Libri: -“Shenjtëri të vjedhura”, nga Shën Kozmai, tek Janullatosi…
Libri: -“Shenjtëri të vjedhura”, nga Shën Kozmai, tek Janullatosi…
Flet Naun Kule, autor i librit “Shenjtëri të vjedhura”
Pas një zhurme të bujshme mediatike të verës së vitit 2014, mbi festimin nga Janullatosi të 300-vjetorit të lindjes së shën Kozmait në fshatin Kolkondas të Fierit (vendvdekja), ky libër i studiuesit Naun Kule, është interesant dhe aktual. Ai zbulon prapaskenat e një promovimit të politikës nacionaliste greke në Shqipëri, rolin aktiv të “shën Kozmait të ri” dhe mbështetësve të tij, në këtë strategji antishqiptare fshehur në emër të fesë dhe “shenjtërisë” së rreme. Pata kënaqësinë ta lexoja në dorëshkrim këtë libër interesant dhe bëra me autorin këtë bashkëbisedim interesant.
– Naun, ç’është ky libër me këtë titull të çuditshëm: “Shenjtëri të vjedhura”?
– Një libër shumë i rëndësishëm për mua. Kam në dorë librin për etnokulturën e Myzeqesë dhe aty, kisha përfunduar një kapitull për “Shën Kozmain e vjedhur”. Ngjarjet e fundit më bindën se çka shkruaja aty, nuk ishte e plotë. Pa pretenduar për trajtim shterues, besoj se në këtë libër kam shkruar shumë më tepër për murgun Kozma Etoli dhe mbështetësit e tij, brenda e jashtë Shqipërisë të cilët, paguhen dhe paguajnë miliona për të na e shitur si “shenjtor”.
– Po ç’ishte shtysa për ta trajtuar këtë emër që vjen nga tre shekuj të shkuar?
– Nuk është vetëm një emër. Është një mision politik nacionalist, i fshehur prapa fesë dhe kishës greke, buruar nga strategjia e Megalo-idhesë që zhvillohet në emër shenjtërisë së rreme, posaçërisht në krahinat e jugut të Shqipërisë, pra të “Vorio Epirit” grek. Murgu Kozma Etoli është vetëm njëri nga misionarët e kësaj strategjie. Është mveshja e politikës nacionaliste greke me zhgunin e priftit dhe gjoja “shenjtërinë” e klerikëve. Gjithsesi, libri s’ka të bëjë as me fetarët, as me të shenjtët e vërtetë, të cilët, kanë gjithë nderimin tim në përkushtimin e tyre hyjnor. Përkundrazi, libri trajton pseudofetarët, ata që mashtrojnë dhe fshihen prapa kryqit dhe Krishtit, ata që vjedhin e përdhosin shenjtërinë e vërtetë. Ndaj imzot Noli shkruante: “Na duhen priftërinj dhe hoxhallarë të vërtetë, jo vegla politike pasi… e keqja shqiptarëve nuk u vjen nga besimi dhe fetë, por nga liderët fetarë…”
– E njohim Kozma Etolin me vlerësime të kundërta. Si nacionalist grek, si agjent dhe spiun i disa fuqive të kohës, si armik i shqipes e shqiptarëve… Cili është në të vërtetë ?
– Kjo përbën edhe shtysën pse duhet ndriçuar figura dhe vepra e këtij murgu antishqiptar, duke e zhveshur nga legjendat folklorike siç sajojnë ca “studiues” grekomanë. Kozma Etoli është person historik, (Etoli, 1714 – Kolkondas, 1779). Nëse do ishte vrarë e varrosur gjetkë, jo në Myzeqe, sot s’do t’i dihej as emri, jo më varri. Kisha greke paguan një dyzinë me autorë dhe libra, si “dhoro” për ortodoksit shqiptarë nga “Kosherja ortodokse” e Selanikut që e “shenjtërojnë” murgun Kozma. Atëhere, a duhet të shkruajmë edhe ne për të vërtetat tona apo do duartrokasim “dhorot” e të huajve edhe kur na e shesin “sapunin për djathë”? Ungjilli shkruan se “Fjala është më e ndershme nga heshtja” pasi, “Nga heshtja jonë e vazhdueshme, përfitojnë të tjerët…”. Shqiptarët dhe veçmas myzeqarët, paguajnë ende, haraçet e heshtjes së vazhdueshme..!
– Paraardhësit tanë ishin ata që e besonin dhe e mbështesnin murgun Kozma. Apo jo?
– Sigurisht! Por zhvendosini ngjarjet 300 vjet të shkuara. T’u flisje asokohe bujqve analfabetë, për liri e barazi sociale dhe shkollimin e fëmijëve, ata të adhuronin. Shtoju këtyre edhe Krishtin e kishën e asaj kohe, në emër të të cilëve premtonte murgu Kozma. Po për gjuhën shqipe, ai bënte thirrje “Mos u lutni në shqip se nuk u dëgjon zoti…! Lutuni dhe mësoni greqisht se edhe kombi ynë është grek… Edhe kisha jonë është greke… Gjuha shqipe është e mallkuar! Kush nga ju do më japë fjalën sot se këtej e tutje, do flasi në shtëpi vetëm greqisht dhe unë do t’i marrë mbi vete gjithë mëkatet e tuaja…!”
– Jeni “bashkëvendas”, me vendvarrimin e Kozmait dhe manastirin e Kolkondasit. E ka pasuruar ky fakt librin tuaj me kujtime dhe imazhe të veprës së Kozmait në këto anë?
– Libri nuk mbështetet në rrëfenja e kujtime, por në dokumente nga dhjetëra autorë, shqiptarë e të huaj. Por, si për çdo krijues, edhe vendlindja ime, e ka pjesën e vet… Fëmijëria e brezit tim hipzbritej mes dy manastireve: të Ardenicës dhe të Kolkondasit. Dielli na thoshte “mirëmëngjes” nga kambanarja e Ardenicës dhe “natën e mirë” nga ajo e Kolkondasit, tek zbriste e “zhytej” në det. I rritur në një familje gjenetikisht ortodokse (babai Kristo, ishte psalës në kishën e Libofshës), qendrat e kultit dhe veprimtaritë e tyre, përbënin ngjarjet e kohës. Prisnim me dëshirë panairet e përvitshme të dy manastireve tona. Si fëmijë, edhe kam fjetur me nënën në dyshemenë e brendshme të manastirit të Ardenicës, si shumë besimtarë që shpresonin fat nga shën Maria…
– Ju shtyn predispozicioni fetar apo detyrimi intelektual për vendlindjen dhe Myzeqenë?
– Të dyja bashkë. Unë ndihem mirë në përkatësinë time fetare dhe falënderoj cilindo që respekton besimin tim ortodoks. Kam shkruar e botuar për shumë klerikë ortodoksë, myslimanë e katolikë përveçse, si edhe dy libra për manastiret ortodokse të Myzeqesë. Respektoj besimin e gjithkujt sa kohë që ai i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kultet fetare dhe harmonia mes tyre, janë pasuri e gjithë kombit. Përpara se të jemi ortodoksë, myslimanë apo katolikë, jemi shqiptarë. Nga të lindurit shqiptarë, jemi të gjithë njëlloj, gjenetikisht, historikisht dhe tradicionalisht. Fenë, edhe mund ta ndërrojmë, por gjenezën, kodin gjenetik, gjuhën, tradicionin dhe historinë si shqiptar, kurrsesi. Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, i provoi të tria fetë; por mbeti shqiptar e bir shqiptari…! Por, a jam besimtar? Sigurisht, shkoj në kishë e ndez edhe qirinj për të dashurit e mi. Por, nuk jam praktikant. Unë i përkas atij grupi, qindra milionësh në botën e sotme, për të cilët, anglezi i madh Bernard Shou shkruante: “Unë jam ateist dhe për këtë falënderoj zotin…” Domosdo, si qytetar e intelektual, m’i vrasin veshët lutjet në gjuhë të huaj, qofshin liturgjitë krishtere, apo suret myslimane. Ndaj falënderoj cilindo që flet dhe shkruan shqip në shërbesat fetare, ata që mbrojnë tradicionin atdhetar të KOASH-it, pavarësisht në janë të krishterë a myslimanë, “brenda apo jashtë kishës”. Mjafton të jenë brenda kombëtarizmës tonë, për të cilën kemi nevojë të gjithë….!
– Tek flet për lutjet fetare në gjuhë të huaj, kujtoj një botimin tuaj tepër kritik, me titullin “Hirësi Janullatos, Zoti flet edhe shqip…!” Vazhdon të përbëjë shqetësim meshimi greqisht në kishat shqiptare?
– Sigurisht. Është një problem për të cilin kryepeshkopi Anastas nuk ka as vullnetin minimal, për ta bërë siç e kërkon ligji dhe nomet e ortodoksisë shqiptare. Për të qenë konkret po u sjell një fakt historik nga krahina ime. Në AQSH, një dokument i vitit 1930, shkruan ankesën e banorëve të fshatit Ndërnënas-Myzeqe, që kërkojnë nga titullari i Komunës së Libofshës dhe nënprefekti i Lushnjes, të ndëshkohet prifti J.Z., sepse në Pashkët e atij viti, meshoi greqisht… Dhe prifti u ndëshkua…! Pra, gati një shekull përpara, në një fshat të largët të Myzeqesë, besimtarët ortodoksë përzenë priftin e fshatit vetëm pse meshoi greqisht…Kurse sot? Në mes të Tiranës, kryepeshkopi i Shqipërisë, i cili e ka detyrim ligjor të flasë e meshojë shqip, meshon greqisht…!? Ja, kjo ishte kritika ime. I “kujtova” hirësisë Anastas se Zoti flet edhe shqip…! Ndërsa Anastasi, jo vetëm që m’u përgjigj egër, (përmes kalemxhiut të tij mercenar, Piro Prifti), por edhe guxoi të justifikohet duke shkruar në librin e vet autobiografik, se: “…Anastasi është i detyruar të përdorë përkthyes se sa të mësojë në këtë moshë të thyer një gjuhë të huaj…”?!
– Zoti Naun, të flasim për Kozmain. I keni bërë një “autopsi” të detajuar figurës dhe veprës së tij. Në ç’rrethana jeni njohur me këtë veprimtari kontroverse?
– Ua thashë, kemi qenë “fqinj”…! Si mësues në Libofshë, dhe si bashkautor i “Historisë së arsimit të Myzeqesë”, që në vitet shtatëdhjetë (shekulli 20-të), njoha shumë klerikë dhe mësues patriotë të cilët, në skolitë greqisht, rrezikonin e u mësonin fëmijëve edhe shqipen. Një skoli e tillë kishte qënë edhe në manastirin e Kolkondasit i cili, pas viteve 1950-të, u shndërrua si qendër e kooperativës bujqësore… Por, vizita këtu e ish-ministrit të Jashtëm grek Karolios Papulias (1986), porosia e tij, (“Lëreni të shënjtin të prehet në tokën e vet!”), ruajtja, pas kësaj e eshtrave me policë, zgjuan interes për “varrin e grekut”, dhe shtuan oreksin e hajdutëve, të cilët, një ditë i vodhën dhe i shitën. Për këtë ngjarje kam bërë shkrimin e parë për murgun grek. (“Shën Kozmai i vjedhur”, Revista AKS, Tiranë, 27 maj,1995). Një javë pas botimit të këtij shkrimi, më kërkuan në zyrat e Mitropolisë në Tiranë. Atë T. më priti miqësisht. Pasi u sigurua se isha autori, tha se “Na vijnë shumë të huaj, turistë e studiues që duan të dinë më shumë për të shenjtin, varrin në Kolkondas… Edhe për Ardenicën, Apoloninë…”. Shkurt, a mund të shkruaja një libër për “shën” Kozmain…?, ishte pyetja. KOASH-i, merrte përsipër pagesat për gjithçka duhej, përfshirë edhe shkuarjen time ndër manastire të Greqisë, për dokumente “origjinale” si dhe botimin e librit. “Po të na shkruash një libër për shën Kozmain, ne të mbajmë këtu!” tha atë T. dhe ngriti dorën mbi kokë. I shpjegova uratës se nuk kisha njohuritë e mjafta për shën Kozmain… Por, fillimisht mund të shkruaja për Ardenicën, duke mbledhur ndërkohë, materialet edhe për Kozmain… Kështu shkrova monografinë “Rrëfimet e Ardenicës” (Tiranë, 1999), për të cilën, “intelektualët” filogrekë të Mitropolisë në Tiranë, më sorollatën dy vjet duke kërkuar ta mbyllja librin me një “Falënderim për Fortlumturinë Anastas”, gjë që s’mund ta shkruaja kurrsesi. Librin tim (1000 kopje) e tregtoi KOASH-i i cili, e shpërbleu autorin, me 10% – 100 kopje libri që nuk më mjaftuan as për miqtë…! Kjo është e vërteta për librin tim “Rrëfimet e Ardenicës” dhe jo siç shkruan shërbëtori i Anastasit, Pirro Prifti.
– Dhe ja, pas 15 vjetësh libri për “shën” Kozmain e parë e “të dytë”… Referencat e shumta tregojnë se koha dhe materiali ishin të mjaftueshme…
-Mendoj se përkushtimi i kryepeshkopit Janullatos me investime dhe veprimtari antishqiptare në Kolkondas, i ka bërë më shumë dëm se sa dobi emrit të murgut grek. Asnjëherë nuk janë baltosur kaq shumë murgu Kozma dhe bashkë me të, dhe Anastasi. Njerëzit që e njihnin gjoja për të shenjtë, mësuan se në të vërtetë, murgu Kozma paska qenë spiun dhe agjent, racist e, mbi të gjitha, një antishqiptar që ka mallkuar e luftuar gjuhën shqipe…! Kësisoj “shenjtëria” e Kozmait sa vjen e bjerret, duke u shtuar zërat që e akuzojnë. Hodha në letër ca të vërteta (të dokumentuara), që kanë shkruar dhjetëra historianë, shqiptarë e të huaj, për ta nxjerrë murgun grek nga dritëhijet profetike dhe shenjtëria e rrejshme e shekullit të tetëmbëdhjetë, siç i duhet politikës nacionaliste dhe vorioepirote. Mbi të gjitha, libri synon të qartësojë abuzimin e kishës greke me “shenjtërinë e vjedhur” të murgut Kozma, i cili, kurrë s’ka qenë i shenjtë..! Përkushtimi i Anastasit për të festuar 300 vjetorin e lindjes së Kozmait, pikërisht në ditën dhe vendvrasjen e tij, në Kolkondas, e demaskoi hapur mbulesën fetare të kësaj veprimtarie nacionaliste duke e nxjerrë sheshit hajdutërinë e “shenjtërisë së vjedhur” për qëllimet e politikës vorioepirote greke. Kësisoj, Janullatosi u identifikua përfundimisht si “Shën Kozma i dytë” por tashmë jo në Kolkondas, por në Tiranë…!
– Theksoni në libër se ardhja e grekut Anastas në krye të kishës shqiptare, i ka dëmtuar marrëdhëniet greko-shqiptare, ndryshe nga ç’pritej prej një lideri shpirtëror. Kundërshtoni edhe alibinë e Anastasit se atë, gjoja e kritikojnë vetëm pse është grek…!?
– Ato që thotë Anastasi për kritikët ndaj tij dhe KOASH-it, janë sajesa hileqarësh. Anastasin në Shqipëri e kritikojnë jo pse është grek, por sepse nuk është kryepeshkop. Shqiptarët prisnin tjetër gjë nga kryepeshkopi Anastas. Ndaj sot janë të zhgënjyer deri në shqetësim. Këtej burojnë edhe kritikat, ndaj të cilave Anastasi krijon alibinë e grekut të viktimizuar…!? Hirësia e di mirë se askush nuk ka kritikë për grekun Anastas, por për kryepeshkopin Anastas dhe grekomanët që e rrethojnë. Mijëra grekë që punojnë e jetojnë sot në Shqipëri dhe qindramijët e shqiptarëve në Greqi, i rrëzojnë alibitë e Janullatosit. Përsa më përket mua, prej kohësh punoj paqësisht edhe me grekë dhe nderojmë miqësisht njeri tjetrin. Madje, njeri nga nipat e mi, ka për grua Aspasinë, një greke e bukur dhe e fisme, e zgjedhur në Athinë, krushqia me të cilën meriton gjithë nderimet e familjes dhe të fisit tim. Greku Kosta J., ish-bashkëpunëtor i Anastasit, sot drejtues Universiteti në Tiranë, në fillimet e punës në Shqipëri, banoi gjatë në familjen time, në Tiranë. Mund të vazhdoj me shembuj të tillë, krejt të zakonshëm për botën e sotme të cilat, edhe Anastasi i njeh por, interesi ia do të sajojë alibira për t’u viktimizuar…
Bisedoi Xhevdet Shehu