Ligji për Akademinë e Shkencave, Artan Fuga në Komisionin e Medias: – Shkelet barazia e akademikëve. – Deputetët të tërheqin nismën
10 Koorrik 2023
Akademiku Artan Fuga ka prezantuar në Kuvend kritikat e tij në lidhje me ligjin për Akademinë e Shkencave dhe amendamentet e propozuara nga deputetët e Partisë Socialiste.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Medias ai u shpreh se me këto ndryshime ligji do të hynte në një kundërthënie të brendshme duke krijuar pabarazi mes akademikëve.
“Ligji për Akademinë e Shkencave do të hynte në kundërthënie të brendshme. Kryetari i Akademisë nëse ka mbushur moshën 75-vjeç si kryetar ka disa detyrime sipas ligjit. Nëse amendamentet e propozuar hyjnë në fuqi do të kemi natyrë kontradiktore të ligjit.
Mendoni se mund të ndërtojmë një status juridik ky i njëjti person juridik edhe të ketë detyrim edhe mos të ketë detyrimin? Shkelet barazia e akademikëve para ligjit. Me mbushjen e moshës 75 vjeç anëtarëve të akademisë i hiqen të drejtat dhe detyrimet me përjashtim të atij që është kryetar i ASH.
I njëjti ligj krijon pabarazi mes Akademikëve. Kushtetuta nga ana tjetër thotë që të gjithë janë të barabartë para ligjit. Unë mendoj se amendamentet që ju keni propozuar bien në kundërshtim me ligjin. Nëse më lejohet një rekomandim në këto kushte kam një ftesë për deputetët iniciatorë që ta tërheqin këtë nismë duke riparë nëse ndryshimet që ata propozojnë, integrohen në ligj”, tha Fuga.
Gazeta Panorama