqipërisë
Nentor, 2020
Nga Ilirjan Gjika*
‘’Për në Shqipëri, Karl! është titulli origjinal i romanit të autorit Peter Marxheimer, botuar së pari në Gjermani në vitin 2007. Libri është më shumë një roman historik rreth ngjarjeve që zhvillohet në vendin tonë në prag L. I. Botërore. Por, autori, me shumë mjeshtëri vendos në qendër të tij udhëtimin e një gazetari gjerman, të cilin e lidh me ngjarje dhe persona realë, protagonistë të zhvillimeve historike të kohës. Shoqëruar me nëntitullin: “Një udhëtim ndryshe në vitin 1914’’, autori Marxheimer, na sjell një narracion të përsosur, ndërsa përshkruan një ‘’sagë’’ të vërtetë ngjarjesh të historisë së Shqipërisë, të cilat edhe studiuesit më të zellshëm do t’i kishin pasur zili. Kjo vihet re te subjekti, i cili përbën në vetvete një vëllim voluminoz prej 491 faqesh, ndërsa karakteri i dyfishtë i tij, bën që ai të jetë jo vetëm një roman, por edhe një studim historik i mirëfilltë, duke shtuar me këtë rast edhe më shumë sfidën dhe përgjegjësinë profesionale të autorit dhe të përkthyesit para lexuesit.
Vepra në fjalë është një botim cilësor i Shtëpisë Botuese UET-PRESS dhe përbën një prozë të gjatë, ku Klaus-Peter Müller (nën pseudonimin letrar: Marxheimer – shqiptohet: Marks-Hajmer) duket se ka skalitur artistikisht një pjesë të historisë së Shqipërisë, sjellë në variantin e tij. Në fund të fundit ky është kodi dhe mënyra që ai ka zgjedhur për të komunikuar me lexuesin. Dhe kjo është padyshim një meritë e tij, duke prezantuar një histori ndryshe, ku realja dhe fantazia krijuese, ecin dora-dorës gjatë gjithë linjës në subjektin e romanit.
Duke shfletuar librin, lexuesi njihet fillimisht me udhëtimin e gazetarit gjerman Karl Rihter. Ai niset nga Berlini drejt Vjenës, ku autori, me një përshkrim brilant, mbarsur me mjete të pasura stilistikore, e josh lexuesin duke e futur në mënyrë romantike në atmosferën e fundit të “Belle Epoque”. Jemi në verën e vitit 1913 dhe në të dy perandoritë gjermanike, nuk kishin nisur të ndiheshin akoma “ethet e luftës”.
“E gjithë Vjena, një kafené!, shkruan midis të tjerave autori, ku bisedat e çdo lloji, hartimi i dorëshkrimeve, apo kërkimi nëpër gazeta ishte gjithçka që bëhej në kafené. Dhe pikërisht në njërën syresh, aty në metropolin e Perandorisë Habsburge, nis edhe aventura e personazhit kryesor.
Si një model nga letërsia romantike për “jetën levantine” të Orientit dhe i joshur nga tregimet e Baroneshës fon Godin, Rihteri-gazetari i ri, do të nisë aventurën e tij shqiptare. Pikërisht kjo aventurë do të rezultojë e njëllojtë me sipërmarrjen politike, të bashkëatdhetarit të tij, princit të parë të Shqipërisë: Vilhelm Vidit.
Të dyja këto histori, siç e shpreh edhe vetë autori, “të ndodhura në verën e vitit 1914, rrjedhin në mënyrë paralele” dhe përbëjnë kësisoj boshtin kryesor të romanit. Kështu, Rihteri udhëton në shkurt të këtij viti drejt Shqipërisë, ndërsa Vidi një muaj më vonë shkon drejt të njëjtit destinacion, për t’u ulur në fronin e shtetit të krijuar rishtazi dhe në dukje, të pavarur. Të dy personazhet, njëri i sajuar nga pena e Marxheimer-it dhe tjetri jetësor-historik, kanë një drejtim të përbashkët në udhëtimin e tyre. Ai është pikërisht vendi ynë, të cilin ata, sipas mënyrës së tyre, do ta zbulojnë në vitin 1914, në prag të shpërthimit të “Luftës së Madhe”.
Çuditërisht, të dy gjermanët do të kenë po të njëjtën pikë takimi; Durrësin, i cili atëherë, “për herë të parë e të fundit në historinë e Shqipërisë, ishte dhe kryeqytet”, ku aventura politike e princit, konsiston në përmbushjen e një detyre thuajse të pamundur. Asaj që nga një ish-provincë osmane si Shqipëria, tashmë të ngrihej më këmbë një ngrehinë shtetërore.
Në kryeqytetin e ri, lëvizin të gjithë personazhet që përshkruhen nga pena e Marxheimer-it. Shumica e tyre realë, sikurse e thekson në parathënie edhe vetë autori, janë mbledhur e bërë bashkë duke u marrë nga (auto) biografi dhe tekste të ndryshme dhe përbëjnë njëherazi një prej shtyllave bazë ku mbështetet dhe vepra. Kështu, në faqet e librit të dalin përpara personazhe të njohur dhe protagonistë të historisë sonë si: Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani, Beqir Grebeneja, gjenerali De Veer, Princi Vid, gjeneral Telini, Fan Noli, Konica, Dervish Hima, Abdi e Murat Toptani, Nikoll Kaçorri, Gjergj Fishta, Prenk Dod Biba, e shumë të tjerë të cilët autori na i sjell të gjallë tashmë, aq sa duket sikur i ka takuar vetë e është pjekur gjatë me ta.
Në roman ndeshim edhe aktorë dhe subjekte të asaj kohe si Lloidin Austriak, Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, Gjykatën Ushtarake, por edhe qytete si Vlora, Shëngjini, Shkodra apo Kruja, në të cilat do të luhej drama e Shqipërisë së fillim shekullit XX.
Ndërsa baronesha Ameli fon Godin është në vetvete një personazh i mirëfilltë historik, e cila përshkruhet kështu nga Peter Marxheimer në një nga faqet e veprës së tij: “Ajo është vërtetë një grua e veçantë!”, po mendonte ai gjithnjë e më shumë. “Udhëton në moshën 24-vjeçare, thuajse e vetme në Orient. Miqësohet rrugës me fisnikun më të ri e më të pasur të Shqipërisë. Jeton qysh prej asaj kohe gjysmën e vitit në atë vend dhe mbështet praktikisht dhe me publicistikë lëvizjen për pavarësi të shqiptarëve” (f. 24). Jo më pak prezente është aty “zonja e shqiptarëve”, Edith Durham, me mendimet dhe gjykimet e saj, sikurse dhe Baroni kontrovers hungarez, Nopça. Ngërthyer me to, si pa kuptuar, lexuesi shtyhet të takojë në Vjenë madje edhe një personazh të famshëm të historisë e filozofisë së fillimshekullit të 20-të; Leon Trockin, dedikuar ekskluzivisht ngjarjeve rreth dhe për Shqipërinë e shqiptarët. E qershia mbi tortë është vetë Kajzeri Gjerman, i cili, falë Marxheimer-it, si rrallëherë na shfaqet me mendimet e gjykimet e tij tij jo vetëm për Vidin, por na zbulon edhe qëndrimin gjerman rreth “ccështjes shqiptare”.
Ndërsa ndjehet qartë rrjedha e natyrshme e romanit, pa sjellë në asnjë moment lëkundje, lapsuse apo “humbje të ekuilibrit” autorial, në libër gjen përshkrime të hollësishme të të gjitha ngjarjeve të historisë së Shqipërisë së kohës, profile të njerëzve me pushtet dhe të rënë prej tij, personazhe të njohur të Orientit dhe Oksidentit, të cilët, fati i vendosi përballë njeri-tjetrit, së bashku me fuqitë e mëdha të Europës dhe politikën e tyre.
Ndërkohë penës së autorit nuk i mungojnë edhe përshkrimet e bukura dhe plot kolorit që tregojnë dyzimin e tij mes të qënit sa historian, po aq edhe shkrimtar. Karl Rihteri, personazhi kryesor, duket se e arrin qëllimin e tij, ku na shfaqet jo pak edhe natyra e tij sa romantike aq edhe aventureske, një njeri me ndjenja, frikëra dhe gjykime, ashtu fare i gjallë, si të gjithë ne të vdekshmit e sotëm e të djeshëm, ndërsa nëpërmjet protagonizmit “të merituar”, arrin të prekë dhe kontaktojë të gjitha ngjarjet dhe aktorët e teatrit ku zhvillohen aktet më të fundmit politike të kontinentit plak, të periudhës së para Luftës së Parë Botërore.
Duke lexuar librin, gjithkush vë re se rrëfimi i tij paraqet një sfidë më vete për lexuesin. Kjo ndodh për shkak të subjektit voluminoz të romanit, i cili është i një lloji të veçantë të romanit historik. Si dukuri haset herët në botimet e bëra në Shqipëri, kryesisht nga autorët rusë. Të tillë kanë qenë “Lufta dhe Paqja e Tolstoit”, botuar në vitin 1961, apo “Kështu ka ndodhur”, e Juri Korolkov, botuar në vitin 1974, të cilët përmbajnë dyfishin e faqeve të librit të Marxheimer.
Gjithsesi, autori ia kushton këtë botim një lexuesi të specializuar dhe me njohuri të plota në lëmin e historisë, ku hera-herës, duket si një roman i krijuar enkas për të sfiduar historiografët.
Në të vërtetë, narracioni i Marxheimer-it jo vetëm nuk e lodh lexuesin, por me morinë e ngjarjeve interesante dhe përshkrimeve brilante, e ndihmon atë t’a kapërcejë lehtësisht këtë problem. Atë e sjell të freskët, të qartë dhe të kuptueshëm përkthimi profesional i Armand Plakës, i cili në këtë rast ngjan të ketë qenë zgjedhja e duhur. Kjo ndodh sepse përkthyesi i kësaj vepre nuk vjen në mënyrë direkte nga fusha e përkthimit letrar (edhe pse numëron disa kontribute edhe në këtë lëmë), por nga ajo e gazetarisë e publiçistikës, mbarsur me një pasion të lavdërueshëm e me kontribute edhe në fushën e historisë. Falë këtyre dhuntive, fjala e Marxheimer-it, e ardhur në shqip, na përcillet e vërtetë, e latuar dhe me kumte të qarta, sikur autori ta kishte shkruar atë në një shqipe të pastër.
Ndërkohë që një tjetër element për t’u ndalur e vlerësuar është se në fund, botimi është pajisur edhe me shpjegime të karakterit të ndryshëm, frut i punës së autorit. Ato përmbajnë jo pak, por 57 përshkrime të biografive reale të personazheve të këtij libri, që nisin nga Fejzi Bej Alizoti dhe Isa Boletini, për të përfunduar te një nga protagonistët më në zë të historisë së Shqipërisë, Ahmet Zogu.
Më pas shtyhemi të shfletojmë një tjetër rubrikë shpjeguese, të titulluar “Vende dhe nocione”, e cila është pothuajse e ngjashme me të parën. Në fund është edhe “Literatura”, një bllok prej më shumë se 50 autorësh të ndryshëm, veprat e të cilëve, Peter Marxheimer, i ka studiuar dhe shfrytëzuar për subjektin e librit të tij. Siç e shpreh edhe përkthyesi i veprës, Armand Plaka në një intervistë së fundmi, në këtë rast autori, na ka ndihmuar të njohim më mirë disa guva të historisë sonë.
Vepra është renditur si pjesë e kolanës prestigjoze të botimeve “Scripta Manent” dhe përmban një parathënie nga studiuesja e mirënjohur, Prof. Dr. Nevila Nika, sikurse edhe një të tillë nga vetë autori. Po ashtu, aty gjendet edhe një vlerësim nga historiani dhe albanologu gjerman, Dr. Michael Schmidt-Neke.
Duke i uruar romanit suksese në rrugëtimin e tij, të tjerat le t’ia lëmë për t’i zbuluar publikut shqiptar në tryezën e leximit.