Lisi dhe lashtësia jonë. –
Nga: Ilir Seci.
– Lisi është druri më i përhapur në botë. I përket familjes “Fagaceae”, që rritet në hemisferën veriore. Në familjen “Fagaceae” përfshihen drurët dhe shkurret, lëndet (farat) e të cilëve janë të mbështjella me lëvozhgë. Kjo familje gjithashtu përfshin ahun, gështenjën, të gjitha gështenjat e Amerikës së Veriut. Kjo familje “Fagaceae” e ka origjinën nga Azia. Për herë të parë ndeshet në fosilet e gjetura të epokës “Cretaceous i Hershëm”, më shumë se 100 milionë vjet më parë. Ndryshimet klimaterike si rezultat i rrezatimit diellor në rritje, ngrohja në Evropë dhe Amerikë të Veriut, ndikuan në shfaqjen e llojeve të reja.
Gjethe Lisi, filigran; argjend i lare ne ar, stoli e veshjes se lashte te Xhubletes.
Në varësi të skemës së klasifikimit, mendohet se janë rreth 450 deri ne 600 specie lisi; megjithëse ka disa pika konfuzioni dhe një nga pikat kryesore të konfuzionit është statusi taksonomik tek lisat hibridë. Amerika e Veriut përmban numrin më të madh të llojeve te lisit, me rreth 90 lloje vetëm në Shtetet e Bashkuara. Meksika ka 160 lloje, nga të cilat 109 janë endemike. Qendra e dytë më e madhe e diversitetit lisi është Kina, e cila përmban rreth 100 lloje. Megjithatë shkencëtarët kanë rënë dakord që të gjithë llojet e lisave mund të ndahen në dy grupe të gjëra, në lisat të bardhë, lista e kuq dhe te zi: Lisi i bardhë gjendet ne Evropë, Azi dhe Amerikën e Veriut, lendet e këtij lisi duan 6 muaj të piqen dhe kane shije të ëmbël (paksa të hidhur), gjethet e këtij lloji janë më shumë të rrumbullakosura; ndërsa për dushkun e kuq dhe te zi në Evropë, Amerike dhe Azi lëndet e tyre duan 18 muaj për t’u pjekur dhe kane shije shumë të hidhur, gjethet e këtyre llojeve kane ngjyrë të gjelbër të errët dhe maja të mprehta.
Mrizi i Shejte i Kolices Kryezi, Puke
Në trojet shqiptare pyjet e lashta të lisit mbijetuan ashtu masive deri në shekullin e 19-të. Lisi si çdo lloj tjetër ka arealin e vet të përhapjes që përkon me lartësinë mbi nivelin e detit në kuadrin e zonave fitoklimatike. Nuk gjendet as në ekstremet klimatike të klimës së egër malore dhe as në atë të butë bregdetare. Në ndarjen e zonave të bimësisë në vendin tonë, nga përhapja e tij e madhe, zona ka marrë edhe emrin “Zona e Dushqeve” (e lisit). Pylli i lisit zhvillohet mbi toka me cilësi, mesatarisht të thella e të pasura (boniteti i tokës).
Në këtë sprovë mendova, veç mitologjisë që po i kaloj përciptas, të përqendrohem në rrafshin praktik, duke u rrekur të gjej pse ka gjithë këtë rëndësi lisi.
Arsyeja përse lisi ka gjithë këtë vëmendje është krejt e thjeshtë: Lisi është një nga drurët më të dobishëm në botë. Është një nga drurët me fortësinë më të lartë që mund të gjendet, sepse ka densitetin më të lartë si për nga rezistenca ashtu edhe nga qëndrueshmëria. Përmbajtja e lartë e taninit e bën lisin rezistent ndaj sëmundjeve në pyje, kërpudhave dhe insekteve.
Lende Lisi
I fortë dhe rezistent, lisi ka gjetur përdorim që nga kohërat më të lashta në ndërtimin e banesave, ndërtimin e anijeve, veglave të punës, për orendi shtëpiake, enë kuzhine etj. Gjetjet arkeologjike kanë provuar se lisi ka qene materiali kryesor drunor i përdorur për shtëpitë dhe orenditë shtëpiake që nga kohët e Neolitit. Mjafton te kundrohen me vëmendje kullat e vjetra në Malësitë tona me çardakun, ahurin për kafshët, mjafton te shikohen mjetet e transportit, qerret (kerret), të shikohen plugjet që janë përdorur për lërimin e tokës, brezat e murit, trarët dhe qeresteja dhe bindesh se druri i lisit përbën lëndën e parë.
Lëndët e Lisit janë përdorur që mijëra vjet me parë për ndërtimin e lundrave, varkave, anijeve, kujtojmë këtu fiset ilire si Liburnët që u bënë të famshëm për anijet e tyre. Në kohën e Perandorisë Romake pyje të tëra u pastruan për të përmbushur kërkesat e ndërtuesve të anijeve të flotës romake. Portat hijerënda të kështjellave bëheshin me dru lisi.
Druri i Lisit është përdorur dhe përdoret për ngrohje, pasi bëjnë zjarrin me te mire. Në kullat shqiptare mikpritja fillonte me një zjarr buçitës me dru bungu. Prej drurit të lisit përgatitet lloji më i mirë i qymyrit të drurit. Malësoret në Malësi të Gjakovës, në Dukagjin dhe në Malësi të Madhe edhe sot e kësaj dite praktikojnë përgatitjen e qymyrit të drurit.
Në lëvozhgen e lisit gjendet një lëndë që përdoret për regjjen e lëkurave si në mënyrë artizanale, por edhe në fabrika të posaçme. Një tjetër përdorim i dobishëm i lisit janë goglat, (gogliqat), ndryshe njihen si mollëzat e lisit që shkaktohen nga një mutacion me larva e grenzës së familjes “Cynipidae”. Gogliqat e lisit janë përdorur për prodhimin e bojës së shkrimit, të paktën që në kohën e Perandorisë Romake. Nga mesjeta deri në fillim të shekullit të njëzetë, boja që përdorej për të shkruar në botën perëndimore vinte nga gogliqat e Lisit.
Një tjetër dobi e lisit është eshka, një lloj kërpudhe që rritet në lis (bung) dhe që ka emrin shkencor “Fomes fomentarius”. Kjo specie zakonisht vazhdon të vegjetojë në lisa për një kohë të gjatë, edhe pasi lisi është tharë. Pasi thahej eshka kthehej në material që është përdorur për të ndezur zjarrin. Zjarri ndizej nga fërkimi i dy drurëve ose ndizej nga përplasja e dy gurëve të gurgacit (kuarcit). en sot!
Pyjet e bungajave (dushnjet), krijojnë kushte ideale për rritjen e kërpudhave. Disa prej këtyre kërpudhave rriten në trungjet e pemëve të rëna, të rrezuara, disa pranë rrënjëve, disa nën gjethe. Lloje të ndryshme piqen në kohë të ndryshme të vitit. Në varësi të klimës gjithëherë do të gjendet të paktën një lloj i përzier kërpudhash pyjore – kërpudha lisi – çka do të thotë që kërpudhat mund të mblidhen në çdo kohë të vitit, por sezoni kryesor i kërpudhave është nga fundi i pranverës deri në fund të vjeshtës. Kërpudhat kane qenë një nga burimet kryesore të ushqimit gjatë kohërave të lashta, ato kanë pasur proteina të mjaftueshme për ushqimin e njerëzve.
Tjetër vlerë e Lisit janë gjethet e thara, dushku. Në malsitë tona ende është ruajtur dhe ende gjallon tradita e tharjes së degëve të dushkut në mullarë ose në kasolle dhe ruhen si ushqim për bagëtinë gjatë dimrit. Ne Dukagjin, në Pukë dhe Tropojë, por edhe në jug të Shqipërisë shihen edhe sot mullarët e dushkut, si një ushqim jetik për bagëtinë.
Lendet (farat) e lisit janë përdorur si ushqim, gjë që është provuar nga gjetjet arkeologjike, si figurina balte të pjekur ku dallohen njerëzit duke shtypur lendet e lisit. Ne disa kultura, në Kaukaz ende përgatisin bukë me lendet e lisit. Jo vetëm njerëzit janë ushqyer me lendet e lisit, por edhe kafshët, të buta dhe të egra.
Lëvozhga e Lisit, trungut ose degëve ka veti kurative, është përdorur dhe përdoret në medicinë kundër diarresë kronike, kundër ashpërsimit të lëkurës ose bllokimit të muskujve. E zier lëvozhga e lisit është përdorur për shërimin e plagëve të lëkurës, po ashtu lëngu i zier është bërë gargarë për ënjtjet e fytit. Lëvorja e lisit është përdorur dhe përdoret për gatim, si erëz, aromatizues për peshkun e tymosur.
Mjaft studiues kane dalë me mendimin se lisi është përhapur nga vetë njerëzit. Domethënë është kultivuar. Mbjellja e lisit është një nga gjërat më të lehta, thjesht futet fara (lendja) e lisit në tokë dhe mbin vetë pa u kujdesur kush për të. I duhen 25 vjet një lisi për t’u rritur që të fillojë të lëshojë farat (lendet).
Gjetjet arkeologjike te kulturave shume te lashta si “Kultura Vinca” dhe “Çatalhöyük” sjellin dëshmi se lisi adhurohej. Adhurohej se ai ishte kthyer në një bazë të jetës, ku vazhdimësia e racës njerëzore garantohej, veç të tjerash, edhe nga ky dru.
Mitet, historia dhe simbolika e lisit
Gjithmonë më ka intriguar fakti pse në mitologjinë tonë shqiptare, lisi është druri më i përmendur, druri më i njohur, që haset thuajse në krejt traditën tonë folklorike, që nga lashtësia e deri me sot. Pse vallë kjo vëmendje e posaçme për një dru si lisi?!
Kur nis njeriu e thellohet në kërkim, gjëja e parë që shkon në mendje është Lisi i Dodonës. Pse lisi është konsideruar kaq i shenjtë në të kaluarën?! Pse Lisi ishte druri simbol i Zeusit?! Pse Orakujt e Dodonës i merrnin kumtet e Zeusit pikërisht nga lisi (Lisi i Dodonës), kumte qe përcilleshin përmes fëshfërimës së gjetheve të lisit të shenjtë, kumte që kuptoheshin vetëm nga priftërinjtë dhe priftëreshat e Dodonës!?
Po pse ka pasur gjithëherë këtë peshë të kaq rëndësishme lisi?! Druri quhet “lis -/i”, lis në shumicën e krahinave shqiptare, por ka edhe tjera sinonime si “bung-/u” kryesisht në Gegni, apo “dushk-/u”, kryesisht në Toskëri, dushk përdoret edhe në Gegni, por më tepër ne rastet kur është fjala për gjethet e lisit. Por si në Gegni edhe Toskëri përdoret njësoj lis. Ndërsa trajta dialektore e gegnishtes “bung-/u” haset edhe në Keltishten e vjetër, fjale arkaike, kryesisht si emër për vozat (butet) e verës që bëheshin prej drurit të lisit. Si duket emri “bung-/u” vjen nga kohët e lashta kur të parët tanë Ilirë ndanin kufijtë me Keltët.
Duke qenë një lloj i përhapur, lisit i ka takuar që të jetë shoqërues kryesor i njeriut në të gjithë veprimtarinë e tij jetësore. Prandaj ka një lidhje të fortë ndërmjet qytetërimeve njerëzore dhe lisit. Malësorët shqiptarë e merrnin lisin si referencë kohore të fillimit (gjenezës) të jetës, kur shpreheshin: “Prej se ka mbi Lisi!” Në folklorin e Malësive të Veriut, simbolika e lisit ndeshet shpesh, jo vetëm në mite e legjenda, por edhe në veshje, siç janë zbukurimet e xhubletës mijëravjeçare. Ka shumë fjalë të urta me lisin, por në këtë rast po përdorim vetëm një “Dru lisi, vajze fisi”, që dëshmon se lisi simbolizon qëndrueshmërinë dhe virtytet njerëzore.
Sipas shume etimologëve edhe emri i qytetit të lashtë të Lezhës vjen nga lisi siç e quanin Ilirët Lisitan, kjo tezë nuk është pranuar plotësisht, por siç e thashë mbrohet nga shumë studiues. Nuk është e rastit që poeti ynë i madh, Jeronim De Rada e fillon me lisin poemën “Këngët e Milosaos”: “Ljis jeta kishë ndërruar,/ uj të ri ndë dejtit/ kaljtheruar t dit e re;/ por llumbardh e Anakreontit/… Simboli i Lisit gjendet edhe ne heraldikën shqiptare, siç është emblema e Katafiqit që ka në qendër të saj një shqiponjë dykrenare me tri gjethe lisi. Kjo emblemë është gjetur në kalanë e Katafiqit në Kuç, Vlorë, dhe vlerësohet të jetë e shekujve 12-14-të. Fatkeqësisht ky artifakt i jashtëzakonshëm është zhdukur nga mjediset e Akademisë së Shkencave. Ajo që ka ngelur është përshkrimi që i ka bërë Dhimiter Pilika kësaj pllake guri!
Edhe Keltët e lashtë adhuronin me të madhe lisin në besimin pagan Druid. Ata adhuronin jetëgjatësinë e lisit dhe e konsideronin si fisnike praninë madhështore të tij. Tek keltët një person nderohej duke i vendosur kurorë me gjethe lisi, shenjë e statusit të veçantë. E njëjta gjë ndeshet edhe te grekët e lashtë dhe me vonë te romakët. Gjatë Republikës Romake dhe Principatës pasuese të saj, “Kurora Civile” (Latinisht “Corona Civica”) ishte kurorë e thurur me gjethe lisi dhe konsiderohej si dekorata e dytë më e lartë ushtarake për të cilën mund të aspironte një qytetar romak. Mbas reformës kushtetuese të gjeneralit Sulla u vendos që mbajtësit të “Kurorës Civile”, (Kurorës së Lisit”), t’i lejohej hyrja në Senatin Romak.