Llazi Icka, portreti i mjeshtrit të gdhendjes së drurit. –
Llazi Icka, portreti i mjeshtrit të gdhendjes së drurit. –
Llazi Icka, është 80-vjeç edhe vazhdon të punojë me të njëjtin pasion që kishte kur ishte i ri dhe të krijojë objekte të mrekullueshme të gdhendura në dru. Menjëherë sapo futesh në punishten e tij të bën përshtypje qetësia dhe buzëqeshja në fytyrën e tij, dhe të krijon idenë e atij njeriu që ka jetuar aq shumë sa të të tregojë gjithçka për jetën. Ai ka një dashuri të madhe për të gjitha krijimet në studion e tij, që ndodhet diku në një nga rrugët e vjetra të Pogradecit. Nëse do të shkoni në studion e tij, do të shihni se është vështirë të gjesh një sipërfaqe në mur ku nuk ka objekte të varuara të punuara nga ai, madje edhe fasada e shtëpisë së tij 3-katëshe është e mbuluar me gdhendje druri. Nëse i shihni me kujdes të gjitha punimet e tij do të bieni në dashuri dhe është e vështirë të zgjedhësh kë të blesh. Kjo sepse në punimet e tij duket pasioni dhe dashuria që ai ka derdhur në to.
Ai punon çdo ditë në punishten e tij, duke kaluar orë të tëra pa e vënë re kohën që kalon, i përkushtuar për t’i dhënë perfeksion çdo detaji të krijimit të tij. Me humor thotë: “Nëse do të bësh art, nuk duhet të nxitohesh. Kur e pyesin se cilin nga krijimet e tij pëlqen më shumë, ai përgjigjet se i do të gjitha dhe nuk mund të zgjedhë. Llazi e ka trashëguar artin e gdhendjes së drurit nga gjyshi i tij, Mihali dhe baba i tij, Spiro. Për të atin, Llazi rrëfen një histori interesante: “Sa herë që babai im gdhendte dru, ai i fliste drurit, sikur t’i kërkonte falje që do ta transformonte, ose sikur e pyeste se çfarë forme donte t’i jepte. Për mua ishte e mrekullueshme ta shihja teksa i fliste drurit para se ta gdhendte dhe këtë gjë ai e bëri për 40 vjet”, kujton Llazi. Kur ishte i vogël, ai qëndronte pas babait dhe e vështronte në heshtje teksa punonte. Më pas ai filloi të vizatonte objekte të ndryshme dhe t’i gdhendte ato dhe u bë më pas mjeshtri i artit të gdhendjes së drurit. Kur e pyesin se sa kohë i duhet të përfundojë një objekt, ai tregon se në varësi të objektit mund t’i duhen disa javë. Ai i njeh aq mirë të gjitha llojet e drurit, saqë e dallon cilësinë e drurit me një të prekur, po ashtu di dhe vendin se ku mund ta gjejë llojin cilësor të drurit. Ndonjëherë ai u kërkon fermerëve të fshatit Bishnicë dhe Gora që t’i sjellin copa druri, ndërsa në raste të tjera ai i gjen vetë, duke bërë shëtitje rreth liqenit dhe kthehet në punishten e tij për t’i kthyer ato në vepra arti. Në studion e tij gjenden më shumë se 500 objekte, disa janë ornamente, disa janë për përdorim praktik si: karrige, tavolina, shkallë etj.
Mjeshtëria e tij nuk njihet vetëm në Pogradec por në të gjithë vendin.
Disa nga veprat e tij kanë qenë në ekspozitë dhe shumë artikuj në media i janë dedikuar atij. Tanimë, sfida mbetet që këtë traditë ta kalojë në duar të sigurta. Djali i tij është profesor, por në kohën e lirë ai qëndron në studion e babait të tij dhe punon duke gdhendur dru. Llazi tregon me krenari që edhe djali dhe vajza e tij dinë të gdhendin dru. Djali ka të njëjtin pasion si i ati, por s’mund t’i kushtojë të njëjtën kohë si ai. Por, ai ka premtuar se do ta mbajë gjallë këtë traditë. Kjo është ajo ç’ka quhet ‘Trashëgimi Botërore’, të pasosh vlerat te brezat pasardhës duke ruajtur ato vlera në vitet që do të vijnë. Në sytë dhe në buzëqeshjen e këtij njeriu, mund të shohësh qartë kënaqësinë e misionit të tij të përmbushur.