14 Mars 2025

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nuk e ndaluan kryeministrin Edi Rama të fusë në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit njerëz që kanë ende llogari të hapura me drejtësinë. Përkundrazi, listat e Partisë Socialiste tashmë nuk janë thjesht një mjet për të fituar zgjedhjet, por një plan i mirëmenduar shpëtimi, ku mandati nuk është vetëm një detyrë publike, por një biletë për të shmangur korridoret e gjata të drejtësisë. Në këtë operacion shpëtimi me nuanca gjeniale strategjike, Edi Rama ka siguruar vendet e nderit për disa prej figurave më të spikatura të “elitës politike”. Për shembull, Klotilda Bushka, e cila në vend që të shkruajë ligje, tani duket se po del në pah si protagoniste e tyre.

Dyshimet për të janë përfshirje dhe intimidim dëshmitarësh në dosjen e Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës. Por kjo nuk e ka ndalur kryeministrin që ta fusë në listën e Tiranës. Në fund të fundit, kush mund ta përfaqësojë më mirë drejtësinë në Kuvend sesa dikush që ka përvojë të drejtpërdrejtë me hetimet? Olta Xhaçka, që u bë e famshme për investimin strategjik të bashkëshortit të saj, natyrisht që nuk mund të lihej jashtë. Një investitore e zonja, që e ka kuptuar më mirë se kushdo tjetër se si të ndërthurë diplomacinë me biznesin familjar, padyshim është një aset për qeverinë. Njësoj si Bushkën, Rama vendosi që Xhaçkën ta kandidojë në Tiranë. Nga ana tjetër,Plarent Ndreca, mjeshtri i tenderave të Komisariateve, gjithashtu e ka siguruar vendin e tij në Tiranë. Kush tjetër mund të menaxhojë më mirë financat publike sesa dikush që ka një CV të pasur me tendera të përfolur?

Emrat me dosje

Po ashtu Rama nuk la jashtë as Ceno Klosin, i cili po hetohet nga SPAK për 4 vepra penale: “Korrupsion”, “Shpërdorim detyre”, “Mashtrim” dhe “Falsifikim dokumentash”. Ceno Klosi është një prej zyrtarëve besnik të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe ai ka shërbyer në disa funksione, duke lënë pas dëme të konsiderueshme financiare. Rama vendosi që ta kandidojë në Fier. Gjithashtu Ilir Ndraxhi, i përmendur në përgjimet e klaneve të krimit, është një tjetër emër që kryesocialisti nuk ka mundur ta lërë jashtë. Mos ndoshta se ai e njeh nga afër realitetin e terrenit dhe mund të ndihmojë në “konsolidimin” e marrëdhënieve mes politikës dhe aktorëve të ndryshëm socialë?

Padyshim, Damian Gjiknuri nuk mund të mungonte. Me një hetim të hapur në SPAK për emrin që i del te dosja e inceneratorëve, ai është si një arkitekt i së ardhmes, që di të ndërtojë struktura që digjen, por që ekzistojnë vetëm në letra. Por nuk mbaron këtu. Në listat e sigurta të Ramës janë dhe ministrat me probleme. Përfshirë Belinda Ballukun, e cila është nën hetim për tendera të dyshimtë; Ulsi Manja, për manipulime elektorale dhe lidhje me krimin; Ogerta Manastirliu, për abuzime në shëndetësi; Arbjan Mazniku, për favore në tendera; Taulant Balla, për aferën “Toyota Yaris”; Mirela Kumbaro, për skandale mjedisore dhe Pirro Vengu, për abuzime në Portin e Durrësit. Në fakt, fakti që të gjithë këta emra figurojnë në listat e Ramës tregon një filozofi të re të qeverisjes: drejtësia mund të bëjë punën e saj, por vetëm deri aty ku lejon politika.

Me këtë strategji të re, lista e PS-së nuk është më një grupim politikanësh, por një azil politik, ku mandati i deputetit është baras me paprekshmërinë. Dhe nëse dikush mendon se SPAK mund të ndryshojë rrjedhën e gjërave, atëherë ndoshta duhet të mendojë edhe një herë. Sepse, siç e ka treguar eksperienca, e vetmja listë që ka më shumë fuqi se ajo e SPAK-ut është lista e kandidatëve të Edi Ramës! Por këtë herë situata mund të pësojë ndryshime të mëdha. Altin Dumani me prokurorët e tjerë specialë janë hedhur në terren. Rama mund të përballet me të papritura, sa arrestimi i Erion Veliajt do t’i duket lule!

Nga Gazeta Sot