“Ligjet e pronave janë përdorur për fushatë”/ Eksperti Begaj: Ligji 7501 problematik, kemi nevojë për hartë unike
18 Dhjetor 2024
Eksperti i pronave Gjergji Begaj, i ftuar në emisionin Koha për t’u zgjuar në News 24 të moderatorit Klevin Muka, tha se qeveritë në Shqipëri kanë aprovuar ligje për pronat sa për fushatë elektorale.
Begaj theksoi se ligji 7501 është problematik. Ai u shpreh se kemi nevojë për një hartë unike, që të zgjidhet problemi i mbivendosjes.
“Ligjet e pronave janë përdorur për fushatë. Ligji 7501 ishte problematik, solli shumë çrregullime dhe konflikte e viktima. Edhe gjykatat shpesh herë nuk kanë qenë të drejta. Ka vepruar edhe Komisioni për Kthimin e Pronave dhe janë krijuar mbivendosje. Na duhet një hartë unike. Është punuar me harta të vjetëruara. Harta unike është si pasaporta, edhe prona ka një numër, që ky numër nuk duhet të tjetërsohet”, tha Begaj.
Në lidhje me rivlerësimin e pronave, Begaj deklaroi se ka dijeni se Ministria e Financave po punon në këtë drejtim. “Ministria e Financave po punon për rivlerësimin e pronave, që të kemi vlerësimin real. Në Tiranë po punohet për këtë, por edhe në rrethe. Marrim si shembull Kasharin. Tokat anash autostradës sot kushtojnë 100-200 euro për metër katror, ndërsa me çmimin fiskal është me 5 euro metër katror. Pronat duhet t’i referohen tregut imobilar”, deklaroi eksperti.