LSI në panik për një pakt të dytë Rama-Basha, ndërkombëtarët tentativa për të ulur palët në tryezë. –

26/01/2019

Lideri i opozitës Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama mund të shkojnë drejt një pakti të dytë mes tyre. Më 17 maj 2017 të dy liderët politikë i dhanë fund krizës politike, ndërsa ditët e fundit po tregojnë se po kthehemi te e njëjta situatë. Në vitin 2017 PD kërkonte po qeveri teknike me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. I vetmi dallim është se atëherë u ngrit çadra para Kryeministrisë, ndërsa tani do ketë protesta të vazhdueshme. Por ditët e fundit në korridoret e politikës janë shtuar ndjeshëm zërat se mund të kemi një 17 maj të dytë. PD ka vënë disa kushte dhe e vetmja mënyrë që të realizohen është duke biseduar dhe negociuar. Por gazeta ka mësuar se po vihen në lëvizje ndërkombëtarët. Dje Këshilli i Europës ka miratuar raportin vjetor për vendin tonë, ku kërkohet që palët politike të gjejnë dialogun. KiE kërkon që PD e PS të ulen në tryezë dhe të gjejnë emëruesin e përbashkët. Por burime nga OSBE dhe Ambasada e BE bëjnë me dije se dhe këto institucione kanë nisur punën për t’i dhënë fund ngërçit politik në vend. Kuvendi ka zgjatur me 1 muaj afatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ndryshimi i Kodit duhet të bëhet brenda 24 shkurtit. Deri më 16 shkurt PD do bojkotojë Parlamentin, që do të thotë se reforma mund të dështojë sërish. Për këtë arsye ndërkombëtarët janë duke u kujdesur dhe po ushtrojnë presion që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët për miratimin e reformës zgjedhore. Pra sinjalet janë se PD e PS mund të ulen sërish bashkë që kjo reformë të marrë jetë. Edi Paloka tha dje se PD po përgatitet për zgjedhje, por hodhi sërish idenë e shtyrjes së datës, pra ashtu siç ndodhi në 2017. Ai tha se nuk dihet se në çfarë date mbahen ato, pasi plani është që të kemi dhe zgjedhje të parakohshme. Nga ana tjetër, vetë kryeministri Rama tha pak kohë më parë se Bashës po i fryn dikush tjetër në vesh për momentin, por më vonë ai do ulet në takim. Duke qenë se po afron dhe data për negociatat dhe përplasjet politike mund të ndikojnë në këtë mes, deputetët e PS nuk e përjashtojnë mundësinë që Rama t’i bëjë një tjetër ftesë Bashës me qëllim që të punohet për integrimin europian të vendit. BE ka vënë disa kushte dhe pa opozitën situata komplikohet. Pra të gjitha rrugët të çojnë te mundësia e një pakti të dytë Rama-Basha.

Panik në LSI

Mundësia e një pakti të dytë Rama-Basha ka vënë në alarm Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe ish-kreun e saj Ilir Meta. Nga marrëveshja e 17 majit LSI ishte partia që u dëmtua më shumë. Basha e Rama ranë dakord që të hyhet në zgjedhje pa koalicione. Po ashtu, ministrat teknikë të PD shkarkuan shumë militantë të LSI. Meta synonte që të merrte rreth 30-35 deputetë në zgjedhje, por vetëm 20 arriti dhe kjo ndodhi për shkak të paktit Rama-Basha. Por së fundmi LSI e ka treguar se i druhet një pakti të dytë. Kreu i grupit Petrit Vasili ka sulmuar paktin e 17 majit. Në një studio televizive ai doli kundër të tilla marrëveshjeve duke treguar qartë frikën e LSI dhe të presidentit Meta. “Marrëveshja e 17 majit, unë kam qenë protagonist si kryetar i LSI, siguroi një gjë të rëndësishme që është më shumë e rëndësishme sesa rezultati elektoral i radhës që këtë herë ishte tërësisht i manipuluar. Unë nuk i kam njohur ato zgjedhje si kryetar i LSI, për shkak të atyre zgjedhjeve nuk e gjeta të udhëz të vazhdojë të drejtoja LSI, pasi 25% e votave u shitën dhe u blenë. Por ajo marrëveshje bëri që PD të hynte në zgjedhje, pasi plani i Edi Ramës, të cilën e kam të konfirmuar personalisht ka qenë që PD të rrinte jashtë zgjedhjeve dhe të kishte vetëm një Parlament ku PS të kishte 110 deputetët, një 30-40 do ti kishte LSI”, ka deklaruar Vasili. Pra duket se sërish LSI i trembet një pakt të fshehtë. Mbetet të shihet se çfarë surprizash do prodhojnë ditët në vijim.

Kliti Topalli

/Agjensia e Lajmeve Sot News/