19 Mars 2025

Nga: Gazeta Sot

Nëse dikur mendonim se Shqipëria ka dalë nga hija e një pushteti që funksiononte me parimin e “familjes”, tani kemi vetëm një “update” të sistemit të vjetër. Duket se historia politike shqiptare ka një aftësi të habitshme për të kthyer personazhet dhe ngjarjet në një cikël përsëritës, ku gratë e fuqishme në hije ndërmarrin role vendimtare. Dhe kush më mirë se Linda Rama mund të krahasohet me Nexhmije Hoxhën? E shoqja e kryeministrit, deri vonë është përpjekur ta shesë veten si akademike dhe intelektuale të qetë që nuk përzihet me punët e bashkëshortit.

Por koha po tregon se ajo ka ambicie të forta në menaxhimin e pushtetit, veçanërisht në emërimet strategjike të institucioneve publike dhe tendera. Dhe nuk është vetëm ndikimi në prapaskenë ai që bie në sy, por edhe fakti që të gjitha takimet dhe daljet e saj publike janë të organizuara në mënyrë të kujdesshme nga Endri Fuga, propaganduesi kryesor i Edi Ramës, i cili kujdeset që Linda të bëhet lajm në të gjitha mediat që janë në shërbim të kryeministrit.

Kapja e RTSH

Një nga institucionet më të goditura nga “dora e padukshme” e Linda Ramës duket se është RTSH. Për një kohë të gjatë, ky institucion propagandistik (që ndonjëherë e ngatërrojmë me një televizion publik!) ka përjetuar ndryshime të shumta, por kurrë nuk ka qenë kaq “i kujdesshëm” në zgjedhjen e njerëzve që do drejtojnë programacionin dhe lajmet. Gazeta “Sot” raportoi se gara për drejtorin e ri të RTSH tashmë ka një fituese të paracaktuar, e cila është gazetarja Eni Vasili, e njohur për afërsinë e saj me Linda Ramën. Skema u zbulua pas dorëheqjes së papritur të Iris Luarasit, e cila u largua pa sqarime nga gara, ndërkohë që Vasili hyri menjëherë si kandidate, duke shtruar rrugën për një emërim të dirigjuar nga lart. Preferencat e Linda Ramës bënë që kryeministri Edi Rama të arrinte pazarin e radhës me PD.

U shkarkua një këshill i tërë vetëm për tekat e Lindës dhe në Parlament u vendosën emra që vijnë kryesisht nga rrethet e pushtetit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë politik. Kryetar i tij u zgjodh Fatjon Hoxhalli, një njeri i afërt i qeverisë, me eksperiencë pranë Niko Peleshit dhe grupit parlamentar socialist. Ndërkohë që pjesa më e madhe e anëtarëve të rinj vijnë nga rrethet e politikës, duke e kthyer institucionin që duhet të ishte i pavarur, në një mekanizëm kontrolli të plotë nga pushteti. Tani mbeten vetëm çështjet procedurale që mikja e Lindës, Eni Vasili, të marrë drejtimin e RTSH. Dhe si gjithmonë, të gjitha këto lëvizje janë të orkestruara me kujdes nga Endri Fuga, i cili garanton që mesazhi të mbërrijë atje ku duhet dhe që askush të mos e vërë në dyshim rolin e Linda Ramës në prapaskenë.

Institucionet e tjera

Por RTSH nuk është i vetmi institucion ku Linda Rama ka shtrirë ndikimin e saj. Nga bordet e bankave shtetërore deri tek institucionet e tjera, duket se ajo ka krijuar një rrjet të besuarish, të cilët, në një formë apo tjetër, e dinë se “rruga përpara” kalon nga miratimi i saj. Teksa Edi Rama zgjat mandatin e tij me lehtësinë e dikujt që ndryshon rregullat e një loje tavoline, në hije, Linda vendos se kush do jetë mikeshë e preferuar e pushtetit. Ogerta Manastirliu, Frida Krifca, drejtoresha e AKSHI Mirlinda Karçanaj, apo ministret Anila Denaj, Albana Koçiu dhe Belinda Balluku janë thjesht kapituj të ndryshëm të të njëjtit libër.

Akuzat për tenderat

Skandali shkon deri te tenderat. Akuzat e bëra së fundmi nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj kanë vënë në pah një skemë të organizuar, ku Linda Rama jo vetëm që ka ndikim në emërime strategjike, por gjithashtu është përfshirë në çështje që lidhen me menaxhimin financiar të pushtetit. Sipas Ahmetajt, AKSHI është shndërruar në një “kopsht privat” të Lindës dhe Edit, ku kontratat dhe fondet publike trajtohen si pasuri personale e një rrethi të ngushtë njerëzish besnikë ndaj saj. “AKSHI është kopshti privat i kryeministrit, ku njerëz të lidhur me familjen e tij bëjnë çfarë t’i dojë qejfi. Është 10-fishi tel kaboratërot. Gazetarë, gërmoni këto, Shkoni në doganë, po nuk gjetët dhjetëfishin e fitimit atëherë kthehuni tek unë. Gërmoni, a janë grisur urdhër arreste në lidhje me laboratorët, a janë rrëzuar dy urdhër arreste. Investigojeni. Ashtu siç tek inceneratori i Tiranës, në lidhje me korrupsionin tek laboratorët.

Po tek AKSHI, cila është kompania që ka marrë projektin 15 milion euro të sigurisë kibernetike. Kompania “First” e lidhur me familjen. Ku shkojnë paratë? Folloë the money. Projekti 15 milion i pabotuar , i pa dalë në tender të hapur, e ka marrë kompani “First” dhe “folloë the money”. Kompania “First” me kë është e lidhur, ku shkojnë paratë? Do gjeni çudira. Në korrupsionin e AKSHIT është e përfshirë drejtpërdrejt familja e kryeministrit. Gjeni. Unë dhashë indicien. Merruni me të se do gjeni çudira. Kam një ekstrakt tatimesh. Ju them gazetarëve investigativë, ‘folloë the money’, le të thotë Rama do ta gri maskarain, për mua, dhe le të thotë Altin Dumani e kam personale. Pyetje për gazetarët investigativë, retorike, bëni çfarë të doni: Si është fshehur ish-kompania ABS tek kompani AIBS? Mund të bëni një kontroll se te SPAK-u s’kam besim. Kompanisë së baxhanakut. Si ka mundësi që kompania me xhiro 1.9 milionë euro, fiton tender 1.8 milion euro”, u shpreh Ahmetaj.

Akuzat për vajzën

Nuk është hera e parë që familja e kryeministrit akuzohet për implikim nëtendera. Në korrik të vitit 2024, vajza e Linda Ramës, Rea Xhillari, paditi Sali Berishën dhe gjashtë deputetë të tjerë për shpifje, pas akuzave se kishte përfituar tendera publikë përmes subjektit tregtar “51N4E”. Kjo akuzë u ngrit edhe nga Arben Ahmetaj, duke shtuar dyshimet mbi rolin e familjes Rama në financat publike.

Faktorizimi ndërkombëtar

Linda Rama nuk është ndalur vetëm në politikën shqiptare, por ka hyrë fuqishëm edhe në skenën ndërkombëtare. Së fundmi, ajo ishte e pranishme në një samit në Abu Dhabi, ku u takua me bashkëshorten e Aleks Soros, Huma Abedin. Pas ndryshimit të administratës amerikane në janar, Soros është në qendër të vëmendjes. Po ashtu, ajo ka shkruar edhe parathënien në librin e Kamala Harris, kandidates që sfidoi Trump për president të SHBA. Promovimi u shoqërua me elozhe për figurën e Harris, ndërsa parathënia e tij e shkruar nga Linda Rama, i shkoi dëm kësaj të fundit, pasi kandidatja demokrate nuk arriti që të fitojë garën e saj për në Shtëpinë e Bardhë. Për më tepër, ajo mori dje pjesë në homazhet për babain e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërsa Edi Rama zhvillonte takime dytësore në Berat, Linda respektonte Thaçin duke i dhënë mbështetje familjes së mikut të bashkëshortit të saj në këto momente të vështira.

Linda zgjedh, Rama firmos

Këto janë vetëm maja e ajsbergut, pasi nëse dikur Shqipëria kishte një slogan të famshëm: “Partia është nëna jonë”, sot, në epokën digjitale, me një branding më të rafinuar, kemi: “Linda zgjedh, Edi firmos”. Dhe ne, qytetarët, duartrokasim për spektaklin e radhës. Sepse në fund të fundit, nuk kemi zgjedhje tjetër!