Lorenc Vangjeli: – Në PS ka plasur “lufta” e brendshme, ç’po bën Edi Rama?
31 Janar 2024
Në PS nuk ka qetësi. Nën sipërfaqen e lëmuar të unitetit, qetësisë në dukje, portreteve uniformë dhe qëndrimeve një ngjyrëshe në publik, pusi i errët i pakënaqësive, zilive, xhelozive dhe helmit reciprok që shkëmbejnë protagonistët e niveleve më të lartë në qeverisje, është tmerrësisht i thellë. Dhe ky është një pus, të cilin e shohin të gjithë, por askush nuk flet për të. Daullet e luftës disa vjeçare në PD shuajnë zhurmën e rivalitetiteve të fortë në PS dhe qeverisje, plojën e përplasjeve të dukshme dhe të padukshme, nervin e linjave të rivalitetit, shumica dërmuese e të cilave, janë rrjedhojë e ngutit për të qenë sa më pranë qendrës së gravitetit Rama.
Ka disa kurse të tilla përplasjeje në PS, njëra nga të cilat më e dukshmja dhe më e ashpra, të cilën gjithashtu e njohin të gjithë, por nuk e përmend askush, është ngjitur në një spirale dramatike. Dy nga njerëzit më të pushtetshëm në PS, njëri i fortë politikisht dhe tjetri i fortë administrativisht, janë përfshirë në një ndeshje asgjesuese, por jo simetrike. Njëri godet dukshëm e tjetri pret; të dy duke rreshtuar ndarazi pas vetes segmente të politikës, të majtë e të djathtë, partnerë ndërkombëtarë e deri segmente mediatike.
Për momentin ka një pakt të çuditshëm heshtjeje. Vetë protagonistët socialistë e mohojnë ndeshjen, pavarësisht se ata e dinë që e dinë të gjithë dhe është vetëm çështje kohe kur të shpërthejnë plagët dhe jehona e luftës.
I pari që hesht është Edi Rama të cilit i kërkohet të bëjë arbitrin në këtë ndeshje. Duket se kryeministri, i painteresuar për emrat, por për rrjedhojën që sjell kjo përplasje, e kupton se ajo është frymëzuar nga një ngut aspak socialist, në thelb të të cilit qëndron pyetja: kush vjen pas tij? Njëlloj si oborrtarët e Mbretit pa trashëgimtar që përgjojnë shëndetin e tij mbas çdo teshtime dhe i thonë plaç çdo rivali që ju duket më pranë vështrimit të Mbretit.
Hesht PD-ja e Berishës e cila është e rreshtuar taktikisht, por jo moralisht me njërën palë. Madje edhe për ca arsye të tjera që nuk janë hiç politike, por që ngjajnë me vesin e lekut: i paguhet prurësit më të shtrenjtë! Shumë nga denoncimet e saj janë të furnizuara direkt nga burimi i rivalitetit. Nëse shihen shënjestrat e kryedenonciatorit opozitar dhe po kështu, edhe shënjestrat e tjera politike që i mungojnë po atij, kuptohet natyra e rreshtimit të njerëzve të tij në këtë ndeshje. Por ikja në drejtim të paditur e betejës kryesore të opozitës, gardhi i saj egoist ndaj hallit të një individi, veprime që bëjnë që logjika të marrë arratinë; pra, kjo ikje me lemeri, nuk lejon të shihen ne publik lumenjtë e helmit socialist që socialistët i shpërndajnë njëri-tjetrit. Sekreti më i madh dhe më i njohuri i artit luftarak është jo forcimi i ushtrisë tënde, por njohja e dobësisë së ushtrisë armike. Batalioni i shpartalluar i opozitës, ndarë në çeta-çeta dhe me kryemareshalin e kapur rob, në vend që të bëjë këtë gjë, ka rrethuar kalanë e tij për te mbrojtur ate dhe jo për të mundur armikun.
Këtë konflikt nuk e përmend as media, e cila njëkohësisht “sponsorizohet” për t’u bërë aleate me njërin kundër tjetrit në këtë luftë totale. Nëse ndiqen politikat editoriale të disa portaleve, shpjegohen arsyet e tjera, shpesh ngushtësisht financiare dhe frymëzimi i tyre shumë i fortë për t’i bërë gropën kundërshtarit duke bërë aleanca fluide me njërin krah kundër tjetrit.
Të gjithë presin se kush do të grisë i pari perden e sherrit që po bëhet pas perdes së pushtetit. Për momentin, askush ne PS nuk është i bindur se kush fiton dhe frika se mos rreshtohet në krah të humbësit, i detyron të jenë të padukshëm. Te gjithë së bashku, meqenëse të dy linjat rivale janë në sy të SPAK-ut, presin nëse do të godasë SPAK-u dhe kë do të godasë të parin.
Per me shume, ne këtë vijë të parë ndeshjeje ka edhe një mori betejash të vogla të përditshme e tashmë të vjetra. Ato kanë të bëjnë që nga pakënaqësia ndaj emrave krejt të panjohur që Rama i prezanton papritur në kabinetin e tij, tek emërimet në nivelet e larta të administratës, “ishujt” e izoluar të drejtorëve të pushtetshëm, që i përgjigjen një lloj hierarkie vetjake e deri në nivel lokal ku disa drejtues qarqesh apo kryetarë bashkish janë shndërruar në feudalë të vegjël gati të pakontrolluar nga vëmendja e Tiranës. Shorti që mposht garën, karrierabe komporkentuar, frika e përbashkët që frymëzohet nga bindja se ka një radhë që pritet të vendoset nga drejtësia, por që askush nuk e di se kujt i vjen radha më parë, janë karburanti shpërthyes që prodhon urrejtje, pasiguri dhe mllef.
Socialistët janë të vjetër në këtë mesele sherresh të brendshme. Që në krye të herës, në vitet 90-të, në opozitën e tyre të parë dhe në ardhjen e parë të tyre në pushtet, mbas trëndafilit të solidaritetit dhe unitetit, janë fshehur rregullisht thikat e gjata të urrejtjes plot helm. Për momentin ata heshtin sepse nuk dinë ende se cilin krah të mbajnë, por janë të gatshëm të bëhen me fitimtarin sapo ai të shpallet si i tillë.
Por ka edhe shumë më shumë se kaq! Ndeshja kryesore dhe të tjera të ngjashme, nën të dhe paralel me të, i ngjajnë skenave të filmave Western të Sergio Leones. Me një seri duelesh që mbyllen me çifte që pjestojnë me vdekje njëri-tjetrin dhe që në skenën finale, përfundojnë me dy pistolerë të mbijetuar që qëndrojnë përballë. Dhe kur ora troket 12.00, zakonisht në filma dëgjohet vetëm një e shtënë. Njëri bie menjëherë përdhe, kurse tjetri qëndron ende në këmbë. Buzëqesh! Pastaj kamera tregon një pikë të vogël të zezë në kraharorin e tij. I dyti ul kokën dhe disa çaste më pas bie edhe ai.
Eshtë e pamundur të mos ndodhë ndryshe. Herët a vonë, nëse vijon kështu, të gjithë do të bien nën vështrimin e një njeriu të vetëm, i cili është dëshmitar që në partinë e tij, më shumë viktima ka shkaktuar lufta brenda llojit sesa beteja politike me kundërshtarin. I barazlarguar nga këto beteja luksi e rivaliteti, Edi Rama është ndoshta i vetmi politikan që ka kuptuar se nëse në vitet 90-të, një klasë politike të vdekur, por të pavarrosur, e vrau varfëria dhe uria fizike e shoqërisë, klasën e sotme politike do ta mbyllë në arkivol korrupsioni, arroganca dhe drejtësia.
Dhe për paradoks, edhe pse “bos suprem” i saj, indiferent apo me qetësi të llogaritur, si gjithkush që ndjek një film të parë më herët, me epërsinë e Borëbardhës jo më të virgjër, ai do të dalë sërish fitimtar mbi xhuxhat jo socialistë dhe plot mëkate. Do të dalë i fituar edhe nëse vendos të mbyllë derën një ditë dhe të ikë i bezdisur nga bizantinizmi plot helm i kravatave të mëndafshta dhe vaniteti i njerëzve që ai vetë, për një trill, tekë a taktikë, i ngjiti aty ku as ata vetë nuk e kishin besuar se do të shkonin ndonjëherë.