Lija e majmunëve po qarkullon me shpejtësi. – OBSH del me mesazhin e rëndësishëm
30 Gusht 2022
Organizata Botërore e Shëndetësisë i përshkroi si “inkurajuese” shenjat e një ngadalësimi të përhapjes së lisë së majmunëve në Europë, ndërsa bëri thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për të çrrënjosur sëmundjen në rajon.
“Disa të dhëna paraprake inkurajuese, të tilla si ato që kemi parë në Francë, Gjermani, Portugali, Spanjë, Britani dhe vende të tjera sugjerojnë se epidemia mund të ngadalësohet,” tha drejtori i OBSH-së për Europë, Hans Kluge gjatë një konference për shtyp.
“Ne po shkojmë në drejtimin e duhur,” vuri në dukje ai. Megjithatë, “për të ecur drejt eliminimit të sëmundjes në rajonin tonë, ne duhet të intensifikojmë përpjekjet tona menjëherë”.Nga gjithsej 53 vende të rajonit, ku përfshihen Rusia dhe vendet e Azisë Qendrore janë regjistruar më shumë se 22,000 raste të lisë së majmunëve në 43 vende, një numër që korrespondon me më shumë se një të tretën e rasteve globale, raporton abcnews.al.
Javën e kaluar OBSH njoftoi një rënie prej 21% të rasteve të reja të lisë së majmunëve në mbarë botën, pas katër javësh rritjeje radhazi. Për të eliminuar qarkullimin e virusit në Europë, OBSH rekomandon ruajtjen e masave të mbikëqyrjes, vaksinimin, gjurmimin e kontakteve të rasteve dhe informimin e komuniteteve homoseksualë, ku virusi duket se qarkullon kryesisht.
Kluge iu referua konkretisht shembullit të Portugalisë, ku “në mungesë të një fushate vaksinimi, ne arritëm të reduktojmë rritjen e numrit të rasteve falë ndryshimit të sjelljes dhe informimit të komuniteteve”.
Gazeta Sot