Ligji i ri: – Ikin shqiptarët, vijnë afro-aziatikët dhe pensionist të huaj

Nga  Gazeta Telegraf

31 Janar, 2020

Borxhi publik  në fund të shtatorit  arriti mbi 9 miliardë euro, 1,7 milionë  shqiptarë  kanë ikur  jashtë vendit dhe mijra të rinj drejt Europës dhe SHBA. Edhe pse në 2019-ën, 17 mijë shqiptarë  kërkuan  azil dhe mbi 400 mijë aplikuan për llotarinë amerikanë, qeveria e “Rilindjes” hesht dhe gjen zgjidhje zëvendësimin e të rinjve tanë me punëtor nga Azia, Afrika dhe së fundmi dje me ligjin e ri edhe me pensionistë  nga bota.

Drafti në Kuvend/ Ligji i ri synon të tërheqë pensionistët e huaj, nuk përfitojnë të denuarit me mbi 3 vjet heqje lirie. Bizneset shqiptare po i zëvendësojnë vendet e punës të mbetura bosh me shtetas nga Azia dhe Afrika.

 Shqiptarët  zëvendësohen nga emigrantë nga  afro-aziatik dhe pensionist të huaj

 01

Kuvendi: Ligji i ri synon të tërheqë pensionistët e huaj, nuk përfitojnë të dënuarit me mbi 3 vjet heqje lirie.

Parlamenti shqiptar miratoi me urgjencë, në formën e një akti normativ, ligjin për shmangien nga tatimi pensionistët që vijnë e jetojnë në Shqipëri nga shtetet e tjera të BE-së. Nisma e paraqitur në mënyrë të përshpejtuar mban firmën e ministrit të shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe ajo argumentohet se është ndërmarrë për të favorizuar emigrantët shqiptarë, apo shqiptarët e Diasporës që jetojnë në shtete të ndryshme, por janë në pension, apo në prag të tij. Pra, me daljen në pension këta shtetas mund të jetojnë në Shqipëri, duke i premtuar se nuk do t’u mbahen tatimet për pensionet që marrim nga shtetet ku kanë jetuar e punuar më parë. Por ligji nuk prek vetëm këtë kategori, por përfshinë edhe shtetasit me origjinë jo  shqiptare. Komisioni i Ekonomisë e shtrin më tej gamën e përfituesve, duke i bërë një shtesë të posaçme në këtë Akt normativ, duke përcaktuar me një nen të posaçëm se “përjashtim të ardhurat nga pensionet dhe shpërblimet e tjera të ngjashme të shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, apo të atyre nga vendet e Bashkimit Europian, me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, si dhe të shtetasve të huaj që kanë marrë shtetësinë shqiptare e janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë dhe që i përfitojnë këto të ardhura sipas legjislacionit të vendit ku përfitojnë pensionin apo shpërblimet e tjera të ngjashme”. Edhe pse nisma ka pasur votat pro të deputetëve të opozitës në Komisionin e Ekonomisë, deputeti Myslim Murrizi e kontestoi atë, duke ngritur aludime se pas kësaj mund të fshihet edhe ndonjë projekt për të ndihmuar ndonjë biznes për ngritjen e qendrave sociale dhe azile për pensionistët. Ai theksoi se kjo mund të na kthejë Shqipërinë në një gërmadhë të pensionistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Ai ngriti shqetësimin se në një kohë, kur alarmi kryesor është se të rinjtë po largohen nga Shqipëria, qeveria po u krijon kushte pensionistëve nga vende të ndryshme të botës. “Shqipëria ka 625 mijë pensionistë, që nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat. Me këtë nismë duhet të sqarohet se  bëhet për të sjellë pleq francezë, kanadezë, ta kthejmë Shqipërinë në një azil pleqsh, apo ka qëllime për të krijuar lobime mes deputetësh, a oligarkësh, qeveritarësh, apo biznesesh me ta për disa minispitale, apo azile pleqsh, pasi të kalojë ky ligj. Nuk mendoj se Shqipëria ka luksin që të kthehet në një vend gërmadhash këtu. A ka ndonjë shifër se sa është numri i përfituesve?”, – theksoi Murrizi. Ministri Pandeli Majko gjatë fjalës së tij në Parlament ka rrëzuar “akuzat” e Murrizit, duke theksuar se kjo është më tepër për t’i krijuar lehtësira atyre shqiptarëve, që kur të dalin në pension duan të jetojnë në Shqipëri. “Nuk dua të bëj një diskutim me variantin Shqipëria çka qenë dhe çdo të bëjë. Ky akt normativ në asnjë rast nuk mund të ketë qëllime intrigash, që Shqipëria të kthehet  në një vend pensionatësh. Ky është një model ligji portugez, e nuk e di nëse Portugalia është një vend pensionistësh”, – u shpreh Majko, duke shtuar se kjo bëhet edhe për arbëreshët. Ministri për Diasporën gjithashtu dha gjithashtu edhe shifra sipas INSTAT për numrin e emigrantëve shqiptarë. Në raportet e INSTAT, për migracionin  rezulton se janë 1,7 milionë shtetas shqiptarë jashtë vendit, nga të cilët 78 mijë veta janë në moshën  65 vjeç. Në Itali kanë ndërruar nënshtetësinë 16 mijë shtetas.

“Është e tepërt të mendosh një makinacion për shtetasin gjermanë e të tjerë, ne po i themi vetëm për shtetas tanë se po i krijojmë një lehtësira ekonomike. Nuk është se do të hapet Pensionati (Azil) e do të kthejmë në biznes”, – ritheksoi Majko. Prej vitesh Shqipëria është kthyer në një oaz për pensionistët italianë. Shumë familje jetojnë në zonën e Durrësit, apo të Vlorës, në pjesën e bregdetit. Kështu ata i shmangen taksave në shtetin e tyre dhe me një pension 1500-1600 euro dhe me një qira prej 200 euro në muaj, që e gjejnë në Shqipëri, përfitojnë një sasi të konsiderueshme të ardhurash për jetuar në vendin tonë. Sipas Ministrisë së Brendshme në Shqipëri, jetojnë me leje qëndrimi 476 shtetas italianë mbi moshën 60 vjeç. Sipas shifrave të fundit, nga këta 89 i kanë bërë dokumente me anë të bashkimit familjar, 176 janë të punësuar në institucione fetare, të punësuar dhe të vetëpunësuar janë 182 italianë, ndërsa 28 të tjerë kanë blerë shtëpi. Për t’u pajisur me një leje qëndrimi një shtetasi italian i nevojiten rreth 2 muaj.

02

Bizneset shqiptare po i zëvendësojnë vendet e punës të mbetura bosh me shtetas nga Azia dhe Afrika

Ndërkohë që 1,7 milionë shtetas shqiptarë kanë ikur  jashtë vendit, mijra të rinj kanë marë rrugët e Europës dhe SHBA-ve, 17 mijë të tjerë kanë kërkuar azil vetëm në vitin 2019 dhe mbi 400 mijë kanë aplikuar për llotarinë amerikanë, qeveria e “Rilindjes” hesht, duke gjetur si zgjidhje zëvendësimin e të rinjve shqiptar me emigrant nga Azia, Afrika dhe së fundmi me pensionist nga bota.

Chandra Selli ka pak javë që ka lënë vendlindjen për të punuar si kamariere në Tiranë. Bashkëshorti i saj është zhvendosur në Itali, ndërsa pjesa tjetër e familjes vijon të jetojë në Sri Lanka.“Kam pak që kam ardhur në Tiranë dhe më pëlqen vërtet shumë. Njerëzit më flasin, më përshëndesin. Tani kam filluar punë si kamariere për pak kohë. Së shpejti do të punoj si sanitare në një familje. E lashë vendin tim, sepse atje nuk munda do të gjej një punë, ndërkohë që kam edhe dy djem, për të cilët duhet të kujdesem. Më pëlqen shumë këtu dhe besoj do të rri gjatë në vendin tuaj”, – tha ajo për “Monitor Ekonomi”. Njësoj si Chandra, në Tiranë sapo ka mbërritur edhe Stanley Akoma nga Nigeria, i cili është në pritje të ditës së parë të punës në një kompani private security. Chandra Selli Nga Sri lanka punon kamariere në Tiranë.  “Unë vij nga Nigeria, nga një vend i varfër, ku vështirë të gjeja punë, ndërkohë që më duhet të kujdesem për familjen time. Në fillim emigrova në Turqi, por atje gjeja punë të përkohshme, 1 javore apo 1 mujore. Këtu në Shqipëri komunikova me disa agjenci punësimi dhe arrita të mbyll një kontratë me një kompani sigurie. Do të punoj security për ta me një rrogë të kënaqshme. Tirana më pëlqen shumë, sidomos njerëzit që janë të sjellshëm me mua kudo ku shkoj”, – thotë ai. Emigracioni i lartë nuk përbën ndonjë të re për Shqipërinë. Profesionistët me eksperiencë në fusha të ndryshëme, i janë drejtuar Evropës për të punuar dhe kjo ka sjellë që kompanitë vendase, të kenë vështirësi në gjetjen e puntorëve, duke e kaluar në plan të dytë kualifikimin e tyre. Ermal Jauri, drejtues i kompanisë së punësimit “Europe Agency”, pohon se “kërkesat e kompanive janë që në të ardhmen të zëvendësojnë personelin shqiptar me atë të huaj. Edhe pse në realitet kjo nuk është diçka e mirë, por në fakt është e vetmja zgjidhje që kanë kompanitë. Në momentin që flasim kemi kërkesë për 120 veta staf të huaj, që i kemi sot në zyrë gati për të filluar punë pas mbylljes së procedurave. Kërkesat janë në të gjithë sektorët, por sektorët e shërbimit janë ato që kërkojnë më shumë në shifra. Kemi kompani prodhimi që kërkojnë krah pune dhe punonjës të pakualifikuar. Kemi kompani, të cilat janë në fushën e teknologjisë dhe informacionit që kërkojnë programues, IT dhe kërkojnë në shifra të frikshme. Nuk ka më rëndësi që stafi të jetë i kualifikuar, sesa stafi, i cili ka qëndrueshmëri në punë. Shumë kompani janë të gatshme t’i trajnojnë vetë punonjësit e tyre, vetëm me qëllim që të kenë një kontratë afatgjatë të parashikuar dhe të besueshme, që nëse do të marrin dikë në punë sot dhe do të investojnë në trajnimin e tij e ka të sigurt që për aq sa ka kontratën do ta ketë në punë”. Sipas agjencive të punësimit, çdo muaj hapen kontrata të reja me kompani, të cilat do të sjellin punëtorë nga Afrika dhe Azia. Sipas tyre, punonjësit që vijnë nga këto vende kanë kosto të ulët, nuk kanë shumë pritshmëri page, kur vijnë dhe janë të gatshëm për çdo lloj pune. Për më tepër, që janë më të shumtë në numër si aplikantë, sepse kane vështirësi të gjejnë punë në vendet e tyre të origjinës. Vendet e punës, të cilët po plotësohen nga punonjës nga Azia dhe Afrika janë në sektorin e shërbimit, si shitës, kamarier, banakier, security, dado femijësh, lavazh, shofer etj, në prodhim (servise makinash psh), apo dhe punonjës ndërtimi. Jauri thotë se kërkesë të larte ka për IT (programues). Braktisjen masive të burimeve njerëzore e kanë ndjerë edhe ndërmarrjet fasone. Gjergji Gjika, kreu i dhomës së fasonëve pohon se “çdo ndërmarrjeje, nuk ka muaj që të mos i ikin 4 apo 5 punonjës të cilët nuk zëvendësohen. Dikur iknin, por gjendej dikush që t’i zëvendësonte, edhe punonjëse e pakualifikuar, por të paktën gjendej brenda muajit, ne tani nuk kemi më njerëz. Në 2019 kemi pasur një shifër rreth 5% mesatarisht largime të personelit. Pra në një kompani me 100 punonjës, pothuajse në fund të vitit në mos përgjysmohet arrin në 60 punonjës, kjo është alarmante. Deri tani nuk kemi kontrata me kompani të huaja për punonjës të huaj, por nuk shmanget si alternativë përderisa shqiptarët po ikin jashtë, do pranojmë dhe të huajt këtu”. Emigracioni i shqiptarëve, sidomos në disa qarqe të caktuara po bie si kambanë alarmi. Sipas një sondazhi të EPPC shqiptarët largohen nga vendet e punës pasi nuk ndihen të vlerësuar. Konkretisht 60% e të pyeturve thonë se ndihen të pakënaqur në vendin e tyre të punës. Arsye të tjera renditen paga, mungesa e motivimit, puna e pa paguar jashtë orarit dhe mundësia e ulët për të bërë karrierë.  Këto arsye bëjnë që zgjidhja dhe mundësia për një jetesë më të mirë të kërkohen jashtë kufirit.