Llidhja e kryeprokurorit të Lezhës Erjon Shehaj me ngjarjet kriminale! “Vetting” sjell fakte tronditëse: – Çfarë fshehu në hetimet për vrasjen e efektivit të FNSH
31 Janar 2025
Erjon Shehaj e ka nisur karrierën në drejtësi si oficer i Policisë Gjyqësore dhe është emëruar prokuror në qershor të vitit 2012. Nga ajo periudhë e në vazhdim, Shehaj ushtron detyrën në Prokurorinë e Rrethit Lezhë, ku prej prillit 2021 është drejtues i kësaj Prokurorie. Në cv-në e këtij prokurori nuk ilustrohet se ku e ka kryer shkollimin, duke qenë se vlerësimet e KPK-së lidhen edhe me kriterin profesional.
Më 1 prill 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të konfirmonte në detyrë drejtuesin e Prokurorisë Lezhë Erjon Shehaj, pasi ishte bindur nga shpjegimet për pasurinë dhe rastet e konstatuara te kriteri profesional, për të cilat i ishin kërkuar shpjegime. Procesi i vetingut për kryeprokurorin Shehaj u krye nga Alma Faksaj, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Brunilda Bekteshin dhe në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ka qenë i pranishëm Theo Jacobs. Dy muaj më pas, Komisioneri Publik Florian Ballhysa do të ankimonte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke kërkuar shkarkimin e prokurorit Shehajt për problemet e kriterit profesional. Por drejtuesi i Prokurorisë Lezhë nuk ka pasur probleme vetëm me kriterin profesional, por edhe mospërputhje me deklaratat e pasurisë. Në procesin e vetingut analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Bie në sy fakti se në deklarimin fillestar të pasurisë në vitin 2004, Prokurori Shehaj nuk zotëronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare arrin në vlerën e 11.1 milionë lekëve ose 111 mijë euro.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë nga Shehaj, BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” huamarrjet e përdorura si burim për krijimin e pasurisë. Këto hua janë në vlerën 2,5 milionë lekë në vitin 2009, 14 mijë euro në vitin 2013 dhe 3,3 milionë lekë në vitin 2017. Konkretisht në vitin 2014, Shehaj rezulton me burime të pamjaftueshme financiare në shumën 8 milionë lekë të vjetra. Në këtë vit, ai deklaron revokimin e një kontrate sipërmarrje të vitit 2009 dhe lidhjen e një kontrate të re premtim shitblerje të një apartamenti 84 m2 + 10 m2 sipërfaqe e përbashkët, me vlerë të shtuar prej 13,5 mijë eurosh. Ka qenë vet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që ka vlerësuar se, nga analizimi i pasurive të Erjon Shehaj, janë konstatuar disa pasaktësi në deklarim. Ndryshe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI që nuk ka gjetur asnjë problem në deklarimet e pasurisë dhe për burimet e krijimit të këtyre pasurive, KPK-ja ka konstatuar pasaktësi, mospërputhje dhe mungesa financiare.
Prapaskenat e urdhrit të Erjon Shehajt për arrestimin e avokatit Ded Guri
Por cilat janë çështjet që pengojnë kalimin përfundimtar të vetingut? Në informacionet e siguruara nga emisioni “Vetting” rezulton se Shehaj ka pasur një përplasje ligjore me avokatin Ded Guri. Konkretisht në vitin 2015 në Prokurorinë e Lezhës është administruar një zarf, brenda të cilit kanë qenë dy letra kërcënuese drejtuar ish-drejtuesit të Prokurorisë Lezhë Përparim Vukaj dhe prokurorit Erjon Shehaj. Kjo çështje është marrë nën hetim nga ky i fundit, por vetë trajtimi i çështjes nga Shehaj ka konflikt interesi, fakt që mbështetet edhe nga Komisioneri Ballhysa. Kjo çështje do të apelohej në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe në të do të nxirreshin konkluzione, që rrëzonin masat e marra nga prokurori Shehaj për sa i përket hetimeve.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër më 20 maj 2015 do të shfuqizohej vendimi i Gjykatës Lezhë pasi arrestimi i avokatit Ded Guri dhe masa e sigurisë ishin të pavlefshme sepse ligji e ndalonte që Prokurori të hetojë një çështje ku është i përfshirë vet dhe nuk kishte prova që implikonin avokatin si autor të letrave kërcënuese. Në vendim evidentohet që letra kërcënuese i është drejtuar prokurorit Shehaj dhe për këtë arsyet ai duhet të mos e kishte pranuar këtë çështje. Por avokati Ded Guri nuk do ti jepte fund kësaj çështje ku rezultoi të mos ishte i përfshirë në asnjë veprim të kundërligjshëm, duke fituar pafajësinë. Menjëherë pas këtij vendimi, avokati Guri do të bënte padi për rastin në fjalë, ku akuzonte drejtuesin aktual të Prokurorisë Lezhë, Erjon Shehaj për shpërdorim detyre, çështje e cila pas shumë peripecish përfundoi në ngarkim të Gjykatës së Kurbinit. Prokuroria në këtë rast do të kërkonte pushimin e çështjes, ndërkohë që interesant është edhe arsyetimi i vendimit të Gjykatës.
Sipas argumenteve në vendimin e Gjykatës së Kurbinit në dhjetor 2021, kjo Gjykatë do të vlerësonte se nga ana e prokurorit Shehaj, potencialisht në veprimet dhe mosveprimet e këtij të fundit mund të ketë vepër penale. Në këtë rast sipas nenit 313 të kodit penal mund të kërkohet dënimi me gjobë ose deri në 5 vite burg. Në vendimin e arsyetuar nga Gjykata theksohet se rasti për ndjekjen penale të Erjon Shehaj është parashkruar pasi kanë kaluar më shumë se 5 vite nga momenti që është urdhëruar arrestimi i kundërligjshëm i avokatit Ded Guri.
Çfarë fshehu Shehaj në hetimet për vrasjen e efektivit të FNSH
Vitet e fundit Lezha ka qenë nën ndikimin e grupeve kriminale, të cilat kanë ndikuar në trajektoren e ngjarjeve që lidhen me politikën, pronat dhe jetën e banorëve të qytetit bregdetar.
Por përtej pronave dhe politikës, ajo që ka qenë në qendër të vëmendjes është rendi publik dhe roli i drejtësisë. Por kush është roli i drejtuesit të Prokurorisë Lezhë me ngjarjet kriminale në qytet?
Më 5 dhjetor 2020, në superstradën Milot-Lezhë do të ekzekutohej efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe student i Akademisë së Rendit Xhuljano Prela. Atë natë i ndjeri Prela po kthehej nga Shkodra pasi kishte përcjellë një mikun e vet dhe rrugës i është bërë një pritë nga të paktën 2 persona. Sipas hetimeve nga Prokurori Erion Shehaj, për këtë çështje do të arrestoheshin dhe do të ishin nën hetim Redian Hysa dhe Nikoll Sherniku. Por kjo çështje do të zbulonte se Shehaj nuk kishte kryer një hetim të plotë dhe të thelluar, sipas vendimit nga Komisioneri Publik. Ka qenë babai i viktimës që ka bërë ankesa pasi Prokuroria nuk kishte kryer hetime të plota dhe ky i fundit nuk ishte njoftuar nga prokurori Shehaj për vendimet e marra në lidhje me këtë çështje. Në korrik 2023, Gjykata e Lezhës do të shpallte fajtor për ekzekutimin e efektivit të FNSH-së, të ndjerin B. M., dhe Nikoll Shernikun për përkrahje të autorit me 3.6 vjet burg. Por ky nuk është i vetmi rast që ngre pikëpyetje për rolin e Erjon Shehajt në mbrojtjen dhe ekspozimin e personave me rekorde personale. Në fakt, më herët, ka prova dhe dëshmi që Shehaj, sipas Komisionerit Publik ka neglizhuar sulmet e personave me rekorde kriminale ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit. Sipas avokati Arben Llangozi, në rastin konkret është vet prokurori që është bërë pjesë e kundërshtimeve të Forcave të Rendit se përderisa ai nuk ka marrë masa ndaj autorëve të cilët kanë kryer një vepër penale, kjo është një shkelje shumë e rëndë. “Aq më tepër që personat kanë precedentë penalë të mëparshëm, të cilët duhet të ishin hetuar sepse ka një shkak kundërshtimi i Forcave të Rendit, pasi këta persona mund të kenë kryer ose ishin duke kryer një vepër tjetër penale”, thotë avokati Llangozi për rastin në fjalë.
KALLËZIMI I OFICERIT TË DHUNUAR
Në qershor të vitit 2014, Komisariati i Lezhës do të referonte në Prokurorinë e Lezhës rastin e goditjes dhe kanosjes për shkak të detyrës së një oficeri policie. Në raportin e Komisionerit Publik zbulohet se individi që ka kundërshtuar dhe kërcënuar forcat e rendit ka qenë person me rekorde kriminale. Pas disa muajsh procedurash hetimore, në janar 2015 prokurori Shehaj do të pushonte çështjen. Por ajo që do të ngrinte dyshime për kërcënimin e punonjësit të Policisë së Shtetit apo detyrimin e tij për tu tërhequr nga persona të panjohur është ndërhyrja e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Lezhës. Ky i fundit nuk ka qenë dakord me vendimin e kolegut Shehaj për pushimin e kësaj çështje, duke lëshuar një raport përfundimtar, në të cilin ka deklaruar se nuk rezulton të jetë kryer asnjë veprim hetimor pas datës së kontrollit.
Sipas zv.prokurorit të Lezhës në atë kohë, “duhet sqaruar momenti që lidhet me kryerjen e veprimeve nga personi nën hetim ndaj punonjësit të Policisë, i cili, që në momentet e para në kallëzim dhe deklarimin e dhënë, pranon të jetë goditur nga personi me rekorde kriminale, ndërkohë më pas para oficerit të policisë gjyqësore nuk e prezanton këtë fakt”. Në raport theksohet se duhet marrë në konsideratë ky moment, pasi pikërisht mbi kallëzimin e oficerit të policisë është marrë në përgjegjësi penale ky person i dhunshëm dhe problematik.
Sipas avokatit Mevlut Derti, në këtë rast i bie që Prokurori duhet të mbajë përgjegjësi, sepse mund të kemi shpërdorim detyre, mund të kemi raste korrupsioni aktiv dhe pasiv, mund të kemi edhe rastin që Prokurori është i paaftë. Nga analiza e fakteve, duket se kallëzuesi ose oficeri i Policisë së Shtetit ka ndryshuar deklarimin, duke kërkuar në fund të mos ndiqet penalisht personi që e ka kundërshtuar dhe kërcënuar. Por anashkalimi i ngjarjes ku cenohet autoriteti dhe siguria e Policisë së Shtetit në favor të personave me rekorde kriminale nuk është një episod i izoluar, por është përsëritur disa herë sipas dokumenteve zyrtare.
“Vetting”: Magjistrati Shehaj në mbrojtje të interesave të njerëzve me pushtet
Një nga problemet sociale më të mëdha në Lezhë është problemi i pronave, ku tjetërsimi i tyre nga persona të tretë është kryer me mbrojtje nga institucionet publike, por edhe me neglizhencën e drejtësisë. Rasti i Nik Palokajt tregon mënyrën se si drejtësia ka sjellë një lëmsh me pronat, që ka ardhur si pasojë e mos eliminimit të dokumenteve të falsifikuara nga Gjykata dhe Prokuroria. Banori autokton nga Mali Shëngjin ka qenë viktimë e tjetërsimit të pronave në këtë zonë, të cilat ai dhe rrethi i tij farefisnor i kanë marrë nga Komisioni i Kompensimit të Pronave me vendim të Gjykatës së Lezhës. Por pas tjetërsimit të pronave nga palë të treta dhe pas vendimit të Gjykatës së Lezhës për anulimin e këtyre veprimeve si të pavlefshme, përsëri Nik Palokaj nuk ka mundur të rimarrë pronat pasi Gjykata dhe Prokuroria nuk kanë kërkuar eliminimin e dokumenteve të falsifikuara. Këtu del në skenë përsëri prokurori i Lezhës Erjon Shehaj, i cili edhe pse ka marrë kallëzimin nga Nik Palokaj për këtë rast, ai nuk i ka kërkuar Gjykatës së Lezhës eliminimin e këtyre dokumenteve, por ka bërë pushimin e çështjes.
Gazeta Panorama